Përplasjet e Haradinajt me LDK-në, për të dërguar mesazhe për postin e presidentit?

Politika

Përplasjet e Haradinajt me LDK-në, për të dërguar mesazhe për postin e presidentit?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 26 tetor 2020 Në ora: 08:02
Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj

Prej formimit të koalicionit mes LDK-AAK-NISMA, kryetari i AAK-së në vazhdimësi i ka shfaqur pakënaqësitë e tij në lidhje me çështje të ndryshme sa i përket prijësit të Qeverisë. 

Së fundi, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, partner kryesor i kryeministrit Avdullah Hoti, ka dalë kundër vendimit të Qeverisë për shuarjen e Taks-Forcës anti-korrupsion. 

Mirëpo e menjëhershme ka qenë edhe  kundërpërgjigja e kryeministrit Hoti duke thënë se politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. 

Analistët kanë vlerësuar se, gjithë këto polemika mes tyre e kanë një emërues të përbashkët, zgjedhjen e presidentit, për të cilin Haradinaj tashmë veç e ka shpallë kandidimin e tij. 

Mehmeti: Kritikat e kreut të AAK-së janë sinjale për LDK-në që ta mbështet në synimet e tij për president 

Image
Faton Mehmeti

Analisti Faton Mehmeti për “Bota sot” ka thënë se, këto përplasje kanë qenë të pritshme pasi mes tyre nuk ka pasur një plan qeverisës. 

“Janë të pritshme përplasjet, pasi nuk ka pasur një plan të përbashkët qeverisës. Është rast për t’u habitur se një herë arrihet marrëveshja pastaj bëhet plani mes partnerëve të koalicionit, plan jo i përbashkët por i shkoqirur nga ai i LDK-së”, ka thënë Mehmeti.  

Sipas Mehmetit, e gjitha kjo po bëhet për me rastin e afrimit të zgjedhjes së presidentit, kritikat e Haradinaj janë sinjale për LDK që ta mbështet në synimet e tij për president. 

“Megjithatë divergjencat do të shtohen me kalimin e kohës, konkretisht me afrimin e zgjedhjes së presidentit. Nëse Ramushi merr mbështetjen e LDK për president do të shuhen zërat kritikë, në të kundërtën do të shtohen deri në daljen e plotë të AAK nga koalicioni. Kritikat e kreut të AAK janë sinjale për LDK që ta mbështet në synimet e tij për president”, përfundon Mehmeti. 

Mehazi: Këto kritika Haradinaj po i bën me shkas që të përgatit rrugëtimin e të bërit president i Kosovës 

Image
Sulejman Mehazi

Edhe profesori Sulejman Mehazi në një përgjitje për “Bota sot”, ka thënë se, ky koalicion është formuar për interesa partiake dhe jo për ato të qytetarëve, mirëpo edhe mbyllja e Task Forcës Anti-Korrupsion është e pa tolerueshme. 

“Se ky koalicion qeverisës nuk është formuar për të mirën e qytetarëve të Kosovës, po për interesat qeverisëse partiake shihet qartë gjatë polemikave të ashpra të Haradinajt ndaj Hotit. Koalicioni real popullor ishte ai i Albin Kurtit e Vjosa Osmanit, jo ky i Hotiti e Haradinajt. Normale se koalicionet tendencioze do bëjnë dhe politikë tendencioze sikurse që janë tendencioze inatet e Haradinaj me Hotin, kjo u pa gjatë përplasjeve të tyre rreth vendimit të qeverisë për shfuqizimin e Departamentit të Posaçëm kundër korrupsionit, i njohur si ‘Task Forca Anti-Korrupsion’, që është pjesë Policisë së Kosovës. Kurrë nuk e kemi përkrahuar Haradinaj, po gjatë polemikës së fundit ndaj Hotit po, të eliminoni e shfuqizoni Departamentin e posaçëm kundër korrupsionit, departament i përbërë nga 30 zyrtarë policorë, të specializuar nga mekanizmat e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë është e pa tolerueshme për Hotin”, thotë Mehazi.  

Ai ka kritikuar Haradinaj duke thënë se, të gjitha këto po i bën për interesa të veta, duke përgatit rrugëtimin e të bërit president i Kosovës. 

“Po dhe Haradinaj të gjitha këto lojëra politike i bën për interesat e veta për president, ai është në gjendje të prish koalicionit me Hotin e LDK-në, vetëm e vetëm të bëhet president, e si arsyetim i prishjes së koalicionit të Haradinaj me Hotin do jetë shfuqizimi i 30 zyrtarëve të specializuar policor për ndjekjen e vjedhjeve e korrupsioneve. Haradinaj jo se brengoset për shfuqizimin e këtij Departamenti Policor, po  me shkas përgatit rrugëtimin e të bërit president i Kosovës”, përfundon Mehazi. 

Burjani: Duhet themelimi i një Taskë Forcë Anti-Korrupsion KGJK dhe KPK, jo nga Qeveria e Kuvendi 

Image
Blerim Burjani

Poashtu njohësi i çështjeve juridike dhe politike Blerim Bujrani për “Bota sot”, ka thënë se, kjo Task Forcsë Anti-Korrupsion nuk ka sjellë ndryshime e as fakte për plaçkitje të pronave publike apo shpërdorimit të parasë publike. 

“Saktë politika nuk duhet të përzihet në drejtësi, në fund të fundit kjo taks forcë nuk ka prodhuar ndonjë rezultat, pa kurrfarë rezultati. Kjo task forcë nuk ka sjellë ndryshim dhe nuk ka sjellë fakte të shumta që janë me qindra për plaqkitje të pronave publike apo shpërdorimit të parasë publike, dhënie pa meritë e posteve duke këqpërdor shtetin dhe detyrn zyrtare dhe shpërfill paranë publike”, ka thënë Burjani.  

Sipas tij, duhet të themelohet një Taksë Forcë Anti-Korrupsion nga KGJK dhe KPK, por jo nga Kuvendi ose Qeveria 

“Një task forcë e re duhet të themelohet sa më parë dhe kjo task forcë duhet të iniciohet nga KGJK dhe KPK, por jo nga qeveria apo kuvendi, kuvendi merret me hetime të kota si me rastin e Valës edhe tash me rasti e privaitizmit, kjo çështje nuk duhet hetim parlamentar por hetim policor dhe mbledhjen e fakteve për keqpërdorime të shumta që jane bërë në shtet. Ose duhet të rithemelohet një task forcë nga organet e drejtësisë e jo të merren partitë që janë keqpërdoruesit më të mëdhenjë të parasë publike”, përfundon Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat