Tomë Gashi: Hashim Thaçi sot po shkon në Hagë si i akuzuar duke e lënë Kosovën të dëmtuar

Politika

Tomë Gashi: Hashim Thaçi sot po shkon në Hagë si i akuzuar duke e lënë Kosovën të dëmtuar

Nga: G.B Më: 5 nëntor 2020 Në ora: 16:08
Hashim Thaçi dhe Tomë Gashi

Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit sot, për shkak të konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Ai ka udhëtuar sot drejt Hagës bashkë me Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

Lidhur me këtë, avokati Tomë Gashi thotë se Thaçi e ka dëmtuar rëndë Kosovën me formimin e kësaj gjykatë dhe sipas tij, lakmia për pushtet e kishte bërë që të mos besonte se do të konfirmohej aktakuza ndaj tij, kur ajo u ngrit në qershor të këtij viti.

“Secili deputet por posaçërisht z.Hashim Thaçi, që ka mundur të mendojë me 3 gusht të vitit 2015 kur edhe u votua Gjykata Speciale, se mund të ketë amnisti për të apo miqtë e tij ka gabuar rëndë. Hashim Thaçi e ka dëmtuar Kosovën aq rëndë me insistimin e tij të pa shembull në vitin 2015 që ta themelojë Gjykata Speciale për hetimin e pjesëtarëve të UÇK-së sa që as tani nuk është duke e kuptuar se çfarë dëmi i ka bërë shtetit të Kosovës. Hashim Thaçi, permanent ka qenë i dëmshëm në raport me Gjykatën Speciale dhe bindja ime është që lakmia për pushtet e bëri të tillë, sa që ai thjeshtë nuk donte ta pranonte faktin as pas njoftimit nga Gjykata Speciale 24 qershor 2020 se është i akuzuar për krime të luftës dhe për krime kundër njerëzimit se po i ikën pushteti nga duart dhe se karriera e tij politike ka marrë fund”, është shprehur ai.

Sipas Gashit, Thaçi bëri dëm që e mbajti postin e presidentit edhe pasi e bëri publike aktakuzën nga Specialja dhe se është meritë e tij që sot 7 pjesëtarë të UÇK-së janë të arrestuar nga Specialja.

“Hashim Thaçi e bëri edhe një dëm të madh pas bërjes publike të ngritjes së aktakuzës kundër tij nga Gjykata Speciale, sa që edhe për 134 ditë e mbajti pozitën e presidentit me inat dhe me zor ngase me ligj nuk e kishte të obliguar që të jap dorëheqje, por ka diçka që vlen më shumë se ligji dhe ato janë normat morale, etike të cilat e obligonin që të jap dorëheqje menjëherë nga posti i Presidentit të vendit, por ai këtë nuk e bëri deri në ditën e sotme kur thjesht ishte i detyruar. Është edhe ‘meritë’ e z.Hashim Thaçi e vitit 2015 sa që tani i kemi 7 pjesëtarë të UÇK-së të arrestuar nga Gjykata Speciale që është aq e dëmshme sa që përjetësisht nuk do të mund t’i riparojmë dëmet e krijuara nga formimi i një Gjykate që do të sjellë gjithçka por vetëm drejtësi jo”, ka vlerësuar avokati.

Tutje, ai shton se Thaçi lejoi që të ishte në faqet e para të medieve botërore se është akuzuar kryetari i shtetit të Kosovës, duke i dëmtuar imazhin Kosovës, duke shtuar se një burrështetas do të duhej të vepronte ndryshe.

“Hashim Thaçi lejoi që e gjithë bota ta sheh në faqet e para të medieve botërore, se është akuzuar kryetari i shtetit të Kosovës, për krime të luftës dhe për krime kundër njerëzimit, e që Kosovën e dëmtojnë aq shumë sa që dëmet do të jenë të përjetshme ngase historia do t’i mbajë mend dhe do t’i shënojë si një rast jashtëzakonisht i rëndë që e goditi Kosovën dhe që i realizoi dëshirat e Serbisë deri në atë masë sa që e gjithë bota e dinte në vitin 1999 se ne ishim viktimë e sulmeve barbare serbe me tentim deri në shfarosjen tonë si popull e që quhet gjenocid, ndërsa tani jemi shndërruar thuajse në agresor dhe Serbinë e kanë përkëdhelur aq shumë Hashim Thaçi dhe shokët e tij, sa që Serbia duket tani si viktimë në sytë e bashkësisë ndërkombëtare. Një burrë shtetas do të duhej të vepronte krejtësisht ndryshe, jo që për ta shpëtuar vetveten nga krimet që ne besojmë që nuk i ka bërë, ta sjell një gjykatë të këtillë që më shumë është e Serbisë se e Kosovës, dhe që do t’i gjykojë vetëm shqiptarët”, ka theksuar Tomë Gashi për “Bota sot”.

Ai thotë se Gjykata Speciale edhe pse e formuar nga Kosova, nuk e njeh Kosovën, nuk ka asnjë shenjë të identifikimit të shtetit të Kosovës.

“Gjykata Speciale tanimë nuk është e Kosovës, edhe pse e themeluar prej vet Kosovës, ajo nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk ka asnjë shenjë të identifikimit të shtetit të Kosovës qoftë me mbishkrim Republika e Kosovës, qoftë me stemë, qoftë me logo, sepse as këtë nuk e lejuan serbët, ngase nuk do të paraqiteshin në atë gjykatë që do të kishte simbole të Republikës së Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Avokati thotë po ashtu se Specialja na e bëri edhe një dëm duke na e lënë Thaçin president edhe për 134 ditë që nga bërja publike e aktakuzës, duke shtuar se Thaçi sot po shkon në Hagë si i akuzuar, duke e lënë Kosovën të dëmtuar.

“Gjykata Speciale na e bëri edhe një dëm jashtëzakonisht të rëndë duke lejuar për 134 ditë Hashim Thaçi që të mbetet President i Kosovës dhe të krijojë dëme edhe më të mëdha që bota ta marrë vesh se përveç aktakuzës së ngritur me 24 prill 2020 ai të ushtrojë këtë funksion sado të zbehtë edhe për 134 ditë e që i bie se nuk ka dëshmuar se ka kurrfarë përgjegjësie siç thotë ai shtetërore, por thjesht ka dashur të besojë diçka që nuk ka mundur të ndodhë pas publikimit të akuzës kundër tij, e që akuza mos t’i konfirmohet. Hashim Thaçi sot po shkon në Hagë si i akuzuar duke e lënë Kosovën të dëmtuar ngase aktakuza nga gjykata që e formoi vet e gjeti atë në postin e presidentit”, ka deklaruar Tomë Gashi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat