Shkarkimi i Rashit Qalajt, pse Agim Veliu nuk po i përgjigjet ftesës së Komisionit Parlamentar? Analisti jep një shpjegim

Politika

Shkarkimi i Rashit Qalajt, pse Agim Veliu nuk po i përgjigjet ftesës së Komisionit Parlamentar? Analisti jep një shpjegim

Nga: A.Morina Më: 28 tetor 2020 Në ora: 14:14
Agim Veliu dhe Rashit Qalaj

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, as dje nuk i është përgjigjur ftesës së Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes për të raportuar në lidhje me shkarkimin e ish-drejtorit të policisë Rashit Qalajt si edhe shuarjen e Task Forcës Speciale AntiKorrupsion.

Këtë e konfirmoi edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Fatmire Kollçaku.

“Në vazhdën e reagimit nga zyra e ministrit që për dy data të mundshme këtë javë përsëri kemi marrë përgjigje nga ministri se nuk mundet në këto data me qenë pjesë e komisioni dhe nuk ka treguar ose prezantuar një datë të mundshme që ai të raportonte në komision”, tha Kollçaku.

Lidhur me hezitimin dhe shmangien ndaj raportimeve para komisioneve parlamentare, ne një prononcim për gazetë “Bota sot” foli edhe njohësi i çështjeve politike, Luan Duhanaj. Duhanaj deklaroi se praktika e shmangieve ndaj komisioneve parlamentare nuk janë të reja dhe nuk fillojnë vetëm me ministrin Veliu.

“Praktikat e shmangies së raportimeve të përfaqësuesve qeveritarë para komisioneve parlamentare, nuk janë të reja dhe nuk fillojnë me ministrin Veliu. Për mendimin tim, arsyet pse gjëra të tilla ndodhin janë të shumta, por kryesorja është politizimi, antagonizmat deri në armiqësi në mes subjekteve politike”, tha ai.

Duhanaj ndër të tjera, përmendi edhe arsyet pse ministrant po ftohen për të raportuar para komisioneve, e që sipas tij kjo ndodh për inate politike.

“Si pasojë e kësaj, jo rrallë për të mos thënë çdoherë, ftohen ministrat për të raportuar para komisioneve me qëllim të shlyerjes se agjendave , apo edhe për inate. Për rastin konkret, natyrisht që arsyeja e ftesës për raport është e plotë, pasi që kanë ndodhur disa, përkatësisht shkarkime, për të cilat opinioni duhet të informohet drejtë”, nënvizoi ai, përcjell "Bota sot".

Për fund, Duhanaj u shpreh se nuk ka një arsye se pse Veliu po heziton të raportoj, por që sipas tij herët a vonë duhet të jap llogari për zhvillimin e ngjarjeve aktuale.

“Nuk e di arsyen pse ministri Veliu, të ketë nevojë ta prolongoj raportimin por që duhet ta bëj herët a vonë, dhe të sqarohen rrjedhat e zhvillimeve dhe arsyet e shkarkimeve është më se reale dhe e domosdoshme”, përfundoi ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat