Serbia e di që e ka humbur Kosovën, kështu duhet të veprojë Qeveria pas betimit të qeverisë në Beograd

Politika

Serbia e di që e ka humbur Kosovën, kështu duhet të veprojë Qeveria pas betimit të qeverisë në Beograd

Nga: G.B Më: 31 tetor 2020 Në ora: 08:55
Qeveria e Kosovës

Pavarësisht se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, Serbia vazhdon ta trajtojë atë si pjesë të saj edhe në Kushtetutë.

E së fundmi kur u bë betimi i qeverisë së re të Serbisë, Kosova u përmend sërish si pjesë e Serbisë, për çka pati reagime të shumta.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Serbia e di që e ka humbur Kosovën.

“Qeveria e Kosovës betohet në kushtetutë dhe ajo e obligon që të ruajë pavarësinë dhe integritetin territorial të republikës. Qeveria e Serbisë, derisa ta ketë Kosovën si pjesë përbërëse të saj, në kushtetutë, edhe ajo obligohet të veprojë konform kushtetutës së saj. Përderisa Kosova faktikisht nuk është më pjesë e Serbisë atyre u duket sa ka nevojë të u premtojnë qytetarëve të tyre diçka që edhe ata e dinë se është e humbur”, ka thënë ai.

Sipas Lepajës, Serbia duhet ta ndryshojë çështjen e Kosovës në Kushtetutë dhe kjo mund të bëhet me presion ndërkombëtar dhe bisedimet janë të domosdoshme.

Image
Fadil Lepaja

“Bisedimet kanë për objektiv që kjo gjendje të ndryshohet në kushtetutën e Serbisë dhe nëse ka presionin e nevojshëm ndërkombëtar Serbia mundet dhe duhet të e bëjë këtë. Në këtë kontekst, bisedimet janë të domosdoshme dhe deklarimet për efekte mediatike nuk duhet të na e humbin orientimin dhe qetësinë”, është shprehur Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Këtë deklaratë të betimit nga ana e Qeverisë së Serbisë ai e sheh më shumë për nevoja të brendshme dhe që e tregon pafuqinë e Serbisë, derisa shton se Kosova duhet ta bindë bashkësinë ndërkombëtare që serbët e Kosovës janë të mbrojtur me kushtetutë dhe ligjet në fuqi.

“Theksimi i mbrojtjes së Kosovës në betimin e qeverisë ka karakter politik e mediatik dhe është bërë kryesisht për nevoja të brendshme. Në fakt ajo më tepër shprehë pafuqinë e Serbisë prandaj, angazhimi ynë duhet të shkojë në drejtim që të bindë bashkësinë ndërkombëtare që serbët e Kosovës janë të mbrojtur edhe me kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi, dhe se kështu do të vazhdojë të jetë pa pasur nevojë për mbrojtjen nga ana e vendeve fqinje si Serbia”, ka vlerësuar ai.

Lepaja shton se botërisht dihet se si Serbia e ka “mbrojtur” Kosovën dhe qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë bisedimet për normalizim të marrëdhënieve.

“Se si e ka "mbrojtur" Serbia Kosovën, kjo është e njohur botërisht dhe qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë të bisedojë për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje”, ka deklaruar Fadil Lepaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat