Akti makabër i Thesarit të Shtetit, veprim i organizuar kriminal

Politika

Akti makabër i Thesarit të Shtetit, veprim i organizuar kriminal

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 tetor 2020 Në ora: 08:18
Policia e Kosovës, foto ilustrim

Vjedhjet dhe zhvatjet e Kosovës nuk kanë të ndalur, pas raportimit të privatizimit të pronave me çmim skandaloz prej vetëm 1 euro ari, para disa ditëve doli në pah një vjedhje e rënd e Thesarit të Shtetit prej 2.1 milionë eurove.

Pas këtij skandali, ministrja e Financave të Kosovës, Hykmete Bajrami mbajti një konferencë të jashtëzakonshme lidhur me “avullimin” e mbi dy milionë eurove. Bajrami gjatë konferencës deklaroi se janë bërë 4 transaksione të jashtëligjshme nga Thesari i Republikës së Kosovës dhe se mbi 2 milionë euro janë dërguar në llogarinë e një operatori ekonomik.

“Sot s’është lajmi i mirë, e keni parë në gazetë. Bëhet fjalë për 4 transaksione të dyshimta, që kanë ndodhur nga llogaria e thesarit që është në kuadër të MF-së. 2 milionë euro kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik”, ka thënë Bajrami në konferencë për media.

“Me të kuptuar kemi raportuar rastin, dhe krimet ekonomike po merren me hetim të brendshëm”, ka thënë Bajrami më tej.

Policia ka njoftuar zyrtarisht se, pas hetimeve të zhvilluara, ka arrestuar një të dyshuar derisa dy të tjerë gjenden në arrati. Bëhet fjalë për Labinot Grudën, ku pos pronës së tij në Komoran, është bastisur edhe banesa në Prishtinë dhe i është konfiskuar një veturë e tipit Audi A4.

Mediat raportuan se i arrestuari Gruda është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ka qenë drejtor për Buxhet dhe Financa në Komunën e Drenasit.

Por ai në nëntor të vitit 2018 ishte larguar nga kjo detyrë nga kryetari i Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci. Ai ishte liruar nga detyra për arsye te tij personale.

Kjo vjedhje u cilësua nga disa ekspertë si sulm kibernetikë ndaj Thesarit të Shteti, ndërsa disa të tjerë e cilësuan si sulm kriminal.

Elezaj: Vjedhja e Thesarit të Shtetit, akti më makabër që nga pas lufta e Kosovës

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj në një prononcim për gazetën “Bota sot” vjedhjen në Thesarin e Shtetit e vlerësoi si krim ordiner që i ndodhi Qeverisë Hoti.

Elezaj shtoi se ky është akti më makabër që i ndodhi shtetit të Kosovës që nga mbarimi i luftës me 10 qershor 1999.

Image
Rexhep Elezaj

“Kjo çfarë këto ditë ka ndodhë me vjedhjen e 2 milion eurove që gjendeshin në Thesarin e shtetit, së pari ky është një̈ krim ordiner që po i ndodh qeverisë aktuale me Avdullah Hotin, kryeministër, dhe së dyti, ky akt makabër është turpi i botës që po i ndodhë shoqërisë dhe shtetit të Kosovës para gjithë komunitetit ndërkombëtarë i cili jeton dhe punon në Kosovë që nga mbarimi i luftës me 10 qershor 1999..!?”, deklaroi Elezaj.

Ai më tutje tha se vjedhja e 2,1 milionë eurove shtron dilema dhe pyetje për kapjen e thellë të shtetit dhe pushtit nga partitë politike.

“Vjedhja e shumës kaq të madhe të hollave nga Thesari i shtetit, pronë e popullit dhe e gjithë taksapaguesve, shtron pyetje dhe dilema të ndryshme, por së pari, shtron përgjegjësinë e udhëheqësve shtetërorë dhe partiak, të cilët me heshtjen e tyre morbide po dëshmojnë se e kanë kapur shtetin dhe pushtetin aq thellë, sa që vetëm largimi i tyre nga këto pozita mund t’i ndalon dëmet që janë duke ia sjellë popullit dhe shtetit të Kosovës”, nënvizoi Elezaj.

Njohësi i çështjeve politik kërkoi nga Avdullah Hoti të jap dorëheqje, në mënyrë që të dëshmoj se me të vërtetë është qeveri dinjitoze.

“Kjo qeveri “koti” e udhëhequr nga LDK-ja dhe i përkëdheluri i diktatori komunist, Isa Mustafa, kryeministri, A. Hoti, pas këtij skandali të turpshëm dhe shumë të dëmshëm për vendin, po të kishin vetëm një fije morali brenda vetes, do duhej të jepte dorëheqje të menjëhershme, për të dëshmuar me këtë akt se vërtetë është qeveri dinjitoze. Por jo, ngase vetë ministrja e financave, znj. H. Bajrami, në vend së të dorëhiqet, ajo madje tha duke u kërcënuar “se nuk do jap dorëheqje assesi, ngase gjoja po dëshiruaka t’i kthen paratë aty nga ku u vodhën””.

Elezaj u shpreh se nuk pret që Hoti me të vërtetë të jap dorëheqje, pasi sipas tij në Kosovë asnjë qeveri nuk ka dhënë dorëheqje ose përgjegjësi për vjedhjet si ajo Dhomë së Dëshmive apo vjedhja e arit në Pejë pra disa viteve.

“Por një gjë e tillë nuk ndodhë në Kosovë, mjerisht, pranë edhe qindra vjedhjeve dhe plaçkitjeve që kanë ndodhur që nga pas lufta e deri më sot, që siç dihet askush nuk është burgosur dhe as dënuar për veprat kriminale që janë bërë. Të gjithëve na kujtohet vjedhja në Dhomën e Dëshmive të miliona eurove dhe gjërave tjera me vlerë para ca viteve si dhe vjedhja e arit në Pejë, e që sot e kësaj dite as nuk janë zbuluar akterët dhe as nuk është dënuar askush, ngase siç duket rrjeti i njëjtë kriminal po vazhdon me krim të organizuar ekonomik dhe të çdo lloji tjetër”, tha ai.

Elezaj krahas kësaj përmendi edhe disa aspekte të tjera për shkak të cilave Kosova, po vazhdon të mbetet e izoluar dhe nuk po mund të zhvillohet dhe forcohet si shtet.

“Prandaj, Kosova është sot vendi më pazhvilluar, më i varfëri, më i degjeneruari nga korrupsioni, kontrabanda dhe krimi me narkotik, etj., dhe askujt nga organet udhëheqëse shtetërore nuk i shkon mendja të ndërmarr ndonjë hap për ndalimin e këtyre veprave kriminale, për shkak të cilave Kosova vazhdon të jetë vendi më i izoluar në Evropë. Por as nuk i bëhet liberalizimi i vizave shengen, jo për ndonjë shkak tjetër siç llomotisin disa politikanë analfabet, por vetëm për shkakun se në Kosovë nuk luftohet krimi, korrupsioni dhe dukuritë tjera negative”, shpjegoi ai.

“Turp shuarja e Taskë-Forcës”

Elezaj në fund tha se turpi më i madh i kësaj qeverie është vendimi absurd i Avdullah Hotit për shuarjen e task-forcës për luftimin e krimit dhe korrupsionit në vend. Sipas tij, nëse nuk jep dorëheqje ose shkarkohet qeveria e tanishme, Kosova mund të bëhet oaza e zezë e Ballkanit Perëndimor.

“Dhe, merreni me mend, për të qenë turpi dhe marria edhe më e madhe e kësaj qeverie, njeriu i parë i saj, A. Hoti para dy-tri ditëve nxjerr vendimin absurd me të cilin e shuan “Task-forcën”, e themeluar në vitin 2011, për ta luftuar krimin dhe korrupsion, vendim të cilin ambasadori gjerman e quajti “vendim të mjerë”, që vetëm pas dy ditësh do vidhen 2 milion euro nga Thesari i shtetit, dhe ky është argument i mjaftuar se kjo qeveri ka dështuar plotësisht në udhëheqjen me shtetin. Kur një qeveri nuk është e zonja me i ruajt siç duhet paratë e popullit, ajo duhet të dorëhiqet ose të shkarkohet me urgjencë nga Parlamenti i vendit, ndryshe Kosova vazhdon të jetë oazë e zezë e Ballkanit Perëndimorë”, përfundoi Elezaj.

Shala: Vjedhja e 2.1 milionë eurove veprim i organizuar kriminal

Për këtë çështje, foli edhe eksperti i sigurisë Drizan Shala gjatë një bashkëbisedimi me “Botën sot” e konsideroj vjedhjen e Thesarit të Shtetit veprim të strukturuar kriminal.

Shala tha se Prokuroria Speciale duhet të zgjeroj pistën e hetimeve dhe çdo pagesë e bërë nga ky mekanizëm duhet të i nënshtrohet procesit hetimor.

Image
Drizan Shala

“Sipas mendimit tim veprimi i bërë në MTI e konsideroj veprim të strukturuar kriminal. Prokuroria Speciale e Kosovës duhet ti hap hetimet edhe përtej këtij rastit sepse po më len të dyshoj që veprimet e tilla ka mund të ndodhin edhe në të kaluarën dhe çdo pagesë e bërë nga ky mekanizëm duhet ti nënshtrohet një procesi të gjerë hetimor”, deklaroi Shala.

Eksperti i sigurisë shtoi se për shkak të konspiracionit të thellë të këtij veprimi nuk është bërë e mundur veprimi më herët i institucioneve të sigurisë.

“Institucionet e sigurisë në fazën që është kryer ky veprim nuk kishin mundur edhe të veprojnë për arsye që veprimi i këtij grupi ishte në konspiracion të thellë, por vetëm pas bërjes publike ato tani më veç se janë duke vazhduar me procedurën hetimore konform kodit penal dhe atij procedural”, tha më tutje Shala.

Për fund, Shala u shpreh se krijimi i një mekanizmi të ri për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit është më se i nevojshëm në Prokurorin Speciale.

“Kosovës i duhet një mekanizëm i ri ( Byroja Nacionale Hetimit ) që fushë veprimin e ka luftimin e krimit të organizuar dhe veprave penale me karakter të korrupsionit dhe krimeve ekonomike e cila do kishte vepruar në mënyrë të pavarur në bashkërendim më Prokurorin Speciale të Kosovës”, përfundoi Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat