Takimi i Haradinajt me Hashimin e Kadriun, ogur i keq për Kosovën

Politika

Takimi i Haradinajt me Hashimin e Kadriun, ogur i keq për Kosovën

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 25 tetor 2020 Në ora: 19:30
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Dilemat e shumta se kush do ta marr pozitën e presidentit të Kosovës vazhdojnë. Ka pretendentë të shumtë për këtë pozitë, përkundër që ende ka kohë për këtë çështje.

Një ndër ta është edhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili herë pas here ka deklaruar kandidaturën e tij për president.

Por, javën e kaluar, Haradinaj ka “zbutur” deklaratën e tij për postin e presidentit, pas takimit me partnerët e koalicionit.

Pas takimit me kreun e LDK-së, Isa Mustafën dhe kryetarin e Nismës, Fatmir Limajn, Haradinanj është pyetur nga gazetarët për pozitën e presidentit, ai ka deklaruar se “nuk e kam përgjigjen për këtë temë aktualisht, në të ardhmen do ta vërtetojmë bashkë se si shkojnë këto procese”.

Bajraj: Ramushit i ka has sharra në gozhdë!

Image
Fatmir Bajraj

Njohësi i çështjeve politike, Fatmir Bajraj, mendon se Haradinaj e ka kuptuar që nuk do të bëhet president.

“Ramushi nuk është që s'do, por me gjasë e ka kuptuar se është e pamundur të bëhet President i vendit në këtë konstelacion të forcave politike në vend dhe në këtë gjeo-politikë e cila e detyroj të dorëzohej dhe të tërhiqej nga pozita e Kryeministrit.

Qëndrimi konsekuent i LDK-së, në përputhje dhe në respektim të marrëveshjes politike të koalicionit për qeverisje me AAK & NISMA-në dhe përballë kësaj, egoja dhe ambicia e pa mbulesë e AAK-së dhe e liderit të saj, Haradinaj për President të Republikës së Kosovës me një narracion dhe diskurs politik imponues, sikur ka nxjerrë mbi sipërfaqe qasjen dhe divergjencat e papajtueshme të partnerëve të koalicionit qeverisës, përkatësisht ; LDK & AAK !

Kur dëshirat dhe ambiciet politike të kujtdo qoftë, tejkalojnë mundësitë dhe fuqinë reale të pretenduesit, atëherë vullnete të tilla janë të destinuara të dështojnë dhe fajin për këtë nuk mbajnë partnerët e sinqertë, por ata irracional dhe egot e sëmura për pushtet, siç është egoja e Ramushit, "President"!”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Bajraj ka komentuar deklaratat e Haradinajt për dalje nga koalicioni.

“Ramushi ka luajtur në kartën e shantazhit dhe lakut për LDK-në, duke menduar se kjo e fundit do të detyrohet t'i premtoj votën e LDK-së për president të vendit, si kusht që grupimi tribal i tij (AAK), të mbështes Qeverinë Hoti dhe ruaj koalicionin qeverisës.

Haradinaj, përdori të gjitha makinacionet për ta "disciplinuar" LDK-në dhe Hoti në ushtrimin e kompetencave kushtetuese qeverisëse, herë pas herë, edhe duke kërcënuar me tërheqje nga koalicioni dhe shkuarje në zgjedhje të parakohshme, por LDK-ja dhe lidershipi i saj, nuk ranë pre e presioneve të tilla perfide dhe të ulëta të një lideri tribal siç është Haradinaj”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Bajraj: Takimi i Haradinajt me Hashimin e Kadriun, ogur i keq për Kosovën!

Më tej, Bajraj folur edhe për takimin e Haradinajt me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kreun e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Ditë më parë, biles takimit të partnerëve të koalicionit: Mustafa, Haradinaj dhe Limaj, i parapriu një takim i cili s'mund të jetë ogur i mirë për Kosovën dhe në këtë rast, as për Qeverinë e saj, ngase bëhen bashkë, pikërisht krerët e oligarkisë kriminale të 20 viteve të fundit, në kapje të shtetit dhe të pushteteve të ndara me kushtetutë.

Sikur të ishte e kundërta ; pra që takimi i dytë të ishte para prirës i të parit, opinioni për një qasje ndryshe do të ishte racional, por kështu siç ka ndodhë, provon katërçipërisht djallëzinë e bosëve të krimit e korrupsionit në vend dhe qëllimin e errët për Kosovën dhe të ardhmen e saj”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Për më tepër, Bajraj mendon se mund të ketë rrëzim të Qeverisë Hoti.

“Haradinaj po shfaqë pasiguri dhe e ndjenë si të dështuar pretendimin e tij për pozitën e Presidentit, zaten është i gatshëm t'i kthehet "Amës" (PRONTO-mafias) dhe kurdisjes së një laku të ri Kosovës duke vënë në grackë LDK-në, që në momentin e duhur të votohet një kandidat konsensual me PDK-në në qeverisje, dhe menjëherë të rrëzohet Qeveria Hoti dhe vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme, duke konsideruar se pas marrjes së Presidentit nuk kanë më çfarë të humbasin me votimin mocionit të LVV-së për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

Sa herë që qeverisja e vendit ka shkuar mirë & mbarë, kur zakonisht është drejtuar nga LDK-ja, (Akademik Isa Mustafa dhe Dr.Avdullah Hoti), Shtabi i Rognerit dhe ngjizjet prej tij në klasen politike të vendit, të identifikuar në krahun e luftës, janë bërë bashkë dhe kanë rrënuar progresin duke rrëzuar Qeveri të suksesshme dhe kredibile.

Të gjitha sulmet populiste dhe të pashije të Haradinaj dhe jo vetëm, kundër Kryeministrit Hoti dhe partneritetit qeverisës me LDK-në, do ta dëmtojnë vendin, por kurrë dhe assesi nuk do ta përulin e gjunjëzojnë lidershipin e LDK-së dhe Kryeministrin Hoti, i cili është i përkushtuar në realizimin dhe kurorëzimin me sukses të projektit nacional të shqiptarëve të Kosovës dhe presidentit historik Rugova, për një Kosovë të pavarur dhe të integruar në BE, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Amerikën”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Bajraj ka potencuar se LDK mund të sakrifikoj pozitën e Kryeministrit në këmbim të pozitës së Presidentit vetëm në momentin e duhur për interesin madhor të kombit.

Dua të besoj se LDK-ja ka lexuar me kohë intrigat dhe kurthet e atyre që vranë dhe vodhën atdheun e shqiptarëve-Kosovën, të atyre që Fe & Atdhe kanë pushtetin dhe përmes tij, fatin personal dhe tribal, dhe në kurriz të popullit martir të Dardanisë Antike-Kosovës.

LDK, duhet të vazhdoj suksesshëm në qeverisjen e vendit dhe në momentin e duhur për interesin madhor të kombit dhe atdheut, duhet të sakrifikoj pozitën e Kryeministrit në këmbim të pozitës së Presidentit, me ç'rast; do sigurohej stabiliteti politik i vendit duke shtyrë tutje agjendën e shtetndërtimit dhe të integrimeve veri-atlantike.

Një veprim i tillë i LDK-së, do nxjerrë "lakuriq" qëllimet dhe synimet e errëta të Hashimit, Ramushit e Kadrisë në këto kohë kruciale për fatet tona si komb dhe atdhe”, ka përfunduar Bajraj për “Bota sot”.

Mehmeti: Duket se Ramushi po e kupton se është i përdorur nga partitë e mëdha

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar këtë deklaratë të Haradinajt.

Ai mendon se Haradinaj ka të drejtë të ketë synime për postin e Presidentit.

“Besoj se Ramushi po mundohet te tregohet unik, duke shterur të gjitha mundësitë për tu bërë president. Përpjekjet e tija po hasin në kundërshtim, kështu që Haradinaj lëshon deklarata të tilla. Personalisht besoj se Ramushi ka të drejtë të synojë këtë post, megjithatë dyshoj se mund të arrij duke ditur mungesën e forcës së tij politike”, është shprehur Mehmeti.

Sipas tij, Haradinaj po e kupton se është i përdoru nga partitë e mëdha.

“Duket se Ramushi po e kupton se është i përdorur nga partitë e mëdha, dhe do të del hundesë. Ramushi nuk zbrazet nga synimi i tij, kështu që mendoj se do të dëshpërohet shumë. Sa më parë të kuptoj se s’do të bëhet president do të ketë më të lehtë, ndryshe do pësoj zhgënjim kur të ndodh një gjë e tillë”, ka deklaruar Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat