Pazare në “orët e fundit”!

Politika

Pazare në “orët e fundit”!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 25 tetor 2020 Në ora: 13:41
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa

Gjatë ditës së Premte në Kuvendin e Kosovës janë takuar kreu i LDK-së, Isa Mustafa, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kreu i NISME-s, Fatmir Limaj.

Ky takim u zhvillua brenda Kuvendit të Kosovës mirëpo që ishte i papritur dhe i paparalajmëruar nga krerët e partive, shkruan “Bota sot”.

Pas takimit, për media u deklarua kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili u shpreh që tema për të cilën ata janë mbledhur ka qenë rimëkëmbja ekonomike e vendit.

Por nuk mbeti pa u pyetur në lidhje me postin e presidentit e që kësaj radhe Haradinaj u shpreh më i qetë duke thënë që nuk ka përgjigje, e që më herët Haradinaj kur është pyetur është shprehur që nëse nuk bëhet president do ta dërgoj vendin në zgjedhje.

“Nuk jemi në këtë klimë të daljes dhe të hyrjes. Jemi në punë për të përkrahur vendin. Për temën e presidentit do ta gjejmë një zgjidhje të duhur për vendin”, u shpreh Haradinaj pas takimit.

Ndërsa kreu i LDK-së, Isa Mustafa pas takimit tha që kanë folur vetëm për buxhet dhe rimëkëmbje dhe jo për temën e presidentit apo koalicionit, por që tha se nëse dështojm për zgjedhjen e presidentit atëhere shkojmë në zgjedhje.

“Nëse dështojmë që ta zgjedhim presidentin atëherë shkojmë në zgjedhje. Të gjithë jemi të gatshëm për zgjedhje”, ka thënë Mustafa.

Mirëpo nuk ishte vetëm ky takimi i cili ndodhi këto ditë, sepse një takim mes presidentit të vendit, Hashim Thaçi, kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, ndodhi në ditën e enjte në një restaurant të Prishtinës në orët e hershme.

Në lidhje me këtë takim janë deklaruar liderët, të cilët kanë thënë se takimi ishte vetëm për kafe dhe mëngjes. Ndërsa ish-kryeministri, Ramush Haradinaj është deklaruar duke thënë se ky takim është iniciuar nga ai për të biseduar për zhvillimet e fundit në vend.

Duhet cekur që afati i fundit i Speciales për konfirmimin ose jo të aktakuzave drejtuar presidentit të vendit dhe kreut të PDK-së, ishte data 24 tetor e që ende nuk ka asnjë vendim nga Specialja.

Njohësit e çështjeve politike të vendit për “Bota sot”, u shprehen që këto takime po ndodhin për interesa të tyre personale e asnjëherë për biseda në të mirën e vendit.

Kelmendi: Takimet midis politikanëve mbahen vetëm për pushtet

Image
Muhamet Kelmendi

Njohësi i çështjeve politike, Muhamet Kelmendi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që takimet e tilla mes liderëve politike është shumë normale nëse bisedohet për rimëkëmbje ekonomike sepse ekonomia e vendit është në një situatë të rëndë.

“Por midis liderëve tanë ka një rivalitet për postin e presidentit dhe se kush po qëndron në qeveri kjo për faktin se secila parti po synon të jetë në pushtet, PDK dashuron qeverinë, LDK dhe AAK e duan presidentin dhe për këtë arsyje mes këtyre dy të fundave nuk mund të ketë marrëveshje sepse dyjat po synojn postin e presidentit. Takimet midis koalicionistave janë dukuri normale dhe kanë për qëllim gjetjen e mendiëve të përbashkëta për pushtetin që ata e mbajnë!? Në këtë anë është juridikisht çështja në rregullë. Kjo edhe për faktin se Kosova po e kalon një situatë të rëndë. Ekonomia është dobësuar dhe pandemia po krasitë në masat e gjera. Kështu është dhe duhet kuptuar edhe takimet midis Thacit, Veselit e Haradinajt. Në jetën politike janë këto takime shumë normale. Por kjo nuk qëndron e vetme. Midis partive politike ka kundërthënje për Qeveri dhe për President. PDK e dëshiron Qeverinë dhe atë në përmasa të gjera. Duket se as nga pozita e Presidentit nuk kanë hequr dorë. LDK dhe AAK e duan Presidentin dhe LDK edhe Qeverine që e ka dëshiron për të mbajtur. Këtej nuk ka marrëveshje midis LDK dhe AAK-së. Kjo për faktin se të dy partitë e duan atë pozitë”, u shpreh Kelmendi.

Më tej, Kelmendi thotë që Mustafa po punon shumë për postin e presidentit edhe pse këtë nuk e ka deklaruar siç e ka thënë publikishit Haradinaj.

Por AAK dhe PDK sipas Kelmendit kanë veçse marrëveshje mirëpo që kjo varet nga LDK dhe PDK sepse nga këto të dyja dalin edhe votat. E fundit për këto parti do të jenë zgjedhjet e që mendohet që do të mbahen në Pranverë për ta bërë të qartë se kush do të mbetët në pushtet e kush jo.

“Isa Mustafa po punon me të madhe për President. Ai këtë nuk e ka deklaruar, por me punë po vepron. Ramush Haradinaj është deklaruar dhe duket se me PDK-në veç kanë marrëveshje. E tëra do të varet nga LDK dhe nga PDK. Nga ato vota do të del Presidenti dhe këtej do të diskutohet edhe për Qeveri. E kundërta e kësaj, janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat mendohet të mbahen në Pranverë. Zgjidhja tjetër do të arrihet midis këtyre politikanëve të qartur për pushtet. Para kësaj nuk ka rëndësi as Republika, as masat popullore dhe as kombi. Për pushtet dhe para kësaj po sakrifikohen”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

Mehmeti: Në këto takime është biseduar për pazare, jo për çështje ekonomike

Image
Faton Mehmeti

Analisti politike, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që takimi mes treshes Haradinaj, Mustafa dhe Limaj nuk ka pasur për qëllim të flitet për rimëkëmbje ekonomike por për pazare të tyre. Kjo për shkak se ky takim ndodhi menjëherë pas takimi mes Thaçi, Veseli dhe Haradinaj e që krejt loja po luhet për postin e presidentit.

“Duket shumë naive të flitet për rimëkëmbje me Isa Mustafën dhe jo me Hotin, kështu që ky pretendim për t'ia shitur mediave nga Ramush Haradianj bie menjëherë poshtë. Dihet shumë mirë që aty është biseduar për çështje politike, krejt kjo një ditë pas takimit të treshës Thaçi-Veseli me Ramushin. Ky i fundit duket të ketë marrë një ofertë nga Thaçi dhe Veseli, të cilin ia ka paraqitur Isës dhe Fatmirit, dhe krejt loja po luhet për postin e presidentit dhe mundësisë që të ridetajizohet qeveria, tani që pritet konfirmimi i aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit”, u shpreh Mehmeti.

Më tej, analisti thotë që Haradinaj është duke qëndruar së bashku me PDK-në pasiqë Thaçi dhe Veseli janë në pritje për aktakuzat e tyre duke u munduar që me pretendimin se po goditet “lufta çlirimitare” të kenë afër Haradinajn.

“Besoj se ky takim ka qenë shumë i tensionuar, me të gjitha palët që mundohen të arrijnë qëllmet e veta,natryisht duke dobësuar tjetrën. Këtu është folur për pazare, jo për çështje ekonomike. Besoj se Ramushi ka marr konfirmim nga Thaçi dhe Veseli se akatakuzat ndaj tyre do publikohen, andaj i është kërkuar që të jetë bashkë me PDK-në, në këtë fazë kur sipas tyre po goditet “lufta çlirimitare”, kështu që këto pazare vetëm sa kanë filluar”, u shpreh Mehmeti.

Ahmeti: Çdo takim i tyre nuk ka diskutimin për çështje publike, por, për zgjatjen sa më shumë të këtij mandatit qeverisës

Image
Hidajet Ahmeti

Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh takimi mes Mustafës, Haradinaj dhe Limajt nuk ka pasur për qëllim të flasin për çështjet e vendit por për skenarët e zgjatjes së jetës të kësaj qeverie sepse botat e kësaj qeverie nuk përfaqësojn gjysmën e votuesve të zgjedhëjve të fundit.

“Një qeveri e brishtë dhe e instrumentalizuar nga Lista serbe në çdo kohë mund të lëkundet, pasi shumica e thjeshtë e votave të deputetëve nuk i jep garanci në jetëgjatësinë e saj, e aq më shumë kur dihet që votat e Listës serbe janë determinues në funksionimin e kësaj qeverie. Nga ky realitet faktik i përbërjes së kësaj qeverie dhe brishtësisë së saj, i shtynë liderët e partive politike në qeverisje që të takohen më shpesh për të diskutuar për skenarët e zgjatjes së jetës të kësaj qeverie. Çdo takim i tyre brenda vetës nuk ka diskutimin për çështje publike, por, për zgjatjen sa më shumë të këtij mandatit qeverisës, edhe ashtu të “kontrabanduar” pasi votat e kësaj qeverie nuk përfaqësojnë gjysmën e votuesve të zgjedhjeve të fundit”, tha Ahmeti.

Më tej Ahmeti gjithashtu përmendi takimin mes Thaçi-Veseli- Haradinaj duke u shprehur që qëllimi i këtij takimi lidhet më së shumti me mundësin e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm nëse konfirmohen aktakuzat ndaj Thaçit dhe Veselit.

Ahmeti ceku që të dy takimet kanë për qëllim të mos shkojë populli në zgjedhje sepse asnjëra nuk është e gatshme përveç Vetëvendosjes.

“Kurse takimi i trinomit Thaçi-Veseli- Haradinaj, vlerësuar në situatën aktuale më shumë vlerësohet si një takim për të diskutuar rreth mundësisë së zgjedhjes së presidentit të ardhshëm, por potencialisht edhe krijimin e një realiteti të ri në skenën politike që mund të ndodhë, me konfirmimin e aktakuzave për Thaçin dhe Veselin nga Gjykata Speciale. Krejt kjo loje e të dyja palëve është që të zgjasin jetën kësaj qeverie pa legjitimitet popullor, pasi që asnjë nga partitë politike nuk janë gatshme të shkojnë në zgjedhje, përveç Vetëvendosjes”, u shpreh Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat