“Kjo është ana e vërtetë e Ramush Haradinajt”, ja pse po e shantazhon Avdullah Hotin

Politika

“Kjo është ana e vërtetë e Ramush Haradinajt”, ja pse po e shantazhon Avdullah Hotin

Nga: P.R Më: 26 tetor 2020 Në ora: 19:58
Ramush Haradinaj

Gjatë vikendit ka shpërthyer një përplasje në mes të kryeministrit, Avdullah Hoti dhe lideri të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Krejt kjo për shkak të shuarjes së task forcës nga ana e qeverisë së Kosovës.

Ishe Haradinaj ai i cili doli kundër vendimit të kryeministrit, Avdullah Hoti për shuarjen e task forcës.

“Shkarkimi i task forcës kundër korrupsionit shkakton pasiguri juridike. Kjo task forcë ka funksionuar më shumë se 10 vite. Kanë hetuar dhe kanë qenë në proces të hetimit të shumë rasteve të profilit të lartë në bazë të mandatit të tyre. Puna e tyre ka treguar që askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia. Normalisht ka pasur shumë gjëra të përmirësohen dhe kjo task forcë të fuqizohet, qoftë nga rishikimi funksional ose nga rekomandimet e partnerëve strategjik si ShBA dhe BE. Në përmirësimin e institucioneve tona duhet të kemi plan. Çdo vendim pa plan, e i aty për atyshëm mund të kuptohet si ndërhyrje politike ose hakmarrje ndaj proceseve të pavarura. Gjatë mandatit tim si Kryeministër jam ballafaquar me disa raste për të cilat ka pasur vendim për hetime ose aktakuzë. Vendimi im ka qenë që të ruaj sistemin dhe ta fuqizoj të njejtin. Kam rritur rrogat e policisë, prokurorëve dhe gjykatësve dhe ju kam dhënë pavarësi të plotë. Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Unë kam paguar çmim që të ruaj sundimin e ligjit mbi përfitimet politike. Të njëjtën e pres nga çdo Qeveri e Republikës së Kosovës”, shkroi Haradinaj.

E ndaj tij reagoi menjëherë kryeministri, Avdullah Hoti.

“Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Këtë e kemi bërë me vendimet që kemi marr në këta muaj të qeverisjes. Drejtësia duhet ta bëjë punën sipas ligjit, e jo sipas vendimeve të Qeverisë. Kthimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend duhet të jetë angazhim i të gjithëve. Kjo qeveri është e vendosur për të fuqizuar shtetin ligjor. Siguria juridike garantohet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe institucionet shtetërore”, shkroi Hoti në kundërpërgjigjen e tij ndaj Haradinajt, shkruan “Bota sot”.

Por, përplasja vazhdoi edhe më tej, pasi Ramush Haradinaj i reagoi Hotit.

“Gjatë jetëgjatësisë së demokracisë së vendit tonë, sa herë që Kushtetuta e Republikës është zbatuar për interesat e një partie të caktuar, ka dalë të jetë e gabuar”, kishte shkruar Haradinaj në profilin e tij në facebook.

Por, për dallim nga Haradinaj, Ministrat e AAK-së nuk kishin votuar kundër shuarjes së task forcës. Madje ministrit i Drejtësisë që vjen nga radhët e AAK-së, kishte abstenuar ndaj vendimit të Hotit.

Këtë qasje të Ramush Haradinajt e ka kritikuar analisti politik, Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

“Kjo çfarë po vepron lideri i AAK-së Ramush Haradinaj në raport me qeverinë Hoti, shpërfaq anën e vërtetë të veprimit politik jo vetëm tani por edhe më parë të zotit Haradinaj. Shantazhi ka qenë dhe është një nga format më perfide të këtij njeriu për të mbijetuar në skenën politike. Andaj këtë tani po e aplikon edhe në raport me qeverinë Hoti, për ta shantazhuar partnerin e madh në koalicion LDK-në në mënyrë që kjo e fundit t’ia garanton postin e presidentit të vendit”, thotë analisti Haziri për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Haradinajt nuk i konvenon shkuarja në zgjedhje të reja.

“Në anën tjetër ministrat e AAK-së në qeverinë Hoti votojnë të gjitha vendimet e qeverisë dhe kjo tregon se kërcënimi i Haradinaj, se në rast që nuk i plotësohet kjo ambicie e tij do ta qojë vendin në zgjedhje, nuk është kërcenim real dhe vet Haradinaj po shfaqet si një “tigër prej letre”. Ai është i vetëdijshëm se shkuarja në zgjedhje nuk i garanton një përfaqësim më të mirë siç e ka tani as në kuvend e aq më pak në qeverinë e ardhshme”, shton Haziri.

Për fund, analisti Haziri ka thënë se Ramush Haradinaj nuk është njeriu i duhur për postin e presidentit të vendit.

“Andaj është mirë që Haradinaj të reflektoj dhe t’i ndërpresë këto forma zhantazhimi të qeverisë Hoti në këtë kohë kur vendin e presin procese jashtëzakonisht të rëndësishme qoftë në rrafshin e brendshëm por edhe atë të jashtëm dhe të filloj të pajtohet me faktin se ai nuk është njeriu I duhur për të qenë president i vendit dhe për këtë nuk gëzon përkrahje as nga qytetarët e vendit, por as nga partnerët tanë ndërkombëtar”, përfundon Haziri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat