Kelmendi: Thaçi fajtor për Specialen, kërkon gjykatë për gjenocidin serb në Kosovë

Politika

Kelmendi: Thaçi fajtor për Specialen, kërkon gjykatë për gjenocidin serb në Kosovë

Nga: A.Morina Më: 3 nëntor 2020 Në ora: 16:23
Hashim Thaçi

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka dorëzuar komente për mandatin e Speciales në Tribunalin Special. Në dokumentin e publikuar, Borell thekson se Thaçi nuk është konsultuar me shefin e EULEX-it para parashtrimit të kërkesës ashtu siç e thotë ligji. Rrjedhimisht, ai shton se kjo kërkesë është e papranueshme. Kjo kërkesë ishte bërë pas propozimit të presidentit të vendit, Hashim Thaçi që kishte kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare.

Njohësi i çështjeve juridike dhe profesori, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot” deklaroi se nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese për të ndalur veprimtarinë e Gjykatës Speciale mbi Kosovën.

“Nuk ka fare nevojë që të bëhen ndryshime kushtetuese për të ndalur veprimtarinë e Gjykatës Speciale mbi Kosovën. Kjo, për faktin se në Kushtetutën e Kosovës nuk ka afat të përcaktuara. Afatizimi ka ardhur si rrjedhim i vendimi të Kuvendit të Kosovës kur e ka formuar Gjykatën Kushtetuese për Kosovën”, tha Kelmendi.

Tutje, u shpreh se afati de-juro ka skaduar dhe deklaratat e Thaçit dhe Borrell janë politike dhe nuk kanë asnjë efekt juridik.

“Ky afat ka skaduar dhe de-jure kjo gjykatë është inekzistente. Gjykata Speciale ka pasur afat deri në gusht dhe nga kjo kohë nuk ka të drejtë të vepron juridikisht. Nuk ka të drejtë të bëjë hetime, të marrë në pyetje dhe të akuzoj qytetarët e Kosovës. Këtej, edhe deklarata e Thaçit për ndryshime kushtetuese dhe deklarata e Josep Borrel nuk kanë fare efekt juridik. Ato janë deklarata politike dhe tejet kontradiktore”, nënvizoi Kelmendi.

Mirëpo, Kelmendi tha se prapë se prapë Thaçi bartë përgjegjësi për Gjykatë Speciale dhe tani po shihen pasojat e formimit të kësaj gjykate.

“Por, duhet thënë se Thaçi bartë përgjegjësi për këtë gjykatë. Tash po shihen pasojat, jo në kuptimin e përgjegjësisë së Thaçit e Veselit, apo të tjerëve, po në baraspeshën që të barazohet gjenocidi serb me disa raste kriminale. Kjo është e papranueshme”, u shpreh Kelmendi, përcjell "Bota sot".

Kelmendi i bëri thirrje Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës të kërkojnë ndërtimin e gjykatës ndërkombëtare për dhunën dhe gjenocidin e Serbisë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet të kërkoj ndërtimin e një gjykate ndërkombëtare për dhunën, terrorin dhe gjenocidin serbomadh. Kemi thënë dhe e përsërisim me mijëra herë gjenocidin serb. Ky gjenocid është i rëndë dhe me një a disa kriminel serbe të dënuar nuk bëhet përgjegjësia. Është i tërë shteti përgjegjës dhe i tërë shteti serb kërkohet të dënohet për gjenocide, vetëm kështu vihet drejtësia në vend”, përfundoi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat