VV e vetme, askush s’e përkrah në rrëzimin e Qeverisë

Politika

VV e vetme, askush s’e përkrah në rrëzimin e Qeverisë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 28 tetor 2020 Në ora: 18:12
Avdullah Hoti dhe Albin Kurti

Çështja e mbledhjes së votave për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti, ka nisur të përflitet nga Lëvizja Vetëvendosje muaj më parë.

Mirëpo, mesa duket Vetëvendosjes plani nuk po i shkon sipas parashikimeve të tyre.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në fillim të muajit gusht në Kuvendin e Kosovës deklaroi se partia të cilës i përket ai, do të nisë mbledhjen e nënshkrimeve për mocion të mosbesimit ndaj qeverisë së drejtuar nga kryeministri, Avdullah Hoti.

Lidhur me këtë iniciativë, VV-ja i kishte njoftuar edhe partitë tjera parlamentare, atë opozitare Partinë Demokratike e Kosovës (PDK), dhe partitë në pushtet, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, si dhe Grupin Parlamentar 6 plus.

Por, siç po shihet thirrja e Vetëvendosjes, ka rastisur në “vesh të shurdhur” dhe kjo e shtyu deputeten e VV-së, Albulena Haxhiu para pak ditëve që të kërkoj prapë mbështetje për mocionin e mosbesimit.

Gjithë këto kërkesa dhe lutje të partisë më të votuar në vend, nuk po mund të gjejnë përkrahje nga partitë në vend, e veçmas nga Partia Demokratike e Kosovës.

VV-ja mendon se qeveria aktuale është e paaftë për të qeverisur vendin, për të menaxhuar pandeminë, dhe se i mungon plani adekuat për rimëkëmbje ekonomike.

Për mbajtjen e seancës për shqyrtimin e mocionit të mosbesimit nevojiten 40 nënshkrime të deputetëve. VV-ja i ka 31 deputetë në grupin e saj parlamentar.

Murseli: AKR nuk do ta përkrah mocionin e Vetëvendosjes

Image
Naim Murseli

Naim Murseli, këshilltari i kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli në një prononcim për gazetën “Bota sot”, foli rreth mundësisë së krijimit të mocionit të mosbesimit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Murselit, Vetëvendosje nuk do të arrijë të ketë votat e mjaftueshme edhe pse ka muaj të tërë që synon mocionin ndaj Qeverisë Hoti.

“Po është e vërtet se Lëvizja Vetëvendosje ka disa muaj që flet për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti, por që nuk i ka votat dhe nuk do ti ketë”, deklaroi Murseli.

Ai ndër të tjera, tha se dështimi i mocionit vjen si pasojë e mungesës së seriozitetit dhe sinqeritetit nga partia e ish-kryeministrit Albin Kurti.

“Në mungesë të sinqeritetit dhe seriozitetit të çështjes., ajo do të mbetet vetëm një argument politik për të ushtruar presion opozitar mbi Qeverinë asgjë më shumë”, shtoi Murseli.

Ndërsa, për fund këshilltari i Behgjet Pacollit konfirmoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta ketë përkrahjen e Aleancës Kosova e Re.

“Aleanca Kosova e Re nuk do të përkrah një nismë të tillë të Lëvizjes Vetëvendosje”, përfundoi Murseli.

Mehazi: PDK shkaktare e stërgjatjes së mocionit

Image
Sulejman Mehazi

Lidhur me këtë temë, për gazetën “Bota sot” foli edhe profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi.

Mehazi ngecjen e mocionit të mosbesimit nuk ia adreson Vetëvendosjes, por partive të tjera në pushtet dhe opozitë, të cilat i quan parti mafioze dhe të korruptuara.

“Ngecja e mocionit për mosbesimin e Qeverisë Hoti nga ana e LVV-së është e shurdhshme ngase, partitë mafioze e të korruptuara janë bashkuar në një, në këtë qeveri e nuk lëvizin nga qëndrimet e forta e inatçore ndaj LVV-së”, deklaroi Mehazi.

Ai poashtu, shtoi se një mocion i tillë është shumë vështir i realizueshme, për shkak se e vetmja parti opozitare (PDK) po e luan rolin e partisë në pozitë, pasi vetëm formalisht është në opozitë.

“Ky mocion i LVV-së vështirë se mund të realizohet për shkak se ka mbetur e vetmja parti opozitare kundër gjithë klasës së korruptuar politike në Kosovë, edhe pse përjashtësisht e formalisht PDK-ja e Veselit luan rolin e opozitës, po brendësisht, fshehtësisht e nën hije kjo parti përkrahë këtë qeveri të Hotit e kurrsesi partinë opozitare të Kurtit”, tha Mehazi, përcjell “Bota sot”.

Ai e zbuloi edhe faktorin kryesor për këtë stërgjatje të mbledhjes së votave për mocionin e mosbesimit, e që sipas tij është Partia Demokratike e Kosovës e cila i frikësohet konkurrencës së VV-së, prandaj refuzojnë të bashkëpunojnë me të.

“Stërgjatja e mocionit pikërisht bëhet për shkak PDK-së e jo prej partive në pozitë. Për shkak frikës konkuruese ndaj LVV-së të Kurtit asnjëra prej partive tjera s'janë të gatshëm të bashkëpunojnë me LVV-në e cila ka përkrahje të madhe te popullata e Kosovës. Veseli, Isa, Haradinaj, Thaçi janë të vetëdijshëm se nëse prishet ky koalicion do shkohet në zgjedhje të parakohshme ku Vetëvendosja e Kurtit do jetë pa konkurencë përballë partive të kriminalizuara e të korruptuara, parti të cilat pas o do marrin fiaskon e humbjeve të benifecioneve shtetërore”, përfundoi Mehazi.

Me 3 qershor të këtij viti, ishte votuar Qeveria Hoti me 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa, qeveria e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje është rrëzuar më 25 mars përmes një mocioni të mosbesimit, të ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti me të cilën VV-ja kishte krijuar koalicion qeveritar. Në mesin e arsyeve për mocion, LDK-ja pati përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, mocioni i mosbesimit ndaj një qeverie mund të ngrihet me propozimin e një të tretës së deputetëve të parlamentit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat