Muhamet Kelmendi: Gjykata Speciale nuk ka fakte, prandaj po bëhet zhurmë!

Politika

Muhamet Kelmendi: Gjykata Speciale nuk ka fakte, prandaj po bëhet zhurmë!

Nga: A.Z Më: 4 nëntor 2020 Në ora: 21:54
Jakup Krasniqi

Gjatë ditës së sotme, në kuadër të një operacioni nga Zyra e Prokurorit të Specializuar apo Gjykata Speciale për krime lufte me seli në Hagë të Holandës, policia e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës, për mbi 8 orë kanë kryer bastisje në shtëpinë e ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Prishtinë.

Ky i fundit është shoqëruar nga zyrtarët e Speciales pas shumë orë marrje në pyetje dhe bastisje në shtëpinë e tij. Arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe avokati i tij, Valon Hasani.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe njohësi i çështjeve juridike Muhamet Kelmendi, i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se është e vështirë të duket se kush do të arrestohet, e tërë çështja qëndron të Prokuroria Speciale se ndaj kujt paraqet aktakuzë, nga e cila askush nuk ka mundësi të thotë se ai person do të akuzohet.

“Nga Specialja kush do të arrestohet është vështirë të duket, e tërë çështja qëndron te Prokuroria Speciale se si punon dhe ndaj kujt paraqet aktakuzë. Prej kësaj vërehet se askush nuk ka mundësi për të thënë ky apo ai person do të akuzohet apo edhe arrestohet. Të presim zhvillimet se si do të bëhen”, ka thënë Kelmendi.

Më tej ka theksuar se është e dëmshme kjo zhurmë e madhe e arrestimeve, për faktin se po veprohet ndaj çlirimtarëve sikurse ndaj kriminelëve duke u dëmtuar edhe imazhi i UÇK-së. Sipas tij, kjo zhurmë e madhe e arrestimeve është për faktin se Specialja nuk ka fakte.

“Është shumë e dëmshme kjo formë e arrestimit. Kjo për faktin se po veprohet ndaj çlirimtarëve si ndaj kriminelëve. Kështu po dëmtohet imazhi i UÇK-së. Specialja e dinë se me zhurma nuk dënohen njerëzit. Kërkohen prova e prova nuk ka. Prandaj, veprohet kështu me zhurmë dhe nuk dihen fare arrestimet e ardhshme”, përfundoi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat