A do të arrestohen Thaçi e Veseli nga Specialja, Haziri jep parashikimin e tij – e “zbulon” se kur mund të konfirmohen aktakuzat

Politika

A do të arrestohen Thaçi e Veseli nga Specialja, Haziri jep parashikimin e tij – e “zbulon” se kur mund të konfirmohen aktakuzat

Nga: N. H Më: 24 tetor 2020 Në ora: 16:01
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, foto ilustrim “Bota sot”

Ditën e djeshme janë bërë plotë 6 muaj prej kur Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) aktakuzën në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari, njëherit lideri i PDK-së, Kadri Veseli, dhe persona të tjerë akuzohen “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat vrasje të paligjshme, zhdukje të detyruar të personave, përndjekje dhe tortura”.

Gjykata Speciale edhe me tej nuk ka treguar nëse është konfirmuar ose jo aktakuza kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, ani se dje janë bërë gjashtë muaj prej kur i është paraqitur ajo nga organi i akuzës.

Lidhur me këtë çështje, për gazetën “Bota sot”, ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend.

Analisti Nexhat Haziri konsideron se kjo ishte periudha kur do të duhej të bëhej publike konfirmimi apo hedhja poshtë e aktakuzës, mirëpo zyrtarisht nuk kemi asgjë.

Image
Nexhat Haziri

“Sot janë bërë 6 muaj nga propozim aktakuza nga ana e zyrës së prokurorit special për presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e PDK-së Kadri Veselin për krime lufte, dhe kjo ka qenë periudhë ku do të duhej të kemi një konfirmim të këtyre akuzave apo hedhjen poshtë të tyre nga ana e Gjykatës Speciale. Një gjë të tillë së paku zyrtarisht nuk kemi, deri sa në opinion qarkullojnë zëra se këto aktakuza janë konfirmuar”, ka thënë Haziri, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, Haziri thekson për gazetën “Bota sot” se aktakuzat e ngritura muaj më parë për 100 vrasje janë serioze, dhe jo të lehta për t’u hedhur poshtë.

Ndërsa, shton se javën tjetër do mund të kemi një njoftim zyrtar nga Gjykata Speciale për këto aktakuza.

“Sido që të jetë, marrë përbazë ajo çfarë akuzohet Thaçi dhe Veseli në aktakuzat e tyre për 100 vrasje, janë aktakuza serioze dhe jo lehtë të hedhura poshtë, atëherë mendoj se javën tjetër, pikërisht në fillim të saj do të kemi njoftim zyrtar nga Gjykata Speciale për këto aktakuza. Nuk pres që presidenti Thaçi dhe Kadri Veseli të arrestohen pasi ata në rast të marrjes së vendimit për konfirmim të aktakuzave ndaj tyre, do të nisën vullnetarisht për në Hagë për tu përballë më procesin gjyqësor”, tha në fund analisti Haziri, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat