“Thaçi e sulmon Hotin”, profesori tregon dy objektivat e Presidentit: Ja kur filloi përplasja e madhe

Politika

“Thaçi e sulmon Hotin”, profesori tregon dy objektivat e Presidentit: Ja kur filloi përplasja e madhe

Nga: P.R Më: 3 nëntor 2020 Në ora: 17:42
Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti

Edhe pse për shumë vite me radhë mori pjesë në dialogun me Serbinë, Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, tani e ka quajtur të pakuptimtë dhe të dështuar këtë dialog.

Madje ai ka thënë se në rrethanat aktuale, ky dialog i shërben vetëm Serbisë.

“Ky dialog ka vetëm një kuptim, nëse propozimi për njohje reciproke hidhet në tavolinë. Përndryshe është krejt i pakuptimtë, krejt i panevojshëm dhe është i dështuar dhe është në favor të Serbisë, si i tillë që po zhvillohet”, është shprehur presidenti Thaçi.

E lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi, i cili thotë se Thaçi retorikën e përdor për të fajësuar ndërmjetësit e dialogut në Bruksel.

“Që kur Hashim Thaçit iu komunikua në avion marrja nën akuzë për krime (kujtoj se Hrushovi e kishte shkarkuar Zhukovin po në avion në vitin 1959), ai ka ndryshuar qasjen ndaj bisedimeve me Serbinë. Shfaqet më radikal, gati i mllefosur për procesin e dialogut dhe bën kërkesa, të cilat i joshin disa në Kosovë. Për hir të së vërtetës edhe unë flas për bojkot të bisedimeve me Serbinë. Por duke kritikuar psh formulën e betimit të qeverisë së Serbisë. Ndërkohë Thaçi retorikën e përdor për të fajësuar ndërmjetësit e dialogut në Bruksel. Ai nuk është në këtë pozicion për shkak të diversionit serb, por për shkak të dështimit të projekteve që Vuçiç, Thaçi dhe Rama për shkëmbimin e territoreve”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, nëse do të ishte serioz dhe i besueshëm, Thaçi do të duhej ta kishte bërë këtë akt para se të vërtitej rreth idesë së rrezikshme të ndarjes së Kosovës.

“Derisa ai nuk e artikuloi këtë kërkesë sa kohë ishte vetë në krye të bisedimeve, Hashim Thaçi nuk mund të jetë i sinqertë dhe i besueshëm në kërkesën e tij. Është e paqartë kujt i adresohet ky mesazh. Bashkimit Evropian dhe zotit Lajçak apo kryeministrit të Kosovës dhe grupit aktual negociator. Ndoshta ia kërkon Skënder Hysenit, i cili ia shet informatat sekrete delegacionit të Serbisë, sepse çanta me dokumente e tij nuk ka humbur në Bruksel. Askush nuk e beson një përrallë si kjo. Ajo çantë është lënë qëllimisht që të shkojë në duart e grupeve serbe, të interesuara për të bërë diversion ndaj Kosovës. Kush do ta kërkojë këtë që thotë presidenti i Kosovës pra? Nëse Thaçi mendon seriozisht, ai ka mundësi ta urdhërojë së paku Skënder Hysenin që të tërhiqet nga bisedimet dhe mos nënshkruajë marrëveshje të tilla, të cilat fajësojnë Kosovën ende sot për akuzën serbe të dëbimit të serbëve nga Kosova para gati 22 vitesh! Megjithatë nuk mendoj se ai këtë ia kërkon Skënder Hysenit”, shprehet më tej profesor Bytyçi.

“Deklarata e Thaçit nuk drejtohet as kundër politikave serbe në adresë të dialogut. Ndryshe ai do të duhej të shprehej, ashtu si Vjosa Osmani, kundër marrëveshjes së fundit për çështjen e të pagjeturve dhe të pakthyerve. Ajo ka dy objektiva: Kundër kryeministrit Hoti dhe deri diku kundër Lajçak dhe Brukselit. Janë metodat që Thaçi përdor kundër kundërshtarëve të tij. Dhe ai konsideron kundërshtar çdokënd që nuk mendon si ai, që nuk e mbështet atë në pikëpamjet dhe aktet e tij politike, jo vetëm ata që e kundërshtojnë”, thekson Bytyçi.

Profesor Bytyçi tregon edhe momentin, kur sipas tij filloi përplasja mes Thaçit e Hotit.

“Me kryeministrin Hoti ka filluar përplasja kur shefi i qeverisë shkoi në Shtëpinë e Bardhë. Mesa duket Thaçi e përjetoi kryesimin e dialogut prej zotit Hoti si sfidë ndaj tij. Në fakt kryeministri publikisht e atakoi presidentin. Nuk e dimë se si kanë shkuar bisedat në takimet midis tyre. Por unë e shoh më tepër një sulm të Hashim Thaçit kundër kryeministrit të Kosovës. Në fakt ndërprerja e bisedimeve i jep shkas Thaçit që ta promovojë veten si të vetmin interlekutor me të cilin Evropa dhe Amerika mund të marrin në konsideratë. Qëllimi i tij është që ta dështojë dialogun jo për shkak të presionit serb kundër Kosovës, por për shkak të shpresës së tij se ndërkombëtarët do ta rithërrisnin atë në dialog dhe në lojën politike”, deklaron Bytyçi për “Bota sot”.

Për fund, Bytyçi thotë se përmes kësaj metode, Thaçi beson se i shpëton më pas hetimeve dhe përgjegjësisë së tij në Gjykatën Speciale të Hagës.

“Sepse rikthimi i Thaçit në dialog, automatikisht e rehabiliton atë, së paku për momentin, në raport me këtë gjykatë. Skenarët e Thaçit janë të tillë, që shkojnë vetëm në dobi të Hashimit. Nëse do të kishte adresë interesat e Kosovës. Ai nuk do të kishte nënshkruar Asociacionin. Nuk do të kishte gënjyer parlamentin e Kosovës se “ishte marrë vesh me presidentin e Malit të Zi për rishikimin e demarkacionit pas miratimit në parlament”! Nuk do të kishte hyrë në lojën serbe të Vuçiç dhe Edi Ramës për ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve! Pra, nuk do të priste akuzën e Hagës për t’u ndarë nga aktet e tij anti-Kosovë, të cilat do të çonin në destabilizimin e rajonit!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

E Bashkimi Evropian nuk ka dashur të komentojë deklaratat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi se, dialogu në Bruksel nuk ka kuptim nëse nuk përfshin njohjen e Kosovës.

“Ne, nuk i komentojmë deklaratat. Jemi të fokusuar në përpjekjet për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila do të adresonte të gjitha çështjet mes tyre, dhe duke qënë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e BE-së” ka thënë, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat