Vetëvendosje sqaron punësimet e familjarëve në AKP, kjo është kundërpërgjigja ndaj Bekë Berishës

Politika

Vetëvendosje sqaron punësimet e familjarëve në AKP, kjo është kundërpërgjigja ndaj Bekë Berishës

Nga: G.B Më: 2 nëntor 2020 Në ora: 19:06
Vetëvendosje

Drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valo Tolaj, ka thënë se në AKP janë të punësuar edhe familjarë nga AAK dhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo erdhi pas insistimit të deputetit Bekë Berisha, i cili përmendi rastet e familjarëve të VV-së.

“Edhe një herë po kërkoj përgjigje, a është i punësuar djali i Hydajet Hysenit, vajza e ish-ministres Rozeta Hajdari, vajza e Shpëtim Bulliqit dhe balldëska e Albin Kurtit. Si dhe a ke pasur presion për privatizim nga ane e Agim Bahtirit kryetar i AKR”, pyeti Berisha.

Lidhur me këtë, Tolaj pranoi se janë të punësuar edhe vajza e ministrit Blerim Kuqi, Emirë Kuqi, si dhe Binak Vishaj ish anëtar i KQZ nga AAK.

Ndërsa, kryesuesi i Komisionit Hajrulla Ceku nga VV kërkoj nga Tolaj përgjigje se në cilën kohë janë punësuar këta zyrtarë, por që nuk mori përgjigje.

Image
Përparim Kryeziu

Pas kësaj, kanë reaguar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Zëdhënësi i partisë, Përparim Kryeziu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se vajza e Shpejtim Bulliqit është e angazhuar në AKP përpara se VV të ishte në qeveri, ndërsa Rozeta Hajdari nuk ka vajzë, Mimoza Kusari Lila ka bërë reagimin në Facebook, ndësa lidhur me ‘balldësken’ e Kurtit, që është motra e gruas së vëllait të tij, ajo punon në AKP që nga viti 2007, e djali i Hydajet Hysenit punon si zëdhënës aty që kur AKP quhet AKM.

“Në lidhje me vajzën e Shpejtim Bulliqit, ajo është e angazhuar në AKP që nga mars 2019, para se LV të jetë në qeveri. Në lidhje me vajzën e Rozeta Hajdarit, Rozeta nuk ka vajzë. Në lidhje me Mimoza Kusarin, ajo tashmë ka bërë një reagim në profilin e saj në FB Në lidhje me "balldëskën" e z.Kurti, në fakt bëhet fjalë për motrën e gruas së vëllait të z. Kurti, znj. Nermin Pakashtica. Ajo punon në ketë institucion që nga viti 2007, që kur i njëjti quhej AKM, dhe në këtë pozitë është punësuar përmes një paneli intervistues ndërkombëtar. Në lidhje me djalin e anëtarit të kryesisë së LV-së Hydajet Hysenit, ai punon aty si zëdhënës për shumë vite, që kur AKP quhej AKM”, ka thënë Kryeziu.

Sipas tij, personat që janë lakuar në komision, nuk kanë të bëjnë asgjë me udhëheqjen e VV-së, sikur u provua të thuhet nga deputeti Bekë Berisha.

“Pra si përfundim, personat e lakuar janë aty si rezultat i përgatitjeve dhe kualifikimeve të tyre, dhe nuk kanë asgjë të bëjnë me udhëheqjen qendrore shkurt – qershor 2020 të LV-së, sikundër u provua sot të thuhet nga deputeti Bekë Berisha, i cili keqpërdori pozitën dhe hapësirën në komisionin hetimor. T’i kthehemi tash gjërave që me të vërtetë kanë rëndësi e që u diskutuan sot gjatë mbledhjes së komisionit hetimor sikur skema Haradinaj-Tolaj-Vishaj për të vënë në kontroll AKP-në për përfitime të tyre sikurse u dëshmua së fundmi”, ka deklaruar Përparim Kryeziu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat