A po rrezikohet procesi i dialogut Kosovë-Serbi?

Politika

A po rrezikohet procesi i dialogut Kosovë-Serbi?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 25 tetor 2020 Në ora: 10:31
Dialogu Kosovë-Serbi, foto arkiv

Në lidhje me atë se çfarë po ndodh me dialogun Kosovë-Serbi, pse u ndalua dhe nuk po vazhdon, dhe përse po zhagitet me ndonjë qëllim apo kujt i konvenon mos vazhdimi i dialogut, analistët politik vlerësojnë se procesi i dialogut Kosovë-Serbi rrezikon të zhagitet shumë.

Sipas tyre, dialogu Kosovë-Serbi nuk është në interes as të Kosovës as të Serbisë dhe as të SHB-së.

Kjo për faktin se Serbia ka bërë ndryshime në pushtet, derisa SHBA-ja do të ketë shumë shpejt zgjedhjet për president të SHBA-së.

Mehazi: Pengese e dialogut Kosovë-Serbi është lufta e politikanëve të korruptuar për të shpëtuar nga Specialja

Njohësi i çështjeve politike Sulejman Mehazi ka thënë se fajtori kryesor për ndërprerjen e dialogut është i dërguari i BE-së Lajçak i cili aq thellë ka hyrë në punët e brendshme të Kosovës sa që për t'ia plotësuar dëshirat e Vuçiqit kërkon ndryshimin e kushtetutës së Kosovës për asociacionet e qyteteve serbe dhe atë në qytet-shtete brenda Kosovës.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas tij, Lajçak në vend që të kërkonte ndryshimin e kushtetutës së Serbisë për të hequr Kosovën nga kushtetuta serbe ky bënë të kundërtën.

“Pengesë tjetër e dialogut Kosovë-Serbi është lufta e madhe e politikanëve të korruptuar të Kosovës që për të shpëtuar nga Gjykata Speciale kanë lënë mënjanë dialogun me Serbinë e janë në gjendje të prishin shtetin e Kosovës për të shpëtuar kokën e tyre. Pritja e Gjykatës Speciale ndaj akuzave të Thaçit e Veselit, blerja e tokave shtetërore me 1 euro nga funksionarët e lartë, vjedhja e 2 milion eurove nga buxheti i Kosovës janë pengesa shtuese për dialogun me Serbinë. Ndërprerja e dialogut më shumë i konvenon Vuçiqit i cili në një deklaratë të tij tha se me mirë stërzgjatje të dialogut me Kosovën sesa luftë, po dhe blerja e armëve të sofistikuara të serbëve tregon se janë të gatshëm që dhe me luftë të marrin një pjesë të Kosovës si pronë të tyre serbe”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Sulejman Mehazi.

Shahu: Dialogu Kosovë-Serbi në një situatë hutie

Image
Rexhep Shahu

Kurse analisti politik Rexhep Shahu ka thënë se dialogu është ndalë dhe ndodhet në një situatë hutie pasi Serbia sikur po zgjohet dhe po i thonë siç i tha Ambasadori Gjerman, se ajo ka harruar se është kriminele e po i duket vetja si viktimë.

Sipas tij, lajmi për 16 varrezat e shqiptarëve në Serbi, paqartësia e palës shqiptare e cila nuk ka bërë aktet nën ligjore për Asociacionin e Komunave serbe jo ekzekutive që duhet ti bëjë Kuvendi i Kosovës, zgjedhjet në Amerikë të cilat ia ndalin frymën e vrullin gjithë botës, të gjitha këto bashkë bëjnë që të stopohen gjithë zhvillimet.

“E them këtë pasi edhe mbledhjet e takimet që bëhen në tentativë për të prishë konfiguracionin e politikës në Kosovë, synimet për postin e presidentit, synimet për ta rrëzuar Gjykatën Speciale dhe e kundërta e palës tjetër, të gjitha këto ndikojnë në ecurinë e dialogut. Por besoj se zgjedhjet në Amerikë janë shkaku kryesor që bota po bëhet gati për ri formatim”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Mehmeti: Kosova duhet të jetë unike në procesin e dialogut me Serbinë

Image
Faton Mehmeti

Kurse analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi nuk është në interes as të Kosovës as të Serbisë dhe as të SHB-së.

Sipas tij, Kosova po përballet me mundësinë e konfirmimit të aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit.

“Serbia ka bërë ndryshime në pushtet, derisa SHBA-ja do të ketë shumë shpejt zgjedhjet për president të SHBA. Andaj në këtë aspekt, çështja e dialogut ka mbetur anash, derisa të krijohet një klimë më e përshtatshme për palët në këtë proces. Procesi i dialogut Kosovë-Serbi rrezikon të zhagitet aq shumë, njësoj si rasti Izraelit me Palestinën, që me mbi 40 vite dialogojnë por pas një marrëveshje finale. Kështu, që Kosova duhet të jetë unike në këtë proces, të jetë me një zë, dhe me ndihmën edhe të SHBA besoj se mund të mbyllet ky proces, në favor të Kosovës dhe interesave të saja”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat