Takimi Kosovë-Serbi në Bruksel, kjo është sfida për arritjen e marrëveshjes finale

Politika

Takimi Kosovë-Serbi në Bruksel, kjo është sfida për arritjen e marrëveshjes finale

Nga: G.B Më: 28 tetor 2020 Në ora: 17:50
Ilustrim

Nesër në Bruksel do të mbahet takimi në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut.

Takimi do të bëhet në mes të Koordinatorit Shtetëror Skender Hyseni dhe Marko Gjuriq.

Në takim do të diskutohet për zgjidhjen e pretendimeve financiare dhe çështjet e pronës mes Kosovës dhe Serbisë.

Image
Violeta Haxholli

Tema e Asociacionit nuk do të jetë pjesë e diskutimeve, pavarësisht kërkesës së Serbisë që të ndodhë një gjë e tillë dhe deklaratave të Miroslav Lajçak se Asociacioni duhet të formohet nga Kosova dhe duhet të ndryshohet edhe Kushtetuta nëse është e nevojshme.

E këtë, Violeta Haxholli nga KDI e quan tregues pozitiv, që Serbia ka pranuar të vazhdojë dialogun pa Asociacionin, por shton se kjo nuk do të thotë që nuk do ta kërkojë sërish atë.

“Po fakti që Serbia ka pranuar të vazhdojë dialogun edhe pse kërkesa e saj lidhur me Asociacionin nuk është përmbushur është një tregues pozitiv. Aktualisht do të thotë që pala serbe ka lëvizur nga pozicioni i saj por kjo nuk do të thotë që ajo nuk do të kërkojë sërish që Asociacioni të diskutohet”, është shprehur ajo.

Sipas Haxhollit, mund të ketë edhe raste tjera kur mund të bllokohet dialogu, për shkak të kërkesave të palëve, andaj arritja e një marrëveshje finale do të jetë sfidë.

“Gjatë kësaj faze të dialogut mund të ketë edhe raste tjera kur dialogu mund të bllokohet për shkak të kërkesave të ndryshme të palëve, gjë që tregon se sa arritja e një marrëveshje finale mes dy shteteve do të jetë sfidë”, ka deklaruar Violeta Haxholli për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat