Kërkohet ndërprerja e dialogut me Serbinë

Politika

Kërkohet ndërprerja e dialogut me Serbinë

Nga: A.M. Më: 7 nëntor 2020 Në ora: 14:08
Ilustrim

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Mulliqi ka folur rreth kërkesës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka kërkuar që të ndërpritet dialogu me Serbinë.

“Mua më duket së pas arrestimeve të disa drejtuesve të institucioneve të shtetit, ishte dashur që këto bisedime të ndërpriten, ose të vazhdohen më një agjendë, jo të caktuar si deri tash nga shovinisti Vuçiq, por më një agjendë  të Kosovës, kur dihet së nga viti 2008, jemi shtet sovran dhe i pavarur”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka numëruar disa mënyra se si duhet të veproj Kosova në këtë rast.

 “E para, pala jonë duhet të kërkon, anulimin e atyre marrëveshjeve të nënshkruara, sidomos për temat e interesit shtetëror dhe nacional, që ishin në dëm të Kosovës. E dyta, mos të vazhdohen bisedimet më palën serbe, pa u pranuar pavarësia e Kosovës. E treta, mos të bisedohet më Serbinë e pa reformuar pa dhënë ajo përgjigje për të pagjeturit. E katërta, të kërkohen dëmet e luftës dhe suksesioni. E pesta, e ndoshta është dashur të renditet si e para, të gjenden forma dhe moduse politike që Serbia të paditet për gjenocid, edhe pse me vonesë. E gjashta, mos të bisedohet më palën serbe, nëse nuk prangosen të gjithë kriminelët serbë të luftës të cilët po shëtisin lirshëm në Serbi, por edhe në Kosovë e gjetiu. Serbia nuk ka dhënë përgjigje kurrë për asgjë, dhe as për 16 varrezat tjera masive në Serbi, të theksuara së fundi nga politikani Nenad Qanak, por edhe nga Natasha Kandiq e cila ka kërkuar nga Serbia që të përgjigjet se ku janë trupat e shqiptarëve të vrarë në Beleg, ku janë trupat e të vrarëve të mbetur në fshatin Kralan, trupat e të vrarëve të mbetur në Izbice...”, ka shpjeguar Mulliqi për “Bota sot”.

Për më tepër, ai është shprehur se është koha për reflektim të mbarë spektrit politike dhe institucioneve.

“Është koha e fundit për reflektim të mbarë spektrit politike dhe institucioneve në këtë drejtim, por edhe në kapërcimin e krizës ekonomike dhe sociale, si dhe menaxhimin situatës gjithnjë e më të rëndë në Kosovë, nga COVID-19”, ka përfunduar Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat