Zgjedhje apo zgjidhje, çfarë do të ndodhë me koalicionin qeverisës!?

Politika

Zgjedhje apo zgjidhje, çfarë do të ndodhë me koalicionin qeverisës!?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 27 tetor 2020 Në ora: 07:59
Qeveria Hoti

Zgjedhjet do të jenë afër nëse qeveria Hoti nuk reflekton për të gjetur kompromisin me partner te koalicionit fillimisht, e pastaj edhe për tema të mëdha edhe me opozitën.

Kështu kanë vlerësuar analistët politik ku sipas tyre, dështimet dhe skandalet e qeverisë Hoti janë moment i mirë për partitë opozitare, që të përfitojnë politikisht në terren duke paraqitur vizionin e tyre për qeverisjen ndryshe. 

Ahmeti: Kjo qeveri nuk është për të qeverisur, por për të vazhduar krimin

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti politik Hidajet Ahmeti ka thënë se logjika qeverisëse e këtij koalicioni të panatyrshëm, dita e ditës po i jep shenjat e para të qarjes së këtij koalicioni të brishtë qeverisës. 

“Gjykoj se kjo qeveri nuk është për të qeverisur, por për të vazhduar krimin, korrupsionin e kapjen e mekanizmave shtetëror. Faktikisht, koalicioni qeverisës ishte në krizë që në hapat e parë të kësaj qeverie, pasi votat e Listës serbe ishin determinues në formimin e kësaj qeverie, por edhe mbajtjen gjallë të kësaj qeverie. Realisht, kjo krizë do të vazhdoj të thellohet në kontinuitet, pasi konfrontimet konceptuale shpërfaqën në vazhdimësi nga zyrtarët dhe deputetët e partive politike të koalicionit qeverisës”, ka thënë analisti Ahmeti.

Sipas tij, PDK-ja nuk po mund të ambientohet me fuqinë politike reale që ka , e që po detyrohet të përgatisë terrenin për zgjedhjet e ardhshme. 

“Momentalisht, PDK-ja dhe partitë tjerë, përveç VV-së nuk janë të përgatitura për zgjedhje dhe me çdo kusht mundohen t’ia zgjasin jetën kësaj qeverie “jo legjitime”. Të gjitha partitë politike, përveç VV-së janë të vetëdijshme për zbehjen e fuqisë së tyre politike, dhe në heshtje po vazhdojnë të mbështesin veprimet e dëmshme të këtij koalicioni qeverisës. Jetëgjatësia e koalicionit edhe në të ardhmen do të varet nga gatishmëria PDK-së për të shkuar në zgjedhje”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmet.

Zgjedhjet do të jenë afër, nëse qeveria Hoti nuk reflekton

Image
Shemsi Jashari

Ndërsa analisti politik Shemsi Jashari ka thënë se si Lëvizja Vetëvendosje me prezantime tek aderimeve të reja, si Partia Demokratike me vizitat në biznese e ferma fermerësh janë indikatorë se zgjedhjet nuk janë larg ose mund të jenë shumë afër.

Sipas tij zgjedhjet do të jenë afër nëse qeveria Hoti nuk reflekton për të gjetur kompromisin me partner te koalicionit fillimisht, e pastaj edhe për tema të mëdha edhe me opozitën.

“Hoti nuk mund të sillet sikur e ka shumicën prej 80 votash dhe ta injoroj opozitën deri në masën sa i të detyrojë opozitën ta bllokoj edhe për temat ku vota e opozitës është kusht. Zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të ndodhin nga dy faktor,  vetë rrëzimi nga partnerët e koalicionit për shkak te mosmarrëveshjeve për poste e dominim, dhe për shkak te mos dakordimit për emër të Presidentit  që është bukur vështirë të ketë dakordim të lehtë. Kur flasim  për zgjedhje një rol në këtë temë do ta ketë edhe veprimi i Gjykatës Speciale për aktakuzat e presidentit Thaçi e kryetarit Veseli. Rrjedha  e proceseve do të ndikohet shumë nga veprimet e gjykatës speciale e cila ka rënduar edhe më shumë skenën politike në Kosovë është ashtu të rëndë”.

Elezaj: PDK-ja gjendet para një hendikepi të madh politik

Image
Rexhep Elezaj

Kurse analisti politik Rexhep Elezaj ka thënë se të gjitha lëvizjet, aktivitetet e brendshme partiake, vizitat nëpër komuna si dhe tubimet me anëtarësinë, jo vetëm të LVV-je dhe PDK-së, por edhe partitë tjera po e bëjnë të njëjtën gjë.

Sipas tij, kjo flet se partitë politike, të vogla dhe të mëdha, janë të vetëdijshme se gjendja aktuale politike dhe ekonomike në Kosovë është mjaftë e brishtë. 

“Prandaj, sikur i kanë shpeshtuar aktivitetet e tyre në teren me qëllim që me kohë ta fillojnë fushatën parazgjedhore, qoftë duke pranuar anëtarë të ri, qoftë duke biseduar me votuesit e vet, ngase e kanë të qartë se vendi patjetër duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme për shumë arsye, por para se gjithash, që ta verifikojë legjitimitetin e tyre tek elektorati. Besoj se të gjitha subjektet politike janë bindur se që nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019 skena politike në Kosovë kurrsesi nuk po mund të stabilizohet, madje ajo ishte mjaft e acaruar pas rrëzimit arbitrar të qeverisë “Kurti” si dhe formimit të qeverisë nga LDK-ja në krye me Avdullah Hotin, kryeministër, që si parti e dytë sipas Kushtetutës nuk kishte të drejt të formonte qeverinë tjetër”, ka thënë Elezaj.

Ai konsideron se Gjykata Kushtetuese mori vendim në favor të kërkesës së presidentit H. Thaçi dhe kreut të LDK-së, Isa Mustafa, të cilëve iu mundësoi formimin e qeverisë “Hoti”, duke e shkelur Nenin 82, Pika 5 e Kushtetutës e cila aktualisht edhe po qeverisë mjaft dobët me vendin.

“LVV-je dhe PDK-ja, duket qartë se janë më aktive në teren se sa partitë tjera, kuptohet secila nga pozita dhe shkaqe krejtësisht të ndryshme, pra LVV-je, sipas shumë sondazheve fitoren e ka të sigurt kurdo që zgjedhjet do të mbahen, por që dëshiron sa më shumë ta rris elektoratin e saj, ndërsa PDK-ja, ngase liderit të saj, K. Veselit, nga Gjykata speciale për Kosovën në Hagë i ka ngritur aktakuzë të rënd dhe e cila i është bërë publike me 24 qershor, fakt ky që këtë subjekt partiak e ka vënë në një situatë mjaft të rënd. Prandaj nga frika se do t’i konfirmohet aktakuza, K. Veseli është detyruar që të kontaktojë çdo ditë me elektoratin, me qëllim që t’i inkurajojë ata t’i qëndrojnë besnik “idealeve” dhe Programit të partisë të cilën e kanë mbështetur deri më tash”, ka thënë Elezaj.

Ai tutje ka shtuar se duhet pranuar se PDK-ja gjendet para një hendikepi të madh politik, sidomos nëse kryetarit të saj i konfirmohet aktakuza, gjë që pa dyshim, se kjo do shkakton krizë të brendshme partiake, edhe për shkakun, sepse lidershipi i kësaj partie nuk e ka caktuar se cila nga figurat e saj do ta merrte udhëheqjen e partisë, në rast se Veselit i konfirmohet aktakuza.

“Kur është fjala për LVV-je dhe liderin e saj Albin Kurti, jam shumë i sigurt, se në zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme kjo parti dhe lideri i saj do i fitojnë bindshëm ato, mbase edhe sipas sondazhit të fundit pritet që të fiton mbi 47%-ind të votave, gjë që këtë parti do ta kthente bindshëm në vendin e parë në skenën politike në Kosovë, të cilin vend me shumë hile ia rrënoi Isa Mustafa me klanin e tij, duke dalë nga koalicioni bashkë-qeverisës dhe më pas duke iniciuar mocionin për rrëzimin e qeverisë “Kurti””, ka thënë Elezaj.

Sipas tij, secili qytetarë i Kosovës është bindur se koalicioni aktual qeverisës, LDK-AAK-NISMA, përveç se nuk i ka numrat e mjaftuar në Kuvend, nuk është duke qeverisur me sukses vendin, dhe se ky koalicion, ka kohë që është në krizë, por të cilin po e mbajnë artificialisht në këmbë dy partnerët tjerë për interesa puro personale. 

“Kështu që duke mos i numëruar dështimet e shumta të qeverisë “Hoti”, sidomos në planin e zhvillimit ekonomik të Kosovës, skandalet e shumta si dhe vjedhjen e fundit të 2 milion eurove nga Thesari i shtetit, shuarjen e “Task-forcës” kundër korrupsionit, etj., nuk ka më asnjë dilemë se vendi ynë në pranverën e vitit të ardhshëm do shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, e që sipas mendimit tim, do jetë zgjidhja më fatlume e shumë problemeve të grumbulluara në jetën e qytetarëve si dhe të vendit, fund e krye për shkak të keqqeverisjes dhe interesave personale dhe klanore të partive në pushtet”, ka thënë analisti Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat