Pas deklaratës së Bërnabiç, Tomë Gashi kërkon që Kosova ta ndërpres dialogun, derisa Serbia ta bëjë këtë gjë

Politika

Pas deklaratës së Bërnabiç, Tomë Gashi kërkon që Kosova ta ndërpres dialogun, derisa Serbia ta bëjë këtë gjë

Nga: G.B Më: 29 tetor 2020 Në ora: 15:08
Tomë Gashi

"Betohem për besnikëri ndaj Republikës së Serbisë, me përgjegjësi dhe përkushtim do të përkushtohem në ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë”.

Ky ishte teksti i betimit të Qeverisë së Serbisë mbrëmë, për të cilin sot pati reagime të shumta, që u cilësua si betim për pushtim të Kosovës.

Nga qeveria e Kosovës ka reaguar vetëm zëvendëskryeministri Besnik Tahiri i cili ka thënë se Republikën e Kosovës e ruan populli i vet, gjaku i dëshmorëve, institucionet demokratike dhe e drejta jonë kombëtare e ndërkombëtare dhe se është hipokrizi që të kërkohet dialog në njërën anë, e në tjetrën me deklarata të tilla të nxitet konflikt.

Lidhur me këtë, avokati Tomë Gashi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se deklarata e Bërnabiç është pasojë e udhëheqësve tanë politik, duke shtuar se në marrëveshjen e Washingtonit, Kosova hoqi dorë nga kërkesa që Serbia ta njeh Kosovën si shtet të pavarur.

“Deklarimi i mbrëmshëm i Kryeministres së vjetër të Serbisë, e cila nga dje po ashtu është Kryeministre e re, znj.Bernabiç, është pasojë e udhëheqësve tanë politik, që nga 12 qershori 1999 deri më sot, dhe posaçërisht të marrëveshjes historike për Serbinë dhe histerike për ne-Kosovën të datës 4 shtator 2020 që për të mbetur në pushtet jo legjitim çuditërisht por me lehtësi të paparë e nënshkroi z.Hoti. Në marrëveshjen e Washingtonit z.Hoti dhe ata që ishin me të hoqën dorë nga kërkesa kryesore dhe e vetme që do duhej të ishte që fillimisht të kërkohej në Shtëpinë e Bardhë, që Serbia pa kushte ta pranojë pavarësinë e shtetit të Kosovës, dhe pastaj të lidhen marrëveshje për çështje ekonomike sepse vetëm dy shtete që e pranojnë njëra tjetrën si të pavarura mund të lidhin marrëveshje ekonomike në interes të dy anshëm e që do të respektohen dhe funksionalizohen”, është shprehur ai.

Sipas tij, është e çuditshme dhe e rëndë se si ende udhëheqësit e shtetit të Kosovës bashkë me bashkësinë ndërkombëtare nuk arritën ta bindin Serbinë që ta heq Kosovën nga Kushtetuta e saj.

“Është paksa e çuditshme por e rëndë se si udhëheqësit politik dhe udhëheqësit e shtetit të Kosovës së bashku me bashkësinë ndërkombëtare e posaçërisht me presion nga SHBA nuk munden ta bindin Serbinë që fillimisht ta heq Kosovën nga Kushtetuta e saj pasi që ende edhe pas 12 qershorit 1999 kur u çliruam nga Serbia me ndihmën e NATOS dhe të shteteve aleate, edhe pas 17 shkurt 2008 kur shpallem pavarësinë, Serbia ende territorin e Kosovës e mban në kushtetutën e tyre dhe e konsideron të veten, ndërsa udhëheqësit tanë nuk ditën apo nuk patën vullnet që ta vënë në funksion të pavarësisë së Kosovës vendimin e Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë të vitit 2010, ku kjo gjykatë konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Por këta tanët ndoshta kishin edhe arsye tjera, që nuk e shfrytëzuan këtë aktgjykim të GJND që ishte më i vlefshëm se vet Kushtetuta jonë dhe i lejuan Serbisë të bëjë lojëra të tilla sa që edhe deklarimi i djeshëm i kryeministres së Serbisë, është krejtësisht në përputhje me Kushtetutën e tyre dhe politiken e Serbisë posaçërisht këto 21 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë”, ka vlerësuar Gashi.

Avokati shton se Serbia e di që nuk mund ta kthejë kurrë Kosovën, por po bën çdo gjë që të kontestohet shtetësia e Kosovës dhe po ndihmohet nga udhëheqësit politik të Kosovës.

“Serbia e di që e ka humbur Kosovën me luftë, e di se nuk mund ta kthejë kurrë të gjithë territorin e Kosovës në Serbi, por është duke u munduar dhe atë me mjaft sukses që përmes negociatave me udhëheqësit tanë politik-shtetëror të bëjë gjithçka që është e mundur që të kontestohet shtetësia e Kosovës dhe për çudi, apo për arsye që nuk i dimë pse po ia lehtësojnë edhe udhëheqësit tanë politik dhe shtetëror duke pranuar apo së paku duke iu përshtatur çdo kërkesë të Serbisë, sa që nëse lejohet që të krijohet edhe Zajednica atëherë një pjesë e Kosovës formalisht do të jetë e jona por faktikisht do të jetë fillimi i një Republika Srpska brenda territorit të Kosovës e që do ta bëjë edhe ashtu shtetin e Kosovës jo funksional. Është fare lehtë që në FB qeveritarët tanë të publikojnë deklarata patriotike që nuk kanë kurrfarë peshë në arenën ndërkombëtare kur vet kjo qeveri vullnetarisht në Washington në kundërshtim me kushtetutën tonë hoqi dorë edhe nga sovraniteti territorial i Kosovës, duke lejuar që në pazare me Serbinë të futet edhe Ujmani dhe duke hequr dorë vullnetarisht që të aplikojmë për anëtarësim në Organizata Ndërkombëtare”, ka theksuar Tomë Gashi për “Bota sot”.

Sipas Gashit, Bërnabiç nuk tha asgjë që nuk kemi ditur por duhet të shqetësohemi nga mos deklarimi i Hotit, pasi pas kësaj, Kosova do të duhej të ndërpriste çdo dialog me Serbinë, derisa ajo ta heq Kosovën nga kushtetuta e saj.

“Kryeministrja e Serbisë nuk ka thënë asgjë të re që ne nuk e kemi ditur, nuk duhet fare të shqetësohemi nga deklarimet e saj, por duhet të shqetësohemi në mos reagimin e qeverisë Hoti në mënyrë adekuate. Qeveria Hoti do të duhej të ndërpriste çdo negociatë me Serbinë së paku derisa Serbia ta heq territorin e Kosovës nga kushtetuta e vet, si pjesë integrale kinse e Serbisë. Znj.Bërnabiç nuk tha asgjë të re që nuk e kemi ditur, nuk na befasoi me sloganin e Hotit se asgjë ende nuk kemi parë. Ne i kemi parë të gjitha deri më tani, por nuk kemi parë qeveri kaq të dobët në raport edhe me Serbinë, por ndoshta edhe kështu është për shkak se ata që janë në poste qeveritare udhëhiqen nga prapavija e atyre që as që kanë garuar në zgjedhje të 6 tetorit 2019 dhe nuk mund të jetë ndryshe pos kështu që të durojmë gjithçka që na vije nga Serbia për ta ruajtur atë kolltuk edhe për ndonjë ditë deri në zgjedhjet e ardhshme, që qytetarët e Kosovës mezi që po i presin”, ka shtuar tutje avokati.

Ai thotë se në pushtet duhet të vijnë njerëz që nuk janë të shantazhuar dhe që duan ta bëjnë Kosovën shtet normal, ashtu siç e kishim Qeverinë Kurti, së shpejti duhet të vie qeveria Kurti 2 dhe pastaj edhe Bërnabiç do të normalizohet.

“Duhet të vijnë në pushtet ata të cilët nuk janë të shantazhuar nga askush, që janë vetvetja që nuk i kanë borxh askujt dhe që duan që Kosova të bëhet shtet normal si pjesë e Evropës dhe e botës së civilizuar. Ne e kishim një qeveri të tillë të quajtur qeveria Kurti dhe për të mos e lejuar kryeministren e Serbisë që të na poshtërojë kështu me deklarata si ajo e mbrëmshme duhet të presim që së shpejti të vije qeveria Kurti 2, dhe pastaj edhe znj. Bërnabic do të ‘normalizohet’”, ka deklaruar Tomë Gashi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat