Liria e Kosovës nuk ka emër të përvetshëm

Politika

Liria e Kosovës nuk ka emër të përvetshëm

Nga: G.B Më: 5 nëntor 2020 Në ora: 15:12
Selia e Gjykatës Speciale

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë sot dorëheqje nga posti i kreut të shtetit, pasi Gjykata Speciale i ka konfirmuar aktakuzën.

Ai tha se nuk po thotë lamtumirë por vetëm mirupafshim dhe se është krenar që ka qenë pjesë e UÇK-së.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se është hap i dinjitetshëm i presidentit akti i dorëheqjes dhe se angazhimi i tij për ta formuar Specialen ka qenë i hapur dhe këmbëngulës.

“Këto janë të gjitha ngjarje të pritura dhe të paralajmëruara. Është hap i dinjitetshëm i ish presidentit akti i dorëheqjes dhe paraqitja e tij vullnetare. Në fund të fundit Gjykata speciale është pjesë e sistemit të drejtësisë kosovare dhe angazhimi i ish presidentit për formimin e saj ishte i hapur dhe këmbëngulës”, është shprehur ai.

Lepaja thotë se nuk e komenton aktakuzën pasi nuk e di përmbajtjen, por beson se gjykimi do të jetë i drejtë dhe të akuzuar do t’i rrëzojnë pretendimet e aktakuzave, duke shtuar se kjo nuk ka të bëjë me luftën çlirimtare por me individë apo grupe, njerëzit me emër të përvetshëm.

Image
Fadil Lepaja

“Pasi nuk jam i njoftuar me përmbajtjen e akuzës nuk mund të komentoj atë, por besoj se gjykimi do të jetë i drejtë dhe të akuzuarit të cilët kanë edhe mbrojtje institucionale, të arrijnë të rrëzojnë pretendimet e akuzës. Sidoqoftë, kjo nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me luftën çlirimtare sepse asnjë gjykatë nuk ka mandat të merret me të, as me vullnetin politik të një populli. Gjykatat gjykojnë vetëm për krimet individuale apo grupore, njerëzit me emër të përvetshëm”, ka vlerësuar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Tutje, ai e quan përmirësim të imazhit të Kosovës, vet dorëzimin e të akuzuarve ndaj gjykatës, pasi kishte shqetësim se kjo mund të eskalojë.

“Mendoj se dorëzimi i të akuzuarve para gjykatës, përkatësisht vet dorëzimi i tyre, është një përmirësim i imazhit institucional të Kosovës, sepse ekzistonin shqetësime nëpër mediat botërore se e gjithë kjo mund të eskalojë pasi në Kosovë nuk ka respekt për institucionet dhe shtetin:, ka shtuar ai.

Lepaja thotë se liria e Kosovës nuk ka emër të përvetshëm, e ka emrin e popullit të saj, të UÇK-së e NATO-s dhe nuk mund t;i vë në pyetje këto vlera asnjë emër i përvetshëm.

“Liria e Kosovës nuk ka emër të përvetshëm, ajo e ka emrin e popullit të saj, të persekutuar egër nën pushtimin serbo-jugosllav, emrin e UÇK-së dhe NATO-s. Asnjë emër i përvetshëm nuk mundet me i vu në pyetje këto vlera dhe merita historike”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat