Skenari me Thesarin e Shtetit, ja çfarë po përgatitej kundër LDK-së! Nga partia e Mustafës japin versionin: “Qëllimi i errët i kapësve”

Politika

Skenari me Thesarin e Shtetit, ja çfarë po përgatitej kundër LDK-së! Nga partia e Mustafës japin versionin: “Qëllimi i errët i kapësve”

Nga: N. H Më: 25 tetor 2020 Në ora: 11:50
Lidhja Demokratike e Kosovës

Mbi dy milionë euro janë vjedhur ditë më parë nga Thesari i Shtetit të Kosovës. Policia ka njoftuar se një person është arrestuar dhe dy të tjerë janë në arrati.

Ata dyshohen se duke keqpërdorur detyrën zyrtare dhe duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë mbi 2 milionë euro.

E, pas kësaj ngjarje të rëndë, ka pasur zëra, që edhe kanë kërkuar shkarkimin e ministres Hykmete Bajrami.

Mirëpo këtë kërkesë kategorikisht e hedhë poshtë, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në diasporë, Fatmir Bajraj, i cili është i mendimit se ky veçse është një akt kundër LDK-së, kundër kryeministrit Hoti dhe kundër ministres Bajrami.

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në diasporë, Fatmir Bajraj, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ky akt kriminal dhe antishtetëror, ka për qëllim përvetësimin e Thesarit të Shtetit në njërën anë, dhe në anën tjetër, dëmtimin e Qeverisë Hoti dhe të Ministres Bajrami.

Image
Fatmir Bajraj

“PAN-i, gjatë dy dekadave në skenën politike të vendit dhe në kapje të shtetit; krimin dhe korrupsionin e ka shndërruar në sistem, derisa vjedhjen dhe hajninë publike në normë të sjelljes dhe ushtrimit të pushtetit abuziv. Skenar i shtetëkapësve për të sfiduar Qeverinë Hoti në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit galopant në Republikën e Kosovës të shtrirë dhe të sofistikuar nga kapësit e shtetit, tani e dy dekada, doli në dritë të diellit. Avullimi i mese 2.1 milionëve, siç quhet vjedhja spektakolare e Thesarit të shtetit nga brenda dhe katër transferet fillestare për të vazhduar tutje ‘lojën’ e krimit në ‘përfitues’ tjerë dhe me një komoditet unik dhe absolut, jep të kuptohet se kështu mund të vidhet vetëm shpija e vetë, pra vjedhje nga brenda, vjedhje e shtëpisë nga familjarët”, shprehet Bajraj, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, Bajraj ka shtuar se pasi që ekzekutivi aktual nuk mund të akuzohet siç akuzoheshin dikur qeveritë e kaluara, kundërshtarët u kujdesën dhe gjetën rrugë tjera, që sipas tij, kishin një qëllim të vetëm; ta dëmtojnë imazhin e kryeministrit Hoti.

“Meqë, Qeverinë Hoti nuk mund ta akuzojnë për afera korruptive, vendime skandaloze dhe as nepotizëm, për dallim prej pararendësve; Haradinaj e Kurti, dhe as për nënshtrim e servilitet ndaj Beogradit dhe qarqeve rreth tij të cilët kishin synuar ndarjen dhe copëtimin e Kosovës, u kujdesën që të gjurmojnë rrugë tjera të cilat dëmtojnë imazhin e kryeministrit Hoti të krijuar pas një politike nacionale të përgjegjshme dhe të guximshme përballë sfidave dhe sfiduesve potencial. Skenari i errët i kapësve të shtetit, të tmerruar nga fakti se Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Hoti, po fiton teren dhe mbështetje qytetare, filluan të gjenerojnë rrugë alternative për ta dëmtuar LDK-në si drejtuese të Qeverisë dhe më pas edhe vetë Qeverinë dhe Ministrinë e Financave të drejtuar nga Hykmete Bajrami”, tha me tej ai.

Sa i përket shkarkimeve të fundit nga ana e Qeverisë Hoti, Bajraj konsideron se ishin vendime të ligjshme, dhe në të mirë të vendit dhe të institucioneve. Kurse, lidhur me arrestimin e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, zyrtari i këtij subjekti deklaron se ky akt dëshmoi katërçipërisht se sistemi i drejtësisë në Kosovë po vazhdon të jetë i kapur.

“Shkarkimi i ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në Doganat e Kosovës, Ibrahim Xhaka, shkarkimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosoves, Ilir Murtezai, si dhe shkarkimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosoves, Rashit Qalaj, ishte një vendim i ligjshëm i kryeministrit Hoti në të mirë të vendit dhe të institucioneve, të cilin shtet-kapësit nuk e gëlltitën dhe nuk u pajtuan, andaj iu vërsulën nga të gjitha anët dhe me të gjitha rrugët. Edhe shuarja e Taskë-Forcës nga ana e Qeverisë së Kosovës kishte indinjuar kapësit e shtetit ngase e kishin lexuar si atak ndaj imunitetit të tyre edhe pse vendimi kushtetues i kryeministrit Hoti, ishte pikërisht në mbështetje të sistemit të drejtësisë si pushtet i ndarë dhe i pavarur, duke shuar një mekanizëm qeveritar (Taskë -Forcën) i cili ishte aty, jo për ta luftuar krimin e korrupsionin, por u përdorë për ta penguar drejtësinë që të jetë e pavarur në këtë detyrë dhe mision kushtetues. Arrestimi i nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova, dëshmoi katërçipërisht se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kapur dhe vihet në lëvizje për motive politike nga bosët e oligarkisë kriminale që kanë pushtuar pushtetet e pavarura, përfshi edhe media”, deklaron Bajraj.

Gjersa, potencon se kërkesa për shkarkimin e ministres së Financave, Hykmete Bajrami, ka për qëllim mospengimin e krimit dhe mosndjekjen e kriminelëve të cilët avullimin e 2.1 milionë eurove nga Thesari i shtetit e bënë pikërisht me skenar dhe regji të oligarkëve në shtetkapje, të identifikuar në PAN-hajni që dy dekada.

“Kryeministri Hoti dhe ministrja Bajrami, pas daljes në dritë të skemës së krimit në thesar, dhe pas identifikimit të akterëve të cilët janë brenda ministrisë së Financave tani e 11 vite, dhe të sqaruar si vartës dhe eksponent të PAN-it, duhet dhe do ta vazhdojnë betejën juridike deri në fund, duke sjellë para përgjegjësisë akterët (kriminelet), detyrë kjo kushtetuese por edhe përgjegjësi publike-qytetare dhe shtetërore. Kësaj radhe, autoret e krimit nuk do të kalojnë sikur në rastet e vjedhjeve në Dhomën e dëshmive në Prishtinë dhe në Pejë vite me parë, për çfarë nuk kemi asnjë të dyshuar e lerë më të dënuar për ato akte spektakolare krimi e korrupsioni”, ka theksuar zyrtari i LDK-së në diasporë, Fatmir Bajraj, për gazetën “Bota sot”.

Krejt në fund Bajraj nënvizon se kjo betejë e humbur përkohësisht nga kryeministri Hoti dhe ministrja Bajrami, do të kthehet në fitore të tyre si titullar në krye të përgjegjësive shtetërore, dhe në fitore të drejtësisë dhe të Republikës së Kosovës, për çfarë kanë nevojë imediate qytetarët e Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat