Ish agjenti i SHIK-ut jep detajet: Ja pse po bastiset Jakup Krasniqi nga Specialja, këto janë informacionet që i ka

Politika

Ish agjenti i SHIK-ut jep detajet: Ja pse po bastiset Jakup Krasniqi nga Specialja, këto janë informacionet që i ka

Nga: P.R Më: 4 nëntor 2020 Në ora: 10:13
Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi

Që nga orët para të mëngjesit, Gjykata Speciale ka filluar bastisjet në shtëpitë e ish zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit në Prishtinë dhe fshatin Negrovc të Komunës së Drenasit.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë. Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Më shumë informacion do të jepet më vonë”, thuhet në njoftimin e Speciales lidhur me aksionin e sotëm në Prishtinë.

E lidhur me bastisjet në shtëpitë e Jakup Krasniqit, për gazetën “Bota sot” ka folur ish agjenti i SHIK-ut, njeherit i intervistuar si dëshmitar nga Gjykata Speciale, Naim Miftari.

Image
Naim Miftari

“SPO po kërkojnë ndonjë argument apo ndonjë dëshmi, pasi Jakup Krasniqi ishte zëdhënës i UÇK-së gjatë luftës, kjo ka të bëj me procesin e Gjykatës Speciale kundër shumë komandantëve të UÇK-së duke filluar nga Hashim Thaçi e teposhtë”, shprehet Miftari për “Bota sot”.

Sipas tij, Jakup Krasniqi ka informacione edhe për komunikatat që shpërndaheshin gjatë luftës.

“Jakupi ka qenë zëdhënës i ka taku hierarkisë më të lartë të UÇK-së, ishte edhe në delegacionin e Rambujesë si përfaqësues i UÇK-së, normal se ka informacione nga lufta por edhe informacione të komunikatave të UÇK-së që Thaçi tani po thotë se komunikatat nga Banhofet janë shpërndare nga njerëz të panjohur që nuk ia kanë dashtë të mirën Kosovës as UÇK që është një gënjeshtër e pastër e qëllimshme e Hashim Thaçit pasi po tenton mej ik përgjegjësisë të vet, si njeri kyç i UÇK-së që asnjë komunikatë nuk ka mujt me dal pa urdhrin dhe miratimin e Hashim Thaçit”, thotë ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Për fund, Miftari deklaron se ka pasur gabime individuale gjatë luftës, por që lufta e UÇK-së ka qenë luftë e pastër.

“Sa e di unë Jakup Krasniqi gjatë tërë luftës është sjellë si një epror me dinjitet shumë korrekt dhe i sjellshëm .Nuk i di se ka bërë ndonjë gabim ku do të theheshin rregullat e luftës dhe çdo ngritje e akuzës kundër Jakup Krasniqit nga Gjykata Speciale do të ishte vetëm humbje kohe, pasi Jakup Krasniqi do të dilte i pafajshëm nëse ndjekët vetëm se ka qenë zëdhënës i UÇK-së. Duhet të dihet se çdo zëdhënës fol me urdhër ose instruksion të dikujt .! Lufta ishte e drejt, UÇK bëri njërën ndër luftërat më të pastra në botë, por gabime dhe keqpërdorime individuale të luftës ka patur por fatmirësisht nuk ka shumë gabime”, përfundon për “Bota sot”, ish agjenti i SHIK-ut Naim Miftari.

E avokati i Krasniqit, Arianit Koci ka deklaruar se bastisja e shtëpisë në orët e sotme të mëngjesit, mund të jetë konfirmim i aktakuzën.

“Po kryhet një bastisje e cila është spektakël i panevojshëm, deri sot çdo njëri është paraqitur në speciale nuk ka pasur nevojë për një spektakël të tillë. Kjo mund të jetë konfirmim i aktakuzës por jo domosdoshmërisht”, tha Koci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat