Zgjedhjet e reja, ky është parashikimi i analistëve

Politika

Zgjedhjet e reja, ky është parashikimi i analistëve

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 27 tetor 2020 Në ora: 16:53
Ilustrim

Që nga formimi i qeverisë Hoti në krye me Avdullah Hotin, është kërkuar nga opozita shkarkimi dhe rrëzimi dhe i kësaj qeverie dhe shkuarja në zgjedhje të reja. Madje edhe tash, pas disa muajsh po kërkohet mbajtja e zgjedhjeve të reja, duke u përmendur edhe një krizë në koalicionin qeverisës.

Partitë politike madje kanë filluar edhe diskutimet për koalicionet dhe vijat e kuqe për partitë politike. Kështu, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa thotë se hequr vijat e kuqe edhe për PDK-në.

Kosova po i paguan shtrenjtë punët e këqija të partive politike

Njohësit e heshtjeve politike në vend kanë folur për koalicionet e mundshme parazgjedhore dhe heqjen e vijave të kuqe për partitë politike.

Kështu, Skender Zogaj thotë se Kosova po i paguan shtrenjtë dhe do t'i vuaj për një kohë të gjatë pasojat e punëve të këqija të partive politike, që i kanë bërë edhe me ndihmën e grupeve të ndryshme të interesit nga radhët e qytetarëve, të cilët për qëllime përfitimi kanë abuzuar duke bredhur nga partia në pari dhe duke përkrahur brenda tyre krimin dhe korrupsionin e organizuar.

Image
Skender Zogaj

“Pra janë bërë pjesë e krimit dhe e kanë shty Kosovën kah gremina dhe ngulfatja! Kjo logjikë po vazhdon të thellohet sepse, qytetarët e Kosovës në vend se të kthjellen, të gjykojnë dhe të angazhohen për tejkalimin e gjendjes së krijuar,  po agresivisht po shpërfytyrohen duke u bërë pjesë e fushatave dhe thashethemeve me intriga të bujshme që po ua servirin kapot e krimit dhe korrupsionit, me qëllim që ta forcojnë kaosin dhe të mbijetojnë! I madh e i vogël në Kosovë sot merret me politikën, jo vetëm me këtë kosovare, por edhe me atë  botërore”, vlerëson Zogaj për “Bota sot”.

Ai thotë më tutje se zgjedhjet e reja do të sjellin vetëm thellim të së keqës. Por sipas tij, nëse vendi shkon në zgjedhje në afat të shkurtër, partitë duhet të garojnë secila e vetme.

“Me një kësi situate, zgjedhjet në Kosovë nuk sjellin asgjë të re, pos thellim të së keqes! Prandaj, nëse brenda një afati të shkurtër kohor shkohet në zgjedhje të reja, do të kishte qenë mirë që partitë politike të mos e bëjnë asnjë koalicion parazgjedhor, por të shkojnë të vetme! Kjo nuk sjellë asgjë të hajrit për Kosovën, por, do të ishte rast i mirë i njohjes reale të përcaktimit të zgjedhësve pa kalkulimet e partive! Kjo do ta kthente rolin elektoratit, që të zgjedh dhe pastaj ta kërkojë fajin te vetvetja, për verdiktin e dhënë”, thekson ai.

Zogaj thotë se sa i përket vijave të kuqe, ato janë lojē politike, pa asnjë lloj obligimi, sepse vendosen dhe hiqen  sa herë që i konvenon një partie politike.

“Vijat e kuqe bëhen me shkumës dhe fshihen në çast, kurdo që i konvenon subjektit politik. Prandaj, vija"t e kuqe janë metafora që kanë kuptimin e tripikëshit në lojën artistike të politikës! Elektorati nuk ka pse merret me vijat e kuqe, por duhet ta kthjell koshiencën dhe, nëse zgjedhjet bëhen shpejt, të votojë për të keqen më të vogël, sepse e mira e madhe tash për tash nuk ekziston”, thekson analisti Zogaj.

Mehmeti: VV do të shkojë e vetme në zgjedhje

Ndërkaq, Faton Mehmeti, njohës i çështjeve politike thotë se ndonëse është herët të flitet për një situatë të tillë, ai jep një parashikim për koalicionet e mundshme parazgjedhore.

Image
Faton Mehmeti

“Është akoma hertë të flitet për këtë, megjithatë është e sigurtë se VV do të shkoj vetëm, ka mundësi që PDK-AAK të shkojnë bashkë, ndërsa LDK me ndonjë nga partitë e vogla. Momentalisht kështu janë gjërat, me zgjedhjet që pritet të mbahen më së largu në mars të vitit të ardhshëm, nëse presidenti e mbaron mandatin sipas Kushtetuttës, dhe nuk ka konfirmim nga Gjykata Speciale”, thekson Mehmeti.

Ai thotë më tutje se zgjedhjet janë të pashmangshme, ndërsa koalicionet do të jenë të ndikuara nga Gjykata Speciale.

“Zgjedhjet janë të pashmangshme, kjo qeveri nuk ka mundësi të vazhdoj gjatë, shto kësaj edhe ҫështjen e Presidentit, kështu që koalicioni mes AAK dhe PDK do të bëhet për të ruajtur anëtarësinë, si pasojë e arrestimeve të krerëve të partive të dala nga lufta. Është fatkeqësi që asnjë qeveri s’po arrin të qoj deri në fund mandatin, e kjo sjell destabilitet të madh, duke i shkaktuar vendit dëme të mëdha. Koalicionet do të jenë të ndikuara nga Gjykata Speciale”, vlerëson Mehmeti.

Duhanaj kritikon VV-në

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj thotë se ‘kur kemi të bëjmë me proceset zgjedhore në Kosovë, duhet thënë se subjektet politike kanë bërë aq shumë "shkencë" hulumtuese, sa po ta bënin ketë punë dhe angazhim për punë në shërbim të kombit, hajrin kishim me ua pa’.

Image
Leon Duhanaj

“Në radhë të parë, kemi prodhuar aq shumë zgjedhje sa që i tejkalon edhe pritshmëritë me disfatiste që mund t'i ketë njeriu. Kjo jo vetëm për faktin që çdo proces zgjedhor, sjellë me vete edhe shumë kosto financiare, por edhe  dhe me shumë për faktin  se, zgjedhjet po prodhojnë me shumë kriza se sa zgjidhje”, vlerëson Duhanaj.

Tutje, ai ka folur në detaje edhe pse ka ardhur një situatë e tillë në vend, për shkak të raporteve politike të pasluftës.

“Për mendimin tim, pas relaksimit të raporteve politike të pasluftës, pati filluar një normalizim i marrëdhënieve ndërpartiake, si dhe një qasje konstruktive në raportet  ndërpartiake dhe pozitë-opozitë. Kjo idile, u prish me hyrjen e LVV-je në sistemin politik institucional të Kosovës. Kjo lëvizje, filloj me një diskurs agresiv, me një model të mosdurimit dhe mosbashkëpunimit, me shpalljen e vijave të kuqe për subjektet tjetra. Në fillim kur fuqia e saj ishte minore dhd nuk shihte gjasa për qeverisje, vijat e kuqe ishin për të gjithë, për t'i ndryshuar me pastaj simbas interesave të momentit”, thekson ai.

Duhanaj thotë poashtu se fatkeqësia edhe me e madhe qëndron tek fakti se, në vend që LVV-je të edukohej politikisht dhe, t'i nënshtrohej sistemit kushtetues, ndodhin e kundërta. Partitë tjera politike,  njëherë e injoruar ketë qasje si problem, për ta importuar me  pastaj edhe si metodë, gjë që që nga 2014 e këndej, pas çdo procesi zgjedhorë, në vend që të kemi zgjidhje të reja, kemi bllokada dhe luftëra absurde për pushtet.

“Megjithatë, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka ndikuar në qartësimin e situatës, ku asnjë parti qoftë e para, apo e fundit në zgjedhje, të mos ketë mundësinë e bllokimit të situatës. Edhe vijat e kuqe, sipas deklaratave të zyrtarëve politik janë hequr,  gjë që nënkupton se projeksionet e mundshme ndërpartiake të jenë të hapura. Edhe VV, tani me nuk ka pretendime të tilla pos që do të duhet të dëshmoj aftësi bashkëpunuese me të tjerët gjë që nuk arriti ta bëj me LDK-në. Në këtë kontekst, shoh një normalizim të situatës në Kosovë dhe se zgjedhjet e radhës do të mund të prodhonin kombinime të reja në politikën kosovare. Megjithatë mendoj që Kosova ka nevojë për zgjidhje,  e jo për zgjedhje të reja. Zgjidhje nënkuptoj që të kemi unitet kombëtarë rreth temave bosht që sot përballemi me to, e që janë të rëndësisë vendimtare”, thotë analisti Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat