Provokimi i radhës nga Serbia ndaj Kosovës, Qarri bën thirrje për protesta para BE-së

Politika

Provokimi i radhës nga Serbia ndaj Kosovës, Qarri bën thirrje për protesta para BE-së

Nga: A.Morina Më: 1 nëntor 2020 Në ora: 19:52
Fotoilustrim

Deklarata e Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, e bërë gjatë betimit të saj para parlamentit serb ka ngjallur reagime edhe në Kosovë.

Kjo pasi, kryeministrja serbe gjatë betimit u zotua se do ta ruaj, siç e quan ajo, “Kosovën Metohi”.

“Betohem për besnikëri ndaj Republikës së Serbisë, me përgjegjësi dhe përkushtim do të përkushtohem në ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë’.

E pas kësaj, erdhën edhe shumë reagime të mëdha nga politikanët dhe analistët në Kosovë, disa prej tyre kërkuan sanksione ndaj Serbisë, e disa edhe bllokim të dialogut shkaku i provokimeve të vazhdueshme serbe.

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli për provokimet e radhës nga ana e zyrtarëve shtetëror të Serbisë. Ai tha se deklarata e kryeministres serbe, Ana Bërnabiq është njëra nga provokimet më të rënda dhe Kosova duhet të protestoj para BE-së për këtë çështje.

Image
Gani Qarri

“Akti i betimit të ministrave dhe kryeministres dylbere të Serbisë, Ana Bërnabiq, para kabinetit të saj, se "me përgjegjësi dhe përkushtim" do të punojë për "ruajtjen" e Kosovës, është provokimi më i rëndë i radhës, pas të cilit Qeveria dhe udhëheqësit e shtetit të Kosovës, duhet jo vetëm të protestojnë ashpër para BE-së dhe Bashkësisë Ndërkombëtare kundër kësaj deklarate të rrezikshme e kërcënuese, për Kosovën dhe paqen në Ballkan, por edhe ta shqyrtojnë seriozisht vënien e sanksioneve ndaj të gjithë qeveritarëve serb, ndalimin e hyrjes së tyre në Kosovë, rikthimin e taksës ndaj mallrave të Serbisë dhe parashtrimin e kërkesës për heqjen urgjentisht të Kosovës nga preambula e kushtetutës serbe, si kusht për vazhdimin e mëtejmë të bisedimeve me këtë shtet ish okupator”, deklaroi Qarri.

Qarri fajtor kryesor për provokimet e vazhdueshme nga ana e Serbisë e bëri Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas tij, Thaçi me fillimin e dialogut me Serbinë është dashur të kërkoj heqjen e Kosovës nga preambula e Kushtetutës serbe dhe jo të vendos fusnotë mbi statusin e vendit tonë.

“Meqenëse kuislingu Hashim Thaçi, qysh në nisje të bisedimeve me një shtet agresor si Serbia, në vend që për fillimin e dialogut me këtë shtet ish okupator të Kosovës, i cili për më pak se vetëm një vit e gjysmë luftë vrau mbi 14 mijë civil të pafajshëm shqiptar, dëboi mese një milion sosh nga trojet e veta, përdhunoi mbi 20 mijë femra, kidnapoi mijëra civil të paarmatosur 1673 trupa të të cilëve edhe sot mbi 21 vite pas lufte, ende i mbanë peng në Serbi të vinte kusht heqjen e Kosovës nga preambula e Kushtetutës serbe, ai shkoi aq larg kundër vendit të vet , sa që damkosi edhe pavarësin e shtetit tonë të ri, duke i vënë FUSNOTËN mbi statusin e saj, vetëm rreth një vit, pas vulosjes së Pavarësisë me 22 korrik të vitit 2010 edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, që është organi më i lartë juridik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, u shpreh ai.

Tutje, Qarri tha se baza e kësaj “budallakie” të Thaçit, i dha hapësirë shtetit serb të imponoj të gjitha temat e dialogut, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave Serbe.

“Pikërisht bazë të kësaj "budallakie" vrastare të kuislingut Hashim Thaçi, Serbia jo vetëm që imponoi të gjitha temat e dialogut, duke biseduar vetëm për çështjet e rregullimit të brendshëm të Kosovës, por imponoi edhe të ashtuquajturin Asociacion të Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive, të nënshkruar me 2013 nga vet Hashim Thaçi ndërsa me 2015 edhe nga Isa Mustafa, duke futur Kosovën kështu në obligime të pa përballueshme ndërkombëtare nga të cilat vihet në pikëpyetje të madhe tërësia territoriale dhe vet ekzistenca e mëtejme e shtetit të Kosovës”, nënvizoi Qarri.

Tutje vazhdoi, duke thënë se përmes provokimeve, zyrtarët serb janë të interesuar që bisedimet me Kosovën të zhagiten sa më shumë ose të ndërpriten përfundimisht. Dhe siç duket, betimi i ministrave dhe qeverisë së re të Serbisë është një hap tjetër për të realizuar qëllimet e tyre.

“Ky akt, dëshmon edhe njëherë mër tepër, se pikërisht ashtu siç e thotë edhe ish presidenti i Serbisë Boris Tadiq, Vuçiqi dhe qeveria aktuale serbe, janë të interesuara që bisedimet me Kosovën, jo vetëm të shtyhen dhe zgjaten e zhagiten sa më shumë, por mundësisht edhe të ndërpriten krejt, duke bërë fajtore Kosovën për mos vazhdimin e tyre, ndaj dhe betimi i ministrave dhe qeverisë së "re" serbe, hynë në kuadër të këtyre përpjekjeve dhe është përgatitur në atë mënyrë fyese e provokuese, sa që për momentin nuk mund të ketë provokim më të rëndë, për të gjetur forcë dhe vazhduar bisedimet edhe më tej, me këtë shtet ish okupator të Kosovës”, përfundoi Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat