Paralajmërimi i Tomë Gashit: Ky është veç fillimi i Gjykatës Speciale!

Politika

Paralajmërimi i Tomë Gashit: Ky është veç fillimi i Gjykatës Speciale!

Nga: D.B. Më: 4 nëntor 2020 Në ora: 17:23
Tomë Gashi

Pas disa orësh bastisje nga zyrtarët e EULEX-it në shtëpinë e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, ai është arrestuar dhe është nisur drejtë Hagës.

Për arrestimin e Jakup Krasniqit ka reaguar edhe Avokati Tomë Gashi ka thënë për gazetën “Bota sot” se bastisja e shtëpisë së Jakup Krasniqit është veprim i pa nevojshëm por jo i jashtëligjshëm që po e kryejnë policia e prokurorisë speciale me kërkesë të Gjykatës Speciale në Hagë.

Sipas tij, ky veprim është në kuadër të veprimeve të Gjykatës Speciale e për të cilën Gjykatë kanë votuar në gusht të vitit 2015, mbi 82 deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Pra ne ishim shtet dhe ishim republikë parlamentare dhe prapëseprapë deputetët e shtetit tonë votuan gjykatë kundër vetvetes, kundër shtetit tonë të pavarur dhe kundër gjakut të derdhur e jetët e humbura gjatë luftës në Kosovë. Dhe ja që tani e kemi situatën e tillë saqë po bastiset e po arrestohet zëdhënësi i UÇK-së dhe sipas të gjitha gjasave po transferohet në Hagë pasi aktakuza kundër tij qenka konfirmuar. Do të ketë edhe arrestime të tjera dhe kjo është vetëm fillimi i punës së Gjykatës Speciale dhe ne do të shohim skena të tilla e të ngjashme për 10 vitet e ardhshme. Sepse asnjë gjykim nuk mund të kryhet në afate më të shkurta kohore për shkak të kompleksitetet të akuzave”, ka thënë avokati Gashi.

Ai ka pohuar se tani mund të dihet se kush e ka radhën, dhe se së shpejti do të ketë edhe akuza të tjera të konfirmuara, përveç atyre që i dimë deri më tani.

“Deri më tani janë të dituar 4 aktakuza të ngritura, por kjo fatkeqësisht është vetëm fillimi. Po korret ajo e keqe që është mbjellë në gusht të vitit 2015, andaj mos të vajtojnë ata të cilët e votuan këtë Gjykatë Speciale. Mos të vajtojnë as ata që kanë apstenuar, sepse këtë e kanë bërë për arsye të cilat vet ata i dinë. Nëse ka qenë në të mirë të Kosovës atëherë pse po ankohen të tillët, kur vet e krijuan këtë monstrum si gjykatë, andaj tani nuk ka që e ndal atë, derisa ta kryej mandatin e vet”, ka thënë avokati Tomë Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat