Zhurma e madhe për Asociacionin, juristi tregon se cila është tema më e rëndësishme që duhet të diskutohet në Bruksel

Politika

Zhurma e madhe për Asociacionin, juristi tregon se cila është tema më e rëndësishme që duhet të diskutohet në Bruksel

Nga: G.B Më: 27 tetor 2020 Në ora: 18:13
Ilustrim

Shumë zhurmë u bë lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për të cilën Serbia tha se do të diskutohet në dialogun në Bruksel.

Ndërsa, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se Asociacioni duhet të formohet pasi Kosova është zotuar për këtë dhe nëse duhet, të ndryshohet edhe Kushtetuta e Kosovës.

E tani, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano ka konfirmuar se të enjten do të takohen Kosova dhe Serbia në Bruksel në nivelin e ekspertëve, ku do të takohen Skender Hyseni dhe Marko Gjuriq.

Stano tha se në takimin e së enjtes nuk do të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Lidhur me këtë, profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se barazia në mes të dy shteteve nuk varet nga një takim, por nga temat që diskutohen , duke shtuar se Asociacioni nuk është temë e ngutshme.

Image
Muhamet Kelmendi

“Barabarësia nuk varet nga një takim, por nga temat që paraqiten dhe trajtimi që i bëhet shtetit nga ana e këtij Unioni. Natyrisht se këtej e ka në dorë edhe vet Kosova. Përfaqësuesit e Republikës kërkohet të paraqesin temat që duhet domosdoshmërish të shqyrtohen. Nuk është temë e ngutshme Asociacioni. Minoriteti serb në Kosovë është në gjendje shumë të mirë dhe i mbrojtur. Ai gëzon të drejta dhe liri shumë me gjëra se vet shumica shqiptare. Kudo i kanë vendet e garantuara dhe motivohen me forca të KFOR-it”, është shprehur ai.

Sipas Kelmendit, temë e ngutshme është paqja dhe zgjidhja e problemeve ekzistuese, Kosova nuk njihet nga Serbia, duke shtuar se në dialog duhet të paraqiten temat domethënëse dhe jo shkatërrimtare serbe.

“Temë e ngutshme është paqja dhe zgjidhja e problemeve ekzistuese. Ne jemi në mijëra vetë ende të mbytur dhe të varrosur nëpër Serbi. Shteti i ynë nuk njihet nga Serbia. Dëmet shkojnë në 30 miliardë euro. Kemi shumë fonde të grabitura dhe një pakicë nacionale shqiptare në Kosovën Lindore pa të drejta. Këto janë temat e diskutimit. Ndërsa, ikja nga kërkesa serbomadhe për shtetin serb në Kosovë, vjen kryesisht nga RF e Gjermanisë dhe e SHBA-ve. Ato nuk janë të interesuara për këtë, por për njohje dhe hapjen e perspektivës për integrim në UE. Por, pavarësisht kësaj, në dialog duhet t’i paraqesim temat domethënëse. Ato shpien nga paqja. Jo temat shkatërrimtare serbe”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat