Juristi: Ja kur mund të bëhet konfirmimi i aktakuzës për Thaçin e Veselin nga Prokurori i Speciales

Politika

Juristi: Ja kur mund të bëhet konfirmimi i aktakuzës për Thaçin e Veselin nga Prokurori i Speciales

Nga: A.Morina Më: 24 tetor 2020 Në ora: 19:14
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Me datën, 24 prill të këtij viti Gjykata Speciale njoftoi se janë ngritur aktakuza ndaj Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Gjykata ka afat kohorë prej gjashtë muajve për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.

Pra, sot Gjykatës Speciale i skadon afati 6-mujor i shqyrtimit të aktakuzës për Presidentin Thaçi dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.

Njohësit e çështjeve juridike, kanë vlerësuar se Specialja mund t’i konfirmoj aktakuzat dhe të mos i bëjë publike deri në seancën e parë.

Njohësi i çështjeve juridike e Kushtetuese, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deklaroi se nuk ka afat të caktuar kohorë për të konfirmuar aktakuzat e Thaçit dhe Veselit. Sipas tij, nuk është e nevojshme përshpejtimi i procedurës nga ana e prokurorit.

“Konfirmimi i aktakuzës bëhet vetëm kur prokurori konsideron se ka fakte të mjaftueshme për të  nisur punën gjyqtari procedurën paraprake, këtu nuk ka nevojë për përshpejtim sepse nuk ka procedurë  të saktë se për 6 muaj duhet të ngritët aktakuza”, u shpreh Burjani.

Më tutje, Burjani tha se në vendin tonë nuk ka njerëz kompetentë që flasin për gjykatën dhe ligjin.

“Nuk ka afat strikt 6 mujorë, në Kosovë ka shumë spekulime dhe njerëz që flasin pa njohuri për punën e gjykatës apo rendin dhe ligjin. Te ne s’ka debat normal në tema që janë të kësaj natyre serioze po sikur politike”, deklaroi Burjani, përcjell “Bota sot”.

Për fund, njohësi i çështjeve juridike dhe kushtetuese tha se në televizionet private flasin njerëz që nuk kanë kompetencë dhe nuk marrin përgjegjësi për atë që thonë.

 “S'ka debate normale të arsyeshme dhe me njerëz  që flasin me kompetencë,  jo njerëz të shumtë që flasin çdo natë nëpër televizione private, këto emisione janë show e hajgare dhe argëtim, andaj s'ka seriozitet e asnjë përgjegjësi atë që flasin”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat