Serbia “dorëzohet” përballë Kosovës

Politika

Serbia “dorëzohet” përballë Kosovës

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 29 tetor 2020 Në ora: 17:53
Foto ilustrim

Bllokimi i dialogut me Kosovën nga ana e Serbisë nuk është një gjë e re. Por, si duhet kësaj herë, Serbia u “dorëzua” para Kosovës, për çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.

Udhëheqësit e Serbisë disa herë ripërsëriten se nuk do të vazhdojnë dialogun nëse nuk bisedohet çështja e Asociacionit.

Serbia dëshiron të aneksojë asete të Kosovës

Njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Serbia ka përforcuar pozitën e tij negociuese sepse qeverisja aktuale e Kosovës ka lejuar që të ndodhë kështu.

“Shteti serb ka përforcuar pozitën e tij negociuese sepse qeverisja aktuale e Kosovës ka lejuar që të ndodhë kështu. Në njërën anë Administrata e Presidentit Trump ka arritur që të përshpejtoj një proces dialogu që nuk shpie në marrëveshje finale dhe aq më pak në njohje reciproke mirëpo vetëm në ndonjë kompromis tjetër të dhimbshëm për Kosovën, e në anën tjetër Serbia arriti ta shfrytëzoj këtë Administratë perënduese në ShBA e cila ndryshoi qasje që shpie në favor serb nën premisat se një zgjidhje ekonomike do të sillte edhe zgjidhje politike pa u fokusuar dhe duke anashkaluar se në çfarë cilësie (ndërshtetërore apo shtet-entitet) po bëhet një marrëveshje e tillë, dhe duke e injoruar totalisht kompleksitetin e çështjes dhe faktin se pa njohje të ndërsjellët pra politike nuk mund të arnohet çështja me premtime ekonomike të zotuara vetëm në letër”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Në anë të bllokimit të dialogut me Kosovën, sipas Vocës, Serbia do t`ia arrij planit të saj për shfuqizimin e Shtetit të Kosovës.

Image
Mirsad Voca

“Serbia dëshiron jo vetëm që të mos njoh Kosovën por të aneksoj asete jetësore të Kosovës, të krijoj një entitet të ri serb brenda Kosovës dhe përmes planit siç po e quajnë të minishengenit për Ballkanin perëndimor të defaktorizoj Kosovën, së pari de facto si Shtet, e më pastaj të insistoj po ashtu që të mos e ndryshoj Kushtetutën e saj ku Kosova ende do të figuronte si pjesë e saj. Për këtë arsye Serbia po e bllokon dialogun sepse vetëm kështu ajo beson se do t’ia arrij planit të saj për shfuqizimin e Shtetit të Kosovës sado i dobët që ky tashmë është si në luftimin e krimit të organizuar dhe në krijimin e një Shteti ligjor poashtu në marrëdhëniet me Shtetet rajonale e në këtë rast me Shtetin serb”, ka potencuar Voca për “Bota sot”.

Qeveria kukull

Gjithashtu, ai ka potencuar se Qeveria aktuale e Kosovës vazhdon të mbetet një Qeveri kukull e cila udhëhiqet de facto nga individë dhe faktorë tjerë të jashtëm dhe të brendshëm

“Qeveria aktuale e Kosovës vazhdon të mbetet një Qeveri kukull e cila udhëhiqet de facto nga individë dhe faktorë tjerë të jashtëm dhe të brendshëm të cilët kanë si interes primordial hallin dhe interesat e tyre personale por jo Shtetin dhe Popullin e Kosovës. Prandaj, si zgjidhje do të kishim zgjedhje në Kosovë, të cilat i shoh të domosdoshme për një kthesë të re, me shpresë se do të kemi po ashtu një Administratë tjetër në ShBA që i ngjan vazhdimësisë së qëndrimit amerikan për një Kosovë të pavarur dhe sovrane, pa kompromise të reja, por për një partneritet ndërshtetëror bazuar në fqinjësi të mirë, para se të ndodhin kompromise tjera që do të jenë të pakthyeshme dhe të pariparueshme për Kosovën”, ka deklaruar Voca për “Bota sot”.

Bytyçi: Kthesë në diplomacinë serbe

Ndërkaq, profesori Enver Bytyçi, për “Bota sot”, shprehet se në Beograd kanë kuptuar mesa duket se e vetmja mënyrë për pranim në BE është normalizimi afatgjatë i marrëdhënieve me fqinjët, sidomos me Kosovën.

Image
Enver Bytyçi

“Dialogu në Bruksel është shumë i rëndësishëm për bashkësinë ndërkombëtare, por edhe për Serbinë dhe Kosovën. Është gjithashtu kusht i përparimit në integrimin europian të të dy vendeve. Kjo bën që Serbia të jetë më e kujdesshme, sepse ajo është shumë pranë caktimit të një date për anëtarësim në BE. Në Beograd kanë kuptuar mesa duket se e vetmja mënyrë për pranim në BE është normalizimi afatgjatë i marrëdhënieve me fqinjët, sidomos me Kosovën. Në këtë aspekt Serbia duket se po përgatitet për të ndryshuar qëndrimet refraktare të derisotme. Fakti që diplomacinë e Beogradit nuk do ta drejtojë më një militant nacionalist i verbër, si Ivica Daçiç, dëshmon për një kthesë në politikën dhe diplomacinë e Serbisë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, profesori deklaron se Kosova për herë të parë u soll me integritet përballë presioneve të Serbisë dhe Lajçak-ut, që nuk pranoi të shkojë për bisedime në Bruksel me temën për asociacionin.

“Qeveria e zotit Hoti nuk u tërhoq”

“Ndërsa Kosova për herë të parë u soll me integritet përballë presioneve të Serbisë dhe të ndërmjetësuesit të BE-së, Mirosllav Lajçak. Nuk pranoi të shkojë për bisedime në Bruksel me temën për asociacionin. Serbia bëri presion dhe paralajmëroi bojkotin e bisedimeve. Qeveria e zotit Hoti nuk u tërhoq, por këmbënguli në vendimin e saj për të mos diskutuar rreth kësaj teme, tashmë të mbyllur me vendim të Gjykatës Kushtetuese. I ndodhur përballë argumentit, Lajçak kërkoi ndryshime kushtetuese. Por zëdhënësi i Komisionit Europian tërthorazi ia dha një thupër zotit Lajçak, kur pranoi se "nuk do të ketë asociacion me kompetenca ligjvënëse"!

Unë mendoj se Lajçak e përdori idenë e "ndryshimeve kushtetuese" në Kosovë, me qëllim që t'u thoshte partnerëve në bisedime në Beograd, se derisa të bëhen këto ndryshime, ju duhet të bisedoni për tema dhe çështje të tjera të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Mesa duket ishte një karrem, një argument i pakundërshtueshëm për Beogradin. Vuçiq dhe të tijtë u ngushëlluan me artificën e ofruar nga Lajçak, por ata e dinë se asnjë ndryshim kushtetute nuk do të sjellë në skenë krijimin e një Republika Srpska në Kosovë”, ka vlerësuar Bytyçi për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai mendon se liderët e Kosovës nuk janë edhe në këtë çështje unikë dhe të bashkuar.

“Ky fakt nuk ka të bëjë shumë me forcën e argumentit të institucioneve të Kosovës, sa me faktin tjetër që Serbia po e përdor Republikën Srpska në Bosnjë për ta paralizuar shtetin boshnjak. Ky fakt është një mësim i padiskutueshëm për bashkësinë ndërkombëtare, që të mos pranojë opsione të tilla edhe në Kosovë. Ndërkaq kam përshtypjen se liderët e Kosovës nuk janë edhe në këtë çështje unikë dhe të bashkuar. Presidenti Thaçi papritmas nga një kundërshtar i Mirosllav Lajçak, u bashkua me të në opsionin për asosacionin dhe ndryshimet kushtetuese. Vetë i ngarkuari i BE-së në bisedime e nënkuptoi këtë në deklaratën e tij pas takimit me zotin Thaçi. Kurse Avdullah Hoti është shprehur kategorisht kundër diskutimit të një marrëveshjeje të tillë çka ishte jo e nënshkruar nga Thaçi dhe Isa Mustafa”, ka thënë ai.

Serbia tërhiqet nga presioni për bojkot

Bytyçi potencon se është një zhvillim pozitiv fakti që Serbia, të parë në këto bisedime gati dhjetëvjeçare, tërhiqet nga presioni për bojkot.

“Unë mendoj se është një zhvillim pozitiv fakti që Serbia, ndoshta për herë të parë në këto bisedime gati dhjetëvjeçare, tërhiqet nga presioni për bojkot. Kjo është shenjë e mirë por nuk duhet optimizëm i tepruar se ajo do të përkulet e do të pranojë zgjidhje që nuk plotësojnë apetitet e saj për imponim, përfitim deri te territoret. Ajo që po ndodh në Serbi është parapërgatitje për të ndryshuar qëndrimet, të cilat do t’i diktojnë edhe zgjedhjet e 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka cilësuar se heqja dorë nga presioni për bojkot, nëse nuk diskutohet në Bruksel për asociacionin, është sinjali i parë në drejtimin e duhur.

“Nëse Bashkimi Europian dhe SHBA-të harmonizojnë qëndrimin e tyre për Kosovën, zgjidhja do të jetë me shpejt sesa mund ta parashikonim ne. Serbia nuk ka më mundësi ta zgjasë procesin. Integrimi është në prag të derës dhe nuk ka ndërmend ta lëshojë këtë shans. Ndërkohë Covid-19 e ka vështirësuar qeverisjen. Si kompensim presidentit serb i duhet hapja e vendit të tij, që do të thotë më shumë investime në këmbim të defiçitit ekonomik që krijon kriza e Covidit. Hapja presupozon stabilitet e paqe. Paqja dhe Stabiliteti arrihet kur krijohen marrëdhënie normale e madje miqësore me fqinjët. Por që këto marrëdhënie të krijohen, atëherë duhet që të pranohet fqinji, në rastin konkret shteti i Kosovës. Në këto kushte Beogradi nuk ka zgjidhje tjetër. Ose do t’i thotë jo integrimit, duke i thënë jo njohjes së Kosovës, ose do të angazhohet për integrimin europian, duke pranuar shtetin dhe pavarësinë e Kosovës.

Heqja dorë nga presioni për bojkot, nëse nuk diskutohet në Bruksel për asociacionin, është sinjali i parë në drejtimin e duhur”, ka potencuar profesori.

Në fund, ai ka shtuar se institucionet në Kosovë do të duhet ta kapin logjikën e këtyre zhvillimeve dhe të formulojnë opsione dhe argumente të tjera për çështje të ndryshme lidhur me dialogun.

“Ndërsa Kosova dhe institucionet e saj do të duhet ta kapin logjikën e këtyre zhvillimeve dhe të formulojnë opsione dhe argumente të tjera për çështje të ndryshme lidhur me dialogun. Ridimensionimi i qëndrimeve, rishikimi i ideve, rivendosja e së drejtës do të duhet të jenë prioritetet e Kosovës në këtë dialog”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat