Zhvillimet dramatike – ja shteti që po e bllokon aktakuzën e Speciales ndaj Thaçit, ky është skenari...

Politika

Zhvillimet dramatike – ja shteti që po e bllokon aktakuzën e Speciales ndaj Thaçit, ky është skenari...

Nga: P.R Më: 27 tetor 2020 Në ora: 19:34
Hashim Thaçi

Gjykata Speciale ende nuk e ka bërë të ditur vendimin e saj për propozim aktakuzën ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, ani pse 24 tetori ishte dita e fundit kur duhej të merrej vendimi përfundimtar.

Por në bazë të rregullave të Speciales, një aktakuzë e konfirmuar mund edhe të mos bëhet publike.

Në një përgjigje për gazetë “Bota sot”, Specialja ka njoftuar se aktakuza mund të mbetet e pa publikuar, edhe nëse është e konfirmuar, deri në vendimin e gjyqtarit të procedurës.

“Në qoftë se dhe derisa një aktakuzë të bëhet publike, ajo mbetet konfidenciale, së bashku me procedurat në lidhje me rishikimin e saj. Rregulla 88 parashikon që gjyqtari i procedurës paraprake mund të urdhërojë mos zbulimin e përkohshëm të një aktakuze të konfirmuar për arsye sigurie ose për të shmangur ndërprerjet në procedurë. Në çdo rast, një aktakuzë e konfirmuar do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja fillestare e të Akuzuarit para Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Speciales dhënë gazetës “Bota sot”.

Por pse deri më tani nuk është publikuar vendimi për propozim aktakuzën ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit?

Lidhur me këtë, për “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë duket se është në vështirësi dhe nën presion politik. Pasi prokurori special bëri publik në mënyrë të pazakontë akt-akuzën ndaj zotit Thaçi dhe zotit Veseli gjykata duhej që të shpallte vendimin e saj për marrje ose jo nën akuzë të këtyre deri të premten e kaluar. Në vend të shpalljes së një vendimi të tillë ajo ka dhënë shpjegime proçudoriale, të cilat janë në një rutinë në punën e saj. Nuk ka thënë asgjë, nga ato çfarë kërkon opinioni publik në Kosovë. Por në memorien e qytetarëve të Kosovës e më gjerë nuk do të mbetet vetëm akt-akuza, por edhe qortimi i fortë për atë se “Thaçi dhe Veseli po manipulojnë procesin dhe po punojnë kundër Gjykatës Speciale në Hagë”! Qoftë dhe për akuzën e dytë logjikisht nuk besohet që presidenti i Kosovës dhe kreu i PDK-së t’i shpëtojnë kësaj gjykate. Ndërkaq një akuzë, për të cilën i akuzuari kryesor u mbajt në hetim 4 ditë radhazi, është vështirë të rifutet në sirtarin e ndonjë gjykate, edhe në vendet e Afrikës qoftë ajo”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, kjo situatë në të cilën thuhet se Gjykata mund të publikojë akuzën në momentin kur thërret të akuzuarin, duket se për momentin favorizon Thaçin.

“Por edhe presupozon se vendimi i marrë ka është për vazhdimin e hetimeve ndaj tyre në një moment të përshtatshëm. Kjo është e panjohura. Kur do të kemi të bëjmë me momentin e përshtatshëm të dhënë?! Dhe a nënkupton kjo ndikimin e rrethanave politike dhe konjukturës së saj në mospublikimin e akt-akuzës sipas vendimit të gjykatës?!”, thekson Bytyçi.

Më tej, profesor Bytyçi shton se Gjykata Speciale është nën presion.

“Besoj se Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë është nën presion politik të aktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë. Dihet tashmë se aktorët ndërkombëtarë kanë interesa, vizione, koncepte, projekte jo të njëjta në Kosovë. Kjo do të thotë se ata punojnë me njerëz dhe grupe të caktuara për implementimin e ideve dhe projekteve që kanë. Dikush ka interes që Hashim Thaçi të vazhdojë të mbetet në skenën politike të Kosovës, me qëllim realizimin e projekteve që duhet ai t’i zbatojë. Mundet që për këtë të jenë të interesuar qarqe dhe aktorë në Perëndim, por edhe unë besoj se prej kohës kur Thaçi iu bashkua projektit Rama-Vuçiç për ndarjen e Kosovës, presidenti Thaçi është aset, aktor dhe koordinator i projektit serb dhe rus të shkëmbimit të kufijve”.

“Ky projekt në kushtet e sotme ka marrë një trajtë tjetër dhe Thaçi është porositur që të ndërrojë taktikë për realizimin e tij. Nuk e lejojnë më të shpallë hapur qëndrimet e veta të vërteta, siç bëri në gusht 2018 në Alpach të Austrisë. Pikërisht ky rrjet, i cili dikur ishte investuar për ngritjen e gjykatës dhe dënimin e Thaçit, pas vitit 2017 ka marrë pozicion të kundërt. Ndoshta për këtë arsye Gjykata është ndodhur e tradhtuar, sepse sponsori kryesor i gjykatës, Beogradi dhe Moska, nuk e ndihmuan atë me materialet që kishin në dorë për të ngrit akuza ndaj zotit Thaçi. Me këtë që them, kam parasysh sidomos vrasjet e shqiptarëve, jo të serbëve, sepse serbët janë vrarë nga vetë ushtria e policia serbe, me qëllim që të akuzohen shqiptarët!”, deklaron profesor Bytyçi.

Profesor Bytyçi shton se Franca është përfshirë në këtë presion ndaj Gjykatës Speciale

“Nga gjithçka që thashë, mendoj se dikush, ndonjë vend me potencial ndërkombëtar, madje në Evropë e në BE, ka aq fuqi sa të bllokojë përkohësisht akuzën dhe veprimtarinë e Gjykatës. Mund të jem i gabuar, por unë dyshoj se Franca është përfshirë në këtë presion ndaj Gjykatës Speciale. Parisi zyrtar mban qëndrim pro-serb e pro-rus. Nëse Macronin e shohim në krah të Merkelit edhe në iniciativat për Kosovën, ne asnjëherë nuk morëm vesh, nëse ata të dy janë apo nuk janë të të njëjtit mendim për zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Por mund të ndikojnë edhe qarqe të caktuara brenda administratave shtetërore të ndonjë ose disa vendeve të tjera. Një ngjarje madhore janë zgjedhjet e tre nëntorit në SHBA. Gjithmonë në prag të evventeve të tilla politike shfaqen hezitime. Ndoshta kjo ka ndikuar që Gjykata ta marrë vendimin për Zotin Thaçi dhe zotin Veseli, por për arsye të mos ndikimit në konjukturën politike të zgjedhjeve në SHBA të mos e publikojë. Aq më tepër kur administrata e presidentit Trump është involvuar drejtpërdrejt në Kosovë. Nga kjo që thashë më lart del përfundimi se së paku deri në nëntorin e ardhshëm nuk do të pritet të thërritet zoti Thaçi apo zoti Veseli në Hagë, me qëllim hetimi të mëtejshëm, sipas vendimit që supozohet ta ketë marrë tashmë gjykata”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat