Deklarata bombë kundër Thaçit: “Gjykata Speciale do ta akuzoj për vrasjen e Enver Malokut, Xhemail Mustafës dhe...”

Politika

Deklarata bombë kundër Thaçit: “Gjykata Speciale do ta akuzoj për vrasjen e Enver Malokut, Xhemail Mustafës dhe...”

Nga: N.Sh Më: 28 tetor 2020 Në ora: 18:25
Hashim Thaçi

Tashmë ka kaluar afati për konfirmimin ose hedhjen poshtë të aktakuzës kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit nga Gjykata Speciale.

E kjo ka bërë që Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë të jetë kryefjala e diskutimit të sotëm sidomos në Kosovë.

Kjo për arsye se njerëzit janë në udhëkryq, kanë humbur shpresën dhe për pasojë shpesh herë ndodh që zgjidhja të kërkohet nga një palë e tretë.

Profesor dr. Enver Bytyçi thotë se, në rastin konkret Gjykata Speciale më duket se shihet si valvul shpëtimi për Kosovën, me qëllim që ajo përmes saj të çlirohet nga kthetrat e një politike thellësisht të korruptuar dhe anti-shqiptare të Hashim Thaçit.

“Kjo do të thotë se lidershipi politik i Thaçit mbijeton në Kosovë përmes strukturave kriminale të veshura me pushtet. Kjo do të thotë se drejtësia në Kosovë nuk ka këllqe që ta çlirojë vendin e vet nga ketë struktura. Në këto kushte përsëritet ajo çfarë ka ndodhur jo fort larg në të kaluarën tonë, kur Kosovën e sundonte Milosheviçi. Atëherë sytë e shqiptarëve ishin drejtuar nga Zoti dhe Amerika. SHBA-të dhe NATO shiheshin si varka e shpëtimit prej dhunës e terrorit serb”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

 Ai shton se, tani kemi një situatë krejt tjetër, por edhe të ngjashme.

Image
Profesor dr. Enver Bytyçi

“Klanet politike në drejtimin e Klanit PRONTO kanë kapur gjithçka. Qytetarë të Kosovës janë ekzekutuar dhe ekzekutuesit nuk njihen. Përmes dhunës e terrorit të tillë struktura kriminale politike e kryesuar prej Hashim Thaçit ka marrë pushtetin dhe e ka sunduar Kosovën gjatë më shumë se një dekade. Shqiptarët, të depresuar nga kjo qeverisje e mbrapshtë prej kohësh duan të çlirohen nga kjo gjendje dramatike, sepse në vend të shtetit të së drejtës klani Thaçi vendosi diskriminimin, ushtroi dhunën partiake e personale, diferencoi njerëzit sipas pikëpamjeve politike dhe përkatësisë krahinore, vuri pasuritë kombëtare në duart e një oligarkie të lidhur ngushtë me strukturën e krimit politik dhe ekonomik, uzurpoi medien e lirë etj. Përveç masakrave, burgosjeve dhe terrorit fizik e psikologjik, në gjithçka tjetër regjimi i Hashimit ngjan me regjimin e Milosheviçit”, thekson tutje ai.

Profesori thekson se, Thaçi është bërë i fuqishëm.

“Ai është bërë aq i fuqishëm në djallëzinë e vet sa ndarjen e Kosovës e shet si zgjerim të territorit me Preshevën, diskreminimin politik e në punësime, borde etj e shet si ushtrim të së drejtës shtetërore, dhunën psikologjike e përçarjen politike e kombëtare e shet si ide brilante, miqësitë me lobet proserbe i proklamon si lidhje me miqtë e Kosovës, vrasjet politike i përcjell me përkujtime memorative dhe dekorime presidenciale etj. Ndaj njerëzit i veshin atij cilësi të pashpjegueshme, të cilat i lidhin me pamposhtmërinë e tij dhe mezi presin që këtë “herkulin” e pamposhtur modern të Kosovës ta heqë qafe Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë”, pohon ai.

Profesor Bytyçi thekson se, kjo gjendje është e mjerueshme.

“Shqiptarët duhet të kuptojnë se fuqia e tyre qëndron te njeriu i thjeshtë dhe i drejtë, te dituria, mençuria dhe urtësia. Duhet të kuptojnë dhe të mbështesin drejtësinë dhe idealizmin për të bërë shtetin vetë, pa pasur nevojë për Gjykatën Speciale apo aksesorë të tjerë në Bashkësinë Ndërkombëtare”, thotë profesori.

“Edhe mospublikimi i vendimit të Gjykatës për marrjen nën Hetim të presidentit të Kosovës i shërben pikërisht rritjes së kultit të tij. Dihet tashmë se enigma, e panjohura, është shkaku kryesor i frikës së njerëzve. Gjykata Ndërkombëtare, në vend që të zgjidh dilemën dhe të japë shembullin e vet të modelit evropian, po bën të njëjtën lojë, të cilën Hashim Thaçi e ka luajtur në aksionet e veta politike deri te përpjekjet e tij për tjetërsimin e territorit të Kosovës. Gjykata Speciale po i ndihmon Hashim Thaçit që me frikën e të panjohurës të shtojë presionin te dëshmitarët e krimeve të tij të supozuara. Në këtë situatë askush nuk ndjehet i qetë, sepse askush nuk beson se politikani intrigant Hashim Thaçi nuk do të përpiqet të dalë nga qarku i Gjykatës Speciale. Kjo gjë ngjall pakënaqësi, por edhe ankth e frikë. Sepse presidenti i vendit në vend të ushtrimit të detyrës së tij për harmoni dhe bashkim, ka mundur të shndërrohet në gogolin e Kosovës përmes përçarjes, ngatërresave dhe hakmarrjes”, vlerëson Bytyçi.

Ai thekson se Gjykata Speciale mund ta akuzoj Thaçin për vrasjen e Malokut, Mustafës dhe të tjerëve.

“Unë besoj fort se ai do t’i shlyejë mëkatet e tij në adresë të Kosovës, se do të japë llogari për to dhe për këtë arsye Gjykata Speciale ose duhet t’i tregojë me gisht vrasësit e Enver Malokut, Xhemail Mustafës e dhjetëra të tjerëve, ose do ta vendosë Hashim Thaçin nën akuzë për këto. Kjo gjykatë është krijuar për të vënë drejtësi në Kosovë. Drejtësia është barometri i paktit social në një shoqëri. Kosova ka nevojë për një pakt social, ka nevojë edhe për paqen me Serbinë. Por asnjëherë ketë nuk ndodhin pa u ndëshkuar fajtorët e krimit. Nëse Hashim Thaçi është i pafajshëm për vrasjet politike në Kosovë, atëherë Haga ka detyrë dhe obligim të zbulojë dhe ndëshkojë kriminelët përkatës. Ndryshe dështimi do të jetë i saj dhe jo i Kosovës. Pasojat do t’i vuajë Kosova”, përfundon profesor dr. Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat