Kritikat e Mustafës për BE-në, analisti politik: Ka plotësisht të drejtë, kur po shihet qasja jo e drejtë në çështjen e dialogut

Politika

Kritikat e Mustafës për BE-në, analisti politik: Ka plotësisht të drejtë, kur po shihet qasja jo e drejtë në çështjen e dialogut

Nga: A.SH Më: 1 nëntor 2020 Në ora: 20:40
Isa Mustafa

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ditë më parë ka kritikuar BE-në lidhur me bisedimet që po zhvillohen në Bruksel.

Ndër tjera në deklaratën e tij thuhet “Me sjelljet e Serbisë, në njërën anë dhe të BE-së, në anën tjetër, dialogu po e humb kuptimin. Sa po rrjedh koha, ai më shumë po shndërrohet në instrument të Serbisë për të blerë kohë për ti vënë në harresë krimet e saj”.

Analisti politik, Leon Duhanaj për “Bota sot”, ka komentuar deklaratën e kreut të LDK-së, Isa Mustafës, duke thënë se, marrëdhënia e Kosovës me BE-në, mund të konkludohet që BE, nuk është treguar aspak e sinqertë dhe korrekte në raport me Kosovën duke e shtyrë në konsesione dhe me kërkesa shpeshherë edhe absurde siç ishte çështja e demarkacionit.

“Raportet politike në mes të Kosovës dhe Unionit Europian, janë tejet komplekse shkaku i mosnjohjes nga 5 vendet anëtare dhe, si pasojë e kësaj marrëdhëniet kontraktuale kanë mbetur peng e interesave të disa vendeve, e që për fat të keq shkojnë në dëm të Kosovës.
Në fakt, nëse analizohet marrëdhënia e Kosovës me BE-në nga një këndvështrim kritik, atëherë, mund të konkludohet që BE, nuk është treguar aspak e sinqertë dhe korrekte në raport me Kosovën, duke e shtyrë në konsesione dhe me kerkesa shpeshherë edhe absurde siç ishte çështja e demarkacionit e cila nuk ishte bërë kriter për vendet që përkufizohen me Kosovën përderisa Kosovës iu bë si kleçkë për ta penguar në qëllimin e liberalizimit të vizave, e që edhe pas përmbushjes së këtij standardi Kosova u la në baltë”, ka thënë Duhanaj.

Image
Leon Duhanaj

 

Ai kritikat e Isa Mustafës ndaj BE-së, i vlerëson si kritika të drejta duke thënë se segmente të BE-së po punojnë drejtëpërdrejt pro interesave serbe dhe kjo është shqetësuese.

Z. Mustafa, ka plotësisht të drejtë në kritikat e tij ndaj BE-së. Aq më shumë, kur shihet qasja jo e drejtë në çështjen e dialogut. Segmente të BE-së po punojnë drejtëpërdrejt pro interesave serbe dhe kjo duhet të na shqetësojë shumë. Megjithatë, edhe z. Mustafa, ashtu si dhe të gjithë liderët dhe partitë politike kosovare, duhet ta pyesin veten; pse ndodhi ky ndryshim i madh në raportet tona me demokracitë perëndimore? A duhet ta marrim edhe ne pjesën e fajit tonë për qasjen dezorientuese dhe dezintehruese kosovare?

Ai më tej shton se, BE ka humbur besimi te shqiptarët edhe pse forca e shumicës qytetare, është për integrimet europiane.

“Se Europa e ka humbur besimin tek shqiptarët, kjo tashmë nuk është fshehtësi. Por, pse ne si shqiptarë lejuam të vijë deri këtu, kjo është pyetja njëmilionëshe. Megjithatë, besoj që forca e shumicës qytetare, është për integrimet europiane dhe kjo duhet të jetë motiv për qasje më proaktive karshi këtij projekti.
Duke patur parasysh ndasitë brenda BE-së rreth temave dhe pritshmëritë e ndryshme rreth zgjidhjeve, duhet të tregohemi syçelë dhe unik, në mënyrë që as mos të lëshojmë pe për asgjë, por as mos t'u japim sinjale joshëse çarqeve antishqiptare! Në këtë raport, duhet të insistojmë në pjesëmarrjen amerikane dhe garancionet e tyre në çdo aspekt”, përfundon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat