“Hashimi e ka ditur”, profesori tregon mashtrimin e madh të Thaçit para nisjes në Speciale

Politika

“Hashimi e ka ditur”, profesori tregon mashtrimin e madh të Thaçit para nisjes në Speciale

Nga: P.R Më: 6 nëntor 2020 Në ora: 09:11
Hashim Thaçi

“Ajo çfarë ia tha se "Nuk mund të shkoj në Hagë si president i Kosovës", është një mashtrim i madh, sepse në momentin që do të largohej nga vendi, me kushtetutë do të lindte e drejta që dikush tjetër, përkatësisht kryetarja e kuvendit, të kryente funksionet e kryetarit të shtetit”, nënvizon Bytyçi.

Zhvillime dramatike kanë ndodhur në Kosovë në dy ditët e fundit. Për këtë është përkujdesur Gjykata Speciale, e cila ka konfirmuar aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit, të cilët gjatë ditë së djeshme kanë udhëtuar për në Hagë.

Aktakuza e konfirmuar nga Gjykata Speciale, bëri që Hashim Thaçi të jap menjëherë dorëheqje nga posti i presidentit të vendit.

Për këto zhvillime politike në Kosovë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Bytyçi ka thënë se Gjykata Speciale nuk do të ndale me kaq, dhe se do të ketë edhe arrestime të tjera.

Image
Enver Bytyçi

“Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, në bashkëpunim me policinë ndërkombëtare të EULEX, ka kontrolluar dje shtëpinë e Jakup Krasniqit dhe e ka marrë atë në përgjegjësi penale për akuza për krime lufte. Më pas ata arrestuan një nga ish-komandantët e UÇK-së, zotin Selimi, ndërsa dje u dorëzuan në Hagë edhe Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi. Duket se kjo nuk do të ndalojë këtu. Natyrisht kjo do të mbetet në histori si goditja më e madhe që u jepet disa politikanëve, përfshirë presidentin e vendit, por do të ketë dhe arrestime të tjera, akuza, kontrolle banesash e ndoshta më shumë se kaq. Me shpalljen e akuzave kreu i PDK-së dhe kreu I shtetit dhanë dorëheqjen. Ky akt është për t'u përshëndetur dhe nëse ata do të mbajnë qëndrime dinjitoze e do të dalin të pafajshëm, sigurisht që do të ndodhë ajo që zoti Thaçi tha sot në konferencën e tij për shtyp se "Nuk do ju them lamtumirë, por do ju them mirë u pafshim"!”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, kjo valë arrestimesh nuk i bën mirë imazhit të Kosovës.

“Ndërkaq e konsideroj këtë si një akt diferencimi pozitiv për kriminelët serbë. Ndoshta Thaçi dhe politikanët e tjerë, kur votuan Gjykatën Speciale do të duhej ta kushtëzonin këtë me ngritjen e një gjykate tjetër speciale për Serbinë, në të njëjtin model si kjo gjykatë, që tani konsiderohet si rrezik për vendin. Në fund të fundit kanë kriminelët serbë ata që shëtisin të lirë sot dhe madje mburren me krimet që ata kanë bërë kundër shqiptarëve dhe popujve të tjerë në Ballkan në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar. Ndaj ishte plotësisht legjitime të ngrihej një gjykatë speciale për këta kriminelë dhe këto krime serbe në Kosovë”, thekson profesor Bytyçi

Ai shton se Kosova do të dëmtohet në shtetësinë e saj për shkak të këtyre arrestimeve.

“Pavarësisht kësaj, klasa politike e Kosovës pranoi të vetëpastrohej me guxim, duke vendosur me ligj kushtetues ngritjen e një gjykate të tillë. Koha që ka kaluar prej vitit 2015, kur gjykata mori bekimin e parlamentit të Kosovës ishte e mjaftueshme për të realizuar hetime të thelluara për krimet që janë bërë në Kosovë, sidomos ato kundër shqiptarëve. Nëse zbardhen këto krime, kushdo që i ka bërë dhe I ka urdhëruar ato, duhet njëkohësisht të turpërohet para kombit të vet. Sigurisht askush nuk është fajtor, derisa gjykata të provojë fajin. Është për të ardhur keq që një numër i madh personalitetesh që kanë udhëhequr luftën për çlirimin e Kosovës akuzohen për krime lufte. Por kjo nuk do të thotë se ata nuk duhet të ndëshkohen, nëse gjenden fajtorë. Megjithatë nuk mendoj se Kosova do të dëmtohet në shtetësinë e saj për shkak të këtyre arrestimeve. Përkundrazi, unë jam I parimit, se sa më e pa kompromentuar dhe e pastër të jetë qeverisja dhe politika e një vendi, aq më e mundshme bëhet që ky vend të përparoje dhe prosperojë”.

Por Bytyçi deklaron se shkuarja e Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale nuk i bën asnjë dëm Kosovës.

“Një klasë politike e korruptuar dhe e kompromentuar ta shet atdheun, siç u përpoq ta shesë një pjesë të Kosovës, presidenti i saj, Hashim Thaçi. Shembulli është shumë i freskët dhe shqiptarët duhet të binden se Kosovën do ta bëjnë shtet ata politikanë që nuk janë peng i Beogradit. Në këtë kuptim unë e shoh si të tillë një shtresë të brezit të ri të politikanëve, të cilët nuk janë inkriminuar në rrethana të caktuara. Prandaj dhe shkuarja në Hagë dhe hetimi i Hashim Thaçit, veçanërisht Hashim Thaçit, nuk i bën asnjë dëm Kosovës, pavarësisë dhe shtetësisë së saj. Në fund të fundit konsideroj se presidenti i dorëhequr është përgjegjës për gjithçka që po ndodh sot dhe ai duhet të përgjigjet gjithashtu politikisht e moralisht para shoqërisë kosovare, edhe nëse merr pafajësi në gjyqin e Hagës”, shprehet Bytyçi.

Më tej, profesor Bytyçi shton se Hashim Thaçi duhej të jepte dorëheqje qysh në momentin kur u publikua lajmi për propozim aktakuzën ndaj tij.

“Presidenti I Kosovës, Hashim Thaçi, duhej t'ia kursente vendit të tij lajmet e tilla ndërkombëtare se "Presidenti i Kosovës përfundon në Hagë"! Ai duhej të jepte dorëheqje që atë ditë që u kthye nga intervistimi, sepse në përfundim të asaj interviste ai e ka ditur se do të arrestohej një ditë. Nëse do të kishte ndodhur kjo, sot Kosova do të kishte presidentin e ri dhe askush në botë nuk do të përhapte lajme të tilla si "Arrestohet presidenti i Kosovës"! Në këtë kuptim dorëheqja e tij e sotme ishte e pakthyeshme dhe jo vullnet e Hashim Thaçit. Ajo çfarë ia tha se "Nuk mund të shkoj në Hagë si president i Kosovës", është një mashtrim i madh, sepse në momentin që do të largohej nga vendi, me kushtetutë do të lindte e drejta që dikush tjetër, përkatësisht kryetarja e kuvendit, të kryente funksionet e kryetarit të shtetit”, nënvizon Bytyçi.

“Sido që të analizohen ngjarjet për mua përgjegjësinë kryesore për këto e ka ish-kreu I shtetit, Hashim Thaçi. Më vjen keq për disa miq të tij në LDK, që tani nuk kanë me kë të konsultohen për vazhdimësinë e intrigave në dëm të vendit të tyre. Madje do të doja që Gjykata e Hagës ose prokuroria e saj të autorizonte Agim Veliun që ta arrestonte presidentin e vendit, në këmbim të mbështetjes që I dha atij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat