Gazeta beogradase: Ja si e shohin diplomatët rrjedhën e dialogut mes Kosovës e Serbisë

Politika

Gazeta beogradase: Ja si e shohin diplomatët rrjedhën e dialogut mes Kosovës e Serbisë

Nga: D.G. Më: 3 nëntor 2020 Në ora: 10:57
Marrëveshja në Uashington

Mesazhi i djeshëm nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq se Serbia nuk mund të pranojë që Prishtina nuk i përmbush detyrimet nga marrëveshjet e mëparshme, veçanërisht në lidhje me krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS), përfaqësues nga qarqet diplomatike e intepretuan për gazetën "Danas" si "shenjë të qartë" se Beogradi dhe Prishtina janë larguar "rrezikshëm" nga mundësia e arritjes së një zgjidhjeje kompromisi në dialog.

Disa nga bashkëbiseduesit tregojnë se "një ndryshim ka ndodhur në anën e Prishtinës kohët e fundit - pozicioni ndaj AKS-së, i cili ishte "i vështirë" nga fillimi, e tani është edhe më i vështirë ".

Siç shpjegojnë diplomatët, "sipas interpretimit të autoriteteve të Kosovës, AKS-ja nuk duhet të ketë kurrëfarë pushteti ekzekutiv, i cili, sipas parimeve të rëna dakord në gusht 2015, do t'i referohej fushës së planifikimit hapësinor".

- Shqiptarët e Kosovës besojnë se kompetenca të tilla të Asociacionit do të pengonin zhvillimin e Kosovës dhe Prishtina mbizotërohet nga pikëpamja që Serbia së pari duhet ta njohë Kosovën, dhe më pas të formojë një AKS-në, gjë që është e papranueshme për Beogradin zyrtar. Kjo është arsyeja pse Serbia është në një pozitë edhe më delikate se më parë, sepse cili shtet, me vetëdije të pastër, do të pranonte ta njihte së pari Kosovën, dhe vetëm atëherë të zbatonte marrëveshjen e Brukselit për AKS-në - theksojnë burimet e "Danas"-it.

Qarqet diplomatike gjithashtu pretendojnë se ekziston mundësia që Beogradi dhe Prishtina do t'i përafrojnë qëndrimet e tyre në muajt e ardhshëm.

Besohet se Rusia do t'i jepte "dritën jeshile" marrëveshjes së përmendur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pasi zyrtarët e saj kanë përsëritur vazhdimisht se nuk do të kundërshtojnë një marrëveshje të mundshme të ndërsjellë midis Beogradit dhe Prishtinës.

Gazeta përkujton se dje, në një konferencë për shtyp pas seancës së Qeverisë, në të cilën mori pjesë, presidenti serb Vuçiq tha se Prishtina është obliguar për krijimin e AKS-së "pa kushtet për njohje".

- Historia e njohjes së ndërsjellë është mjaft e pakuptimtë për Serbinë, por atyre në Prishtinë u pëlqen ta përsërisin atë si papagaj. Prishtina nuk mund të shpikë marrëveshje të reja që nuk ekzistojnë. Kjo tregon se ata në thelb nuk duan një kompromis - tha Vuçiqi pas seancës, në të cilën u diskutua edhe për Kosovën. Ai tha se AKS-ja është një "detyrim i pakushtëzuar i parashikuar nga Marrëveshja e Brukselit".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat