A po diskutohet në LDK, futja e PDK-së në koalicion? Përgjigjen nga partia e Isa Mustafës

Politika

A po diskutohet në LDK, futja e PDK-së në koalicion? Përgjigjen nga partia e Isa Mustafës

Nga: N. H Më: 7 nëntor 2020 Në ora: 00:59
Agim Veliu, Isa Mustafa dhe Lutfi Haziri

Përplasjet për brenda koalicionit Qeverisës në Kosovë mes LDK-së e AAK-së sa vijnë e po shtohen, por përkundër kësaj, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa vazhdon të mendojë që kjo qeverisje është stabile.

Një prej çështjeve që në vazhdimësi dëgjohet është se po përgatitet futja e partisë së PDK-së në koalicion.

A e ka diskutuar kjo parti në forumet e saj futjen e Partisë Demokratike të Kosovës në qeveri? Lidhur për këtë cështje ka folur anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

LEXO EDHE: Deputeti i LDK-së: Koalicioni qeverisës është stabil, LDK-ja fiton prapë në bastionin e saj

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherit anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Ilir Ferati, ka treguar për gazetën “Bota sot”, se deri më tani ky subjekt nuk e ka diskutuar çështjen e futjes së PDK-së në koalicionin qeverisës.

Image
Ilir Ferati

“Mendoj që kemi mjaftueshëm probleme aktualisht si shtet dhe si shoqëri, që na pamundësojnë që ta kthejmë fokusin tek kombinimet politike. Unë jam anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, dhe nuk kemi pasur ndonjë takim apo diskutim të forumeve në lidhje me këtë çështje”, shprehet Ferati.

Tutje, ai flet edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme, për të cilat shprehet se secila parti e përfaqësuar në Kuvend është e gatshme për zgjedhje, mirëpo, sipas tij, momenti në të cilën ndodhet vendit, shkuarja në zgjedhje të reja nuk është e mirë.

“Pyetje që nuk mund t’i jap përgjigje konkrete. Konsideroj që secila parti e përfaqësuar në Kuvend është e gatshme për zgjedhje, por mendoj që diskutimi duhet të jetë se a është situata e favorshme për organizim të zgjedhjeve, dhe në situatën të cilën gjendemi duke u përballë me pandeminë, a e kemi të drejtën politike e morale që të krijojmë vakuum, duke organizuar zgjedhje, rezultati i të cilave në konfiguracionin e tanishëm politik veçse përafërsisht dihet”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat