“Përplasja” Hoti-Haradinaj, kërkohet nga ish-kryeministri ta bëjë këtë gjë

Politika

“Përplasja” Hoti-Haradinaj, kërkohet nga ish-kryeministri ta bëjë këtë gjë

Nga: A.SH Më: 24 tetor 2020 Në ora: 21:00
Avdullah Hoti dhe Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, partner kryesor i kryeministrit Avdullah Hoti, ka dal kundër vendimit të Qeverisë për shuarjen e Task-Forcës anti-korrupsion. Por, e menjëhershme ka qenë kundërpërgjigja e kryeministrit Hoti, i cili ka thënë se politika nuk duhet të përzihet në drejtësi, duke vazhduar kështu me replika mes tyre.

Analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot” ka komentuar replikat mes tyre duke thënë se, sjellja e Haradinajt me kritikat kundër Qeverisë, është sfiduese dhe e pasinqertë. Ai ka kërkuar nga Haradinaj që të analizojë pjesëmarrjen në qeverinë Hoti.

“Sjellja e z. Haradinaj brenda koalicionit qeveritar duket me qenë goxha komplekse. Z. Haradinaj, nganjëherë duket si t'i ketë rënë pishman me pjesëmarrjen në qeveri. Vendimet e qeverisë, votohen nga ministrat e AAK-së, përderisa z. Haradinaj vazhdimisht kritikon qeverinë. Për mua, kjo mënyrë e sjelljes, duket të jetë goxha sfiduese dhe e pasinqertë. Z. Haradinaj dhe AAK, duhet të analizojnë pjesëmarrjen në qeverinë Hoti dhe, nëse vlerëson që ka lëshime, atëherë të kërkojë pozicion të ri politik”, ka thënë Duhanaj.

Mirëpo, ai bën thirrje që Kryeministri Hoti të ketë kujdes të mos merr vendime pa u konsultuar me partnerët e koalicionit.

“Në anën tjetër, Kryeministri Hoti, duhet të ketë kujdes me vendimet e qeverisë, të mos merr vendime pa u konsultuar me partnerët e koalicionit. Për sa i përket vendimit për shfuqizimin e task-forcës anti-korrupsion, mendoj që korrupsionin si dukuri, duhet ta luftojmë të gjithë si shoqëri, por janë të obliguar posaçërisht ta bëjnë institucionet e drejtësisë”, shprehet tutje Duhanaj.

Image
Leon Duhanaj

 

Më tej ai thekson se, Kosova duhet ta luftojë korrupsionin me mekanizmat e hetuesisë dhe drejtësisë.

“Kosova ka nevojë për seriozitet për ta luftuar këtë plagë. Nuk luftohet korrupsioni duke emëruar task-forca sa për t'i pasur, por duhet që mekanizmat e hetuesisë dhe drejtësisë ta bëjnë punën me efikasitet dhe përgjegjshmëri. Në fund të fundit, nuk ka as task-forcë, as sistem të drejtësisë që arrin ta kurojë një plagë të tillë, pa ndodhur në edukimin kolektiv të shoqërisë në këtë aspekt”, përfundon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat