Serbia të kërkojë falje për gjenocidin që ka kryer në Kosovë

Politika

Serbia të kërkojë falje për gjenocidin që ka kryer në Kosovë

Nga: M.H Më: 28 tetor 2020 Në ora: 16:24
Foto ilustrim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka vazhduar tubimet zgjedhore para zgjedhjeve presidenciale. Mbrëmjen e kaluar, ai ishte në Nebraska dhe gjatë fjalimit nuk harroi që përsëri të mburrej me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington në shtator mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se i kanë ndaluar 400 vjet vrasje mes tyre.

Sikur të mos mjaftonte me kaq Trump përmendi që Kosova dhe Serbia kanë luftuar për një kohë të gjatë dhe se me ndihmën e tij dy muaj më parë ata janë përqafuar dhe puthur shumë lehtë.

“Ata kanë luftuar për 40 vjet. Unë mendoj se ata kanë luftuar për 400 vjet, a doni ta dini, por ata kanë qenë duke luftuar për një kohë të gjatë. Ata duan të bëjnë një marrëveshje. Krejt papritmas, dy muaj më parë, ata ishin në Zyrën Ovale, duke u përqafuar e duke u puthur, ishte e lehte”, deklaroi në fund Trumpi.

Në lidhje me këtë temë njohësi i çështjeve politike, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që deklarata e Trumpit është shfrytëzuar për të i treguar presidentit aktual për sukseset e tij për të i zgjedhur problemet, gjithashtu edhe për të fituar votat në SHBA. Kelmendi shprehët që askush nuk mund të i ndalojë dy liderë nëse përqafohen ose puthen por që nuk ka gjë konkrete në lidhje me zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

Image
Muhamet Kelmendi

“Deklarata e z.Trump është bërë dhe po shfrytëzohet për të i treguar Presidentit aktual sukseset në zgjidhjen e problemeve, si bazë për të fituar votat në SHBA. Për nga temat e përcaktuara dhe të futura në marrëveshje nuk ka gjë konkrete në afrimin dhe në zgjidhjen e konflikteve në mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse janë përqafuar dy përfaqësuesit, Hoti me kriminelin Vuçiq, u qoftë përhajr dashuria. Askush dhe askënd nuk mund të ndali nga dashuria”, u shpreh Kelmendi.

Në fund Kelmendi thotë që raportet mes dy shteteve janë të rënda dhe se shteti i Serbisë ka shumë borxhe Kosovës dhe asnjëherë nuk ka kërkuar falje për gjenocidin që ka bërë ndaj shqiptarëve e që do të duhej ta bënte.

“Raportet midis Kosovës dhe Serbisë janë të rënda. Serbia nuk e njeh Kosovën. Ky shtet i ka borxhe të luftës nga dëmet e bëra rreth 30 miliardë euro. Ende gjinden rreth 1600 veta në varret masive në Serbi. Askush nuk është përgjigjur për gjenocidin e bërë mbi popullin shqiptar. Kurrë njëherë nuk është kërkuar ndjesë për gjenocide. I kemi mbi 20 mijë femra shqiptare të përdhunuara dhe nuk ka përgjegjësi. Këto janë fakte që tregojnë raportet midis shqiptarëve dhe shtetit serb. Nuk ka më keqe se kaq”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat