Kritikohet BE-ja, kjo është zgjidhja për Kosovën

Politika

Kritikohet BE-ja, kjo është zgjidhja për Kosovën

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 7 nëntor 2020 Në ora: 13:16
Ilustrim

Për vite më radhë, dialogu vazhdon të jetë një ndër temat e nxehta për Kosovë, si dhe Serbinë.

Vazhdimisht ka pasur kritika rreth qasjes të Serbisë, si dhe të Brukselit në dialog.

Së fundi, Bashkimi Evropian ka marrë kritika nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ai ka thënë se dialogu po e humbet kuptimin.

Përveç kësaj, i pari i LDK-së, ka thënë se ka tendenca të hapen disa tema që janë të njëjtat me ato që janë diskutuar në procesin e Vjenës.

“BE-ja do të korrigjohet”

Lidhur më këtë, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar arsyen se pse BE-ja ja ka vënë disa pikëpyetje strategjike ndaj realizimit të shtetësisë së Kosovës!

Image
Skënder Zogaj

“Disa nga pikëpamjet e BE-së që nga fillimi nuk kanë qenë në rregull, mirëpo, Kosova duke qenë e ballafaquar me gjendjen e brendshme, aspak të mirë, madje në disa momente tepër të rrezikshme, siç ishin ngjarjet vetshkatërruese të vitit 2004, kemi qenë të detyruar të heshtim dhe të shpresojmë se, BE-ja do të korrigjohet! Kjo nuk ka ndodhur sepse, politika jonë në vend se të ndërgjegjësohet dhe të korrigjohet, është rebeluar dhe është bërë pjesë e krimit dhe korrupsionit të organizuar! Këtu edhe qëndron arsyeja që BE-ja ka vënë disa pikëpyetje strategjike ndaj realizimit të shtetësisë së Kosovës!”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Më tej, Zogaj ka përmendur edhe deklaratat e Mustafës rreth dialogut me Serbinë.

“Prandaj, lideri i LDK-s, Isa Mustafa, jo vetë këto ditë, por edhe më herë ka theksuar tendencat e dukshme për hapjen e disa temave, që Kosovës nuk i konvenojnë, mirëpo, që nuk ka qare pa u marrë me to, sepse, herët a vonë duhet të marrin përgjigjen përfundimtare të pranuar dhe të garantuar nga BE-ja!”, ka potencuar Zogaj për “Bota sot”.

Sa i përket deklaratës së fundit të Mustafës, Zogaj është shprehur se si reagim të mençur dhe në kohën e duhur.

“Deklaratën më të re të Isa Mustafës e shoh si reagim të mençur dhe në kohën e duhur, që faktori politik dhe institucionet e Kosovës të mos rrinë gafil, por të përgatiten për ofensivën përfundimtare, e cila do të bëhet pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, e cila shpresojmë se, do të jetë në krahun e Kosovës dhe procesi do të kryhet me procedurë të shpejtuar! Por, Kosova nuk guxon të vazhdojë me gabime!”, ka theksuar Zogaj për “Bota sot”.

Kosova nuk e ka luksin vetëm të kritikojë

Ndërkaq, profesori universitar, Enver Bytyçi, ka thënë se kreu i LDK-së ka të drejt të kritikojë Brukselin për pro-serbe në dialogun Kosovë-Serbi.

Image
Enver Bytyçi

“Isa Mustafa dhe gjithë ne kemi të drejtën e Zotit që ta kritikojmë Brukselin për vizionin dhe idetë pro-serbe në dialogun Kosovë-Serbi. Por kjo është atribut i imi ose analistëve të shumtë. Politikanët e Kosovës nuk kanë tagër të kritikojnë. Aq më pak ata që janë në pushtet, si Isa Mustafa. Ata kanë tagër vetëm të veprojnë. Të mbajnë qëndrime, të reflektojnë, të përmirësojnë idetë, pikëpamjet dhe të luftojnë për interesin e Kosovës jo vetëm në Bruksel, por edhe në Uashington e kudo që u jepet mundësia të marrin pjesë në forumet ndërkombëtare”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas tij, në vend të kritikave, pushtetarët do të duhet të lobojnë për njohjen e Kosovës nga vendet të cilat janë pjesë e BE-së.

“Ata që qeverisin Kosovën tanë detyrë të lobojnë dhe të punojnë fort natë e ditë për njohjen e Kosovës nga 5 vendet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Në vend që të kritikojnë, ata duhet të lobojnë, të bëjnë diplomaci. Fatkeqësisht Kosova nuk e ka luksin vetëm të kritikojë. Ky infeksion që ua ngjizi Hashim Thaçi të gjithë politikanëve të Kosovës, duhet të kurohet. Nuk ka dobi me ankesa e qarje, me kritika dhe sulme të paprecedenta si ato të Hashim Thaçit. Ne shqiptarët e kemi një fjalë të urtë popullore me të cilën presupozojmë suksesin. Themi "Qingji i urtë pi dy nëna"! Edhe pse kërkojmë njohje, edhe pse kemi nevojë për të tjerët, edhe pse na duhet të pranohemi në OKB e kështu me radhë, ne në retorikë japim urdhra, në vend që të konstruktojmë qëndrime. Kur nuk ka qëndrime, atëherë përpiqemi që mungesën e tyre ta kompensojmë në opinion me deklarata të forta”, ka vlerësuar Bytyçi për “Bota sot”.

Deklaratën e Mustafës, profesori e sheh si një lloj justifikimi për të ardhmen.

“Kush e detyron Isa Mustafën të pranojë në dialog hapjen e temave të bisedimeve të Vjenës para pavarësisë? Askush nuk mundet. Pse deklarohet atëherë publikisht për këtë? Mos do të thotë se "Po na bëjnë presion" dhe nesër të justifikohet se "Ne paralajmëruam dhe nuk mundëm ta parandalojmë procesin"?!”, shprehet Bytyçi.

Ndërkaq, ai shpjegon se çfarë ishte diskutuar në Vjenë, dhe tregon se cila temë ishte mbyllur.

“Temat e diskutuara në Vjenë janë të shumta, por produkti i bisedimeve ka sjellë pavarësinë sipas pakos Ahtisaari dhe kushtetutën e Kosovës po ashtu. Temë e Vjenës ishte për së paku një seancë edhe ndarja e Kosovës, por ajo temë u mbyll shpejt nga Ishinger. Në ato bisedime Ahtisaari është përballur me presione të mëdha për të krijuar dy shtete brenda shtetit të Kosovës, për ta trajtuar Kosovën si pjesë të Serbisë në kuptimin e sigurisë, mbrojtjes dhe politikës së Jashtme, për t'u dhënë serbëve ekstra-territorialitet dhe krijuar disa shtete serbe brenda shtetit të Kosovës. Por të gjitha këto dështuan, sepse pala e Kosovës nuk i pranoi opsione të tilla. Serbia nuk e pranoi pavarësinë me kushtet e pakos së Ahtisaarit. Tani Beogradi lufton që të rikthejë pozitën e para pavarësisë. Diskutimi i temave të Vjenës është vënie në diskutim i pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës”, ka deklaruar Bytyçi për “Bota sot”.

“Nëse gjejnë gjynahqarë si Thaçi e Mustafa, serbët mund t'ia arrijnë qëllimit”

Sipas tij, duhet të bëhet largimi nga bisedimet, dhe mund të ndihmoj opozita për këtë çështje.

“Prandaj Mustafa e ka më të lehtë të largohet nga bisedimet dhe e siguroj se nuk e gjen kurrgjë për këtë, sesa të ankohet te qytetarët për presionet serbe në Bruksel. Qytetarët nuk e ndihmojnë atë. Opozita po. Ajo mundet t'u drejtohet qytetarëve kur qeveria shkel sovranitetin te integritetin e vendit e të qeverisjes së tij. Sepse opozita nuk është vendimmarrëse në bisedimet Kosovë-Serbi”, ka shtuar Bytyçi.

Më tej, profesori thekson se anti-shqiptar i Beogradit është rikthimi në bisedime të pavarësisë së Kosovës.

“Ajo formula e betimit për të mos e lëshuar "Kosovën dhe Metohinë" ishte lajmi se Serbia dëshiron ta rikthejë në diskutim pavarësinë e Kosovës. Nuk ka asnjë kuptim tjetër ky hap anti-shqiptar i Beogradit. Nëse gjejnë gjynahqarë si Thaçi e Mustafa, serbët mund t'ia arrijnë këtij qëllimi. Por unë besoj se qeveria e Kosovës, parlamenti, opozita, partitë politike, opinioni publik do të bashkohen kundër çdo përpjekjeje për të vënë në diskutim shtetësinë dhe pavarësinë e vendit. Ndryshe i rroftë Hashim Thaçit që më 17 shkurt 2008 lexoi një "letër bakalli" në parlamentin e Kosovës. Deklarata e pavarësisë do të konsiderohej letër bakalli, nëse rikthehen në diskutim temat e bisedimeve të Vjenës”, ka cilësuar profesori.

Për këtë çështje, ai shprehet se Mustafa nuk duhet të fajësoj vetëm Brukselin dhe se duhet të marr guximin t`i thotë gabimet e veta në çështjen e bisedimeve.

“Ta kthesh situatën e Kosovës te diskutimi për statusin e saj, kur ky status është përfunduar, ky është rezultat i politikave të rehabilitimit të Serbisë në bashkësinë ndërkombëtare nga ana e Hashim Thaçit, Edi Ramës, proces në të cilin ka ndihmuar me ose pa dashje edhe Isa Mustafa. Prandaj Isa bën mirë t’i thotë gjërat me emrin e vet. Të fajësojë jo vetëm Brukselin, por në radhë të parë presidentin e Kosovës dhe kryeministrin e Shqipërisë e të reflektojë për politikat e veta në këtë drejtim. T'ia bëjë pyetjen vetes: A gaboi ai dhe ku gaboi në bisedimet me Serbinë dhe ta marrë guximin t'ia thotë gabimet e veta shqiptarëve. Pastaj të ankohet edhe për Brukselin!”, ka përfunduar profesori Bytyçi për “Bota sot”.

Mustafa i përfshirë si faktor krucial në procese, që të ri-hapen tema të mbyllura në negociatat e Vjenës

Kurse, njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se kjo deklaratë e Mustafës është jo korrekte dhe shfaqë një tjetër dyfytyrësi të radhës.

Image
Mirsad Voca

“Ky qëndrim i Mustafa është jo korrekt dhe për më tepër shumë i vonshëm e për të mos thënë se tani ky po shfaq një tjetër dyfytyrësi të radhës. Negociata të tilla që hapin tema që kanë qenë të mbyllura në Vjenë e që ndërlidhen me sovranitetin e Shtetit të Kosovës i legjitimuar dhe nga GjND-ja, janë lejuar të hapen me vetdëshirë të kësaj Qeverie, por dhe të qeverive të mëparshme pjesë e së cilave ishte edhe vet Isa Mustafa”, ka deklaruar Voca.

Për më tepër, ai shton se këto negociata me Serbinë nuk kanë qenë asnjëherë teknike.

“Natyrisht se që nga hapja e atyre negociatave të ashtuquajtura teknike e që asnjëherë nuk kanë qenë të tilla, sepse çdo herë është interferuar në çështje politike të brendshme që kanë impakt të drejtpërdrejtë në lëkundjen e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës, ato qeveri si dhe kjo e tanishmja kanë vetëlejuar duke përfshirë këtu Isa Mustafën si faktor krucial në këto procese, që të ri-hapen tema tashmë të mbyllura në negociatat e Vjenës”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Sipas Vocës, të gjithë individët e përfshirë në këto negociata do të duhet të japin përgjegjësi sepse janë bashkëfajtorë për këtë regres madhor.

“Të gjithë individët dhe qeveritë të përfshirë në këto negociata të padëshiruara për qytetarin e Kosovës do të duhet të japin përgjegjësi sepse janë bashkëfajtorë për këtë regres madhor, ku diskutohet sovraniteti dhe integriteti i vendit, krijimi i entiteteve të brendshme që e dëmtojnë sovranitetin e brendshëm, dhe asetet më jetësore të Kosovës me përgjysmimin e të cilave Kosova do të mbetet Shtet i paralizuar dhe për pasojë i varur. Këta  individë duhet ta kenë të qartë se këto shtylla shtetërore mbrohen dhe nëse dëmtohen edhe ndëshkohet me Kushtetutë”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Më tej, ai shprehet që kryeministri Avdullah Hoti duhet të jap dorëheqje, pasi po vazhdon me avazin e vjetër të dëmtimit të sovranitetit dhe integritetit të vendit.

“Edhe kjo Qeveri e tanishme, e sajuar jolegjitimisht edhe nga vet Isa Mustafa dhe individë e grupe tjerë të fokusuar ekskluzivisht në interese e në përfitime personale duke e injoruar totalisht vullnetin dhe interesin e Qytetarit, do të duhej sa më parë të bie dhe këta individë të mënjanohen nga skena politike. Do të këshilloja po ashtu këtë kryeministër aktual të jap dorëheqje sepse do të tregonte pakëz dinjitet, si përball vetvetes e pastaj ndoshta dhe përball qytetarit sepse nuk është duke bërë asgjë të mirë për qytetarin, po vazhdon me avazin e vjetër të dëmtimit të sovranitetit dhe integritetit të vendit, dhe me gjasë nuk do të mund t‘i sjellë tani as vetes dhe si më parë as vendit ndonjë përfitim ndërsa tani qytetari i Kosovës po vetëdijesohet për një kthesë të re”, ka përfunduar Voca për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat