Shahu kundër Ramës dhe Kurtit: Ja pse shqiptarët nuk duhet të marrin anë në zgjedhjet amerikane

Politika

Shahu kundër Ramës dhe Kurtit: Ja pse shqiptarët nuk duhet të marrin anë në zgjedhjet amerikane

Nga: P.R Më: 30 tetor 2020 Në ora: 20:27
Donald Trump dhe Joe Biden

Më 3 nëntor zhvillohen zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përballen republikani, Donald Trump dhe kandidati demokrat, Joe Biden.

E publicisti dhe analisti Rexhep Shahu, deklaron se pavarësisht kush fiton, Kosova do ta ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kosova nuk është e nuk jeton për shkak të humorit të presidentit serb. Për pasojë Amerika që ia dhe lirinë e pavarësinë Kosovës, nuk ia dha në saje të humorit të një, dy apo tre presidentëve amerikan, por ia dha lirinë e pavarësinë dhe ia mbron e siguron këtë liri e pavarësi në emër të parimeve të mëdha demokratike. Besoj se cilido president amerikan nuk e kthen mbrapsht rrotën e historisë së Kosovës, nuk e merr Kosovën ta bashkoje me Serbinë apo ta detyrojë Kosovën të hyjë nën sundim serb. Nëse do të shprehesha se kush do të fitojë në Amerikë do të bëhesha si Edi Rama e Albin Kurti që fusin hundët në punët e huaja, që i japin mend e këshilla votuesit sovran amerikan. Por mundem tu them atyre qe janë kundër presidentit aktual amerikan se është ky president amerikan qe lejoi Kosovën të ketë ushtrinë e saj, po e them këtë se thonë nuk e ka ndihmuar Kosovën”, thotë Shahu për “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

Sipas tij, shqiptarët nuk duhet të marrin pozicion në zgjedhjet amerikane.

“Presidenti aktual amerikan është më i sulmuari, më i anatemuari nga e majta botërore, është presidenti që deklaroi se mbi 100 milionë viktima ka shkaktuar socializmi e komunizmi dhe nuk do ta lejojë socializmin në Amerikë. Fill pas kësaj plasën protestat e njerëzve që jetojnë me ndihma e jo me djersë në Amerikë kundër presidentit aktual, pasi synohet nga e majta që të nderohen devijantet, deledashët dhe të çmohen si elitë e shoqërisë. Ne shqiptarët nuk kemi luksin të guxojmë të shprehemi me simpati ose jo për kandidatët në Amerikë, pasi institucioni i presidentit amerikan e ka dashtë dhe e do e do ta mbrojë Kosovën gjithmonë. Kandidati demokrat është i nderuar e vlerësuar në Kosovë, presidenti aktual i dha hov dialogut me ftesën në zyrën e tij të kryeministrit të Kosovës e presidentit serb. Unë besoj se mbështetja për Kosovën do të jetë gjithmonë, pasi Amerika është shtet me institucione dhe me pushtete të ndara e të fuqishme. E majta, kudo të jetë i bën dëm Kosovës jo se i kthen mbrapsht zhvillimet por nuk i zhvillon me ritmin e duhur”, shton Shahu.

Për fund, publicisti Shahu shprehet se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran falë Amerikës.

“Unë besoj se kohe gjigantësh Bush - Klinton -Bush i ri nuk është më. Atë që dukej e pamundur ata e bënë të mundur, Kosova është shtet me vete, i lirë, sovran. Nuk është dakord Serbia që ta njohë Kosovën. Natyrisht sepse Kosovën ia shkulen nga kthetrat Serbisë dhe ajo nuk do të jetë dakord ta njohë. Thonë se presidenti serb Vuçiq nuk ka ndërmend ta njohë Kosovën. Punë e madhe, me dëm i bën Serbisë kjo sjellje se e mban peng Serbinë se sa i bën dëm Kosovës”, përfundon publicisti Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat