Betimi i Qeverisë së Serbisë alarmon Kosovën, kjo është kërkesa e Vetëvendosjes për Qeverinë Hoti

Politika

Betimi i Qeverisë së Serbisë alarmon Kosovën, kjo është kërkesa e Vetëvendosjes për Qeverinë Hoti

Nga: G.B Më: 30 tetor 2020 Në ora: 08:33
Albin Kurti dhe Avdullah Hoti

"Betohem për besnikëri ndaj Republikës së Serbisë, me përgjegjësi dhe përkushtim do të përkushtohem në ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë”.

Ky ishte teksti i betimit të Qeverisë së Serbisë mbrëmë, për të cilin sot pati reagime të shumta, që u cilësua si betim për pushtim të Kosovës.

Nga qeveria e Kosovës ka reaguar vetëm zëvendëskryeministri Besnik Tahiri i cili ka thënë se Republikën e Kosovës e ruan populli i vet, gjaku i dëshmorëve, institucionet demokratike dhe e drejta jonë kombëtare e ndërkombëtare dhe se është hipokrizi që të kërkohet dialog në njërën anë, e në tjetrën me deklarata të tilla të nxitet konflikt.

E nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se shpresojnë që këtë deklaratë ta ketë dëgjuar Hoti dhe Hyseni dhe ta kuptojnë, përpara se të vazhdojë dialogu, një deklaratë që tregon pozicionin e Serbisë në raport me Kosovën që nga vitit 1999.

“Uroj dhe shpresoj që z.Hoti dhe z. Hyseni ta kenë dëgjuar këtë deklaratë, dhe ta kenë kuptuar atë siç është para se të vazhdojnë takimet në kuadër të Dialogut. Kjo deklaratë përfaqëson pozicionin e Serbisë në raport me Kosovën, të pandryshuar që nga vitit 1999. Rikujto këtu edhe deklaratat shoveniste të njëpasnjëshme të ministrave e zyrtarëve të Serbisë për popullin shqiptar, të cilat janë tregues i qartë se shtetit serb i mungon edhe minimumi i nevojshëm për një dialogim civil”, është shprehur deputeti i VV-së, Salih Zyba për gazetën “Bota sot”.

Image
Salih Zyba

Sipas tij, Qeveria vazhdon të ketë qëndrim të paluhatshëm për dialogun, ndërsa në Serbi ka debat për varrezat masive nga lufta e fundit në Kosovë dhe fshehjen e vendndodhjes së tyre, për çka Kosova nuk deklarohet.

“Në anën tjetër, kjo qeveri palegjitimitet, e brishtë, e varur nga Lista Serbe, vazhdon të mbajë një qëndrim të paluhatshëm e të pakushtëzuar për vazhdim e përfundim të dialogut. Në Serbi tash e sa kohë ka një debat publik në lidhje me varrezat masive nga lufta e fundit në Kosovë dhe përpjekjet institucionale për të fshehur vendndodhjen e tyre. Në anën tjetër, përtej retorikës boshe të kryeministrit dhe vartësve të tij, në Kosovë nuk ka asnjë deklarim, e lëre më kushtëzim, nga përfaqësues të lartë të institucioneve tona në lidhje me të. Kjo sfidon çdo sens logjik të veprimit dhe sjelljes se institucioneve tona”, ka vlerësuar ai.

Deputeti më tej shton se Qeveria është e paaftë që ta përcaktojë rrjedhën e dialogut dhe se agjenda është e caktuar nga Serbia, andaj sipas tij, Qeveria duhet të largohet sa më shpejt dhe të vie qeveria nga zgjedhjet, që më pas ajo të trajtojë me seriozitet dialogun.

“Tashmë është e qartë se qeveria është plotësisht e çorientuar, pa mbështetje, dhe e paaftë të përcaktojë rrjedhën e dialogut dhe të vendosë përpara nevojat edhe kërkesat e tona. Sot, agjenda e Dialogut është plotësisht e diktuar nga pala serbe. Sa herë që Kosova përfaqësohet nga kjo qeveria, ai përfaqësim do të jetë i dëmshëm. Prandaj, ajo duhet të largohet sa më parë, ashtu që një qeveri tjetër legjitimet të vie nga zgjedhjet e parakohshëm. E cila më pastaj e trajton me seriozitetin e nevojshëm procesin e dialogut, duke e përgatitur mirë, me parime e qëllime të qarta, me kornizë të dakorduar paraprakisht nga palët dhe përfshirje e aprovim të vazhdueshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar për “Bota sot” deputeti i VV-së, Salih Zyba.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat