Kosova zhvatë diasporën

Politika

Kosova zhvatë diasporën

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 8 nëntor 2020 Në ora: 09:46
Kuvendi i Kosovës

Të martën që lamë pas është mbajtur seancë në Kuvendin e Kosovës.

Në seancën e mbajtur nga Kuvendi, ndër pikat që kanë diskutuar ka qenë edhe plotësimi dhe ndryshimi i ligjit për zgjedhjet.

Komisioni për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, ka diskutuar të martën propozimin e Vetëvendosjes për plotësimin e ndryshimit të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, e cila po ashtu nuk është miratuar nga anëtarët e komisioni.

Ky propozim i VV-së është bllokuar nga dy partitë kryesore, PDK-së dhe LDK-së.

Reagimet kanë qenë të menjëhershme, ishte deputeti i VV-së ai i cili reagoi duke akuzuar PDK-në e LDK-në, se po e bllokojnë ligjin që lehtëson votimin e diasporës.

Tutje, ai ka shkruar se e përmes këtij Ligji është synuar që, përveç votimit përmes postës, të aplikohet edhe votimi direkt në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës, e të cilat e kanë edhe obligim me iu ofru shërbime qytetarëve shtesë.

Në lidhje me këtë temë të kontaktuar nga “Bota sot”, njohësit e çështjeve politike në diasporë u shprehën të zhgënjyer me këtë bllokim të ligjit. Sipas tyre kjo po u vështirëson vënien e votës për vendin e tyre ani pse gjenden në diasporë.

Ata më tej shprehën që kjo po ndodhë vetëm për frikën që VV mund të ketë përkrahje të madhe nga diaspora pasi që kjo u vrejtë nga zgjedhjet e kaluara e këtu fillon mandej edhe etja për pushtet e që po prek fatkeqësisht diasporën.

Qarri: Bllokimi i ligjit për diasporë na kujton kohën e okupimit nga shteti i Serbisë

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Thaçi ka pothuajse 21 vite që e ka vendosur diasporës taksë në kufi e kështu duke i përjashtuar nga çdo e drejtë përfshi këtu edhe votën.

Qarri krahason këtë gjendje me atë gjatë kohës së okupimit serbë të cilët gjatë pushtimit të Kosovës ja u kanë ndaluar mërgimtarëve votën. Duke mos mjaftuar me këtë Qarri përmend edhe taksën për makina të cilën mërgimtarët duhet ta paguajnë.

Image
Gani Qarri

“Fakti se kuislingu Hashim Thaçi me bandën e tij, pothuajse tash e 21 vite me radhë, e kanë vendosur nën embargo totale dhe afatgjatë të gjithë diasporën, duke u vënë taksë në kufi dhe përjashtuar kundërligjshëm mërgimtarët nga çdo e drejtë, përfshi edhe të drejtën e votës, që është një nga format më të rënda të diskriminimit dhe shkeljes së kundërligjshme të të drejtave dhe lirive njerëzore, gjë që nuk veprohet edhe me shqiptarët që punojnë në Serbinë e Aleksandër Vuçiqit, shtetasve mërgimtar të Kosovës, për realizimin e të drejtës së votës, të drejtën e hyrjes së lirë e pa pengesa dhe pa gjobitjet me taksa të bandës së Hashim Thaçit, në vendlindje dhe atdhe, nuk u ka ngelë rrugëdalje tjetër, përveçse ti drejtohen Gjykatës për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Strasburg. Po bëhen më tepër se dy dekada, qysh kur mërgimtarëve, përveç shtetit okupator si Serbia e cila gjatë pushtimit të Kosovës ua ndalonte mërgimtarëve pjesëmarrjen në votimet e mbajtura në atdhe, të njëjtën politikë destruktive e diskriminuese ndaj mërgimtarëve jo vetëm se e ndoqi besnikërisht Hashim Thaçi, por e komplikoi edhe më tepër i cili përpos përjashtimit të diasporës nga çdo formë votimi, duke përjashtuar vetëm shqiptarët që punojnë në Serbi, të gjithë mërgimtarëve tjerë ai u vuri edhe taksën për makina, të cilën me rastin e çdo hyrje në Kosovë, ata detyrohen ta paguajnë, sikur të udhëtonin në ndonjë shtet të huaj, si Rusia, Kina apo vetë Korenë Veriore. Madje përveç mos angazhimit të shtetit, që mërgimtarët të mund të votojnë në mënyrë të organizuar në atdhe, atyre nuk u mundësohet votimi as nëpër objektet e ambasadave të shtetit të Kosovës anë e këndë vendeve të botës, siç veprojnë të gjitha shtetet tjera me qeveri e udhëheqje politike serioze, si dhe me ligje të konsoliduara”, u shpreh Qarri.

Më tej, Qarri thotë që Hashim Thaçi & CO , ua kanë ndaluar edhe votimin për postë shqiptarëve jashtë vendit, me rastin e mbajtjes së çdo palë zgjedhjesh.

Diaspora mund ti drejtohen Gjykatës për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Strasburg

Analisti thotë që për aq më keq PDK dhe LDK edhe gjatë seancës së të martës në Kuvendin e Kosovës, bllokuan serish ligjin e që po dëshmojnë hapur, kështu dy partitë po iu bllokojnë çdo mundësi diasporës e që nuk mbetët tjetër për diasporën veçse ti drejtohen Gjykatës për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Strasburg.

“Hashim Thaçi & CO, ua kanë ndaluar edhe votimin për postë shqiptarëve jashtë vendit, të cilëve Zvicra, Gjermania, Austria e ndonjë vend tjetër perëndimor, me rastin e mbajtjes së çdo palë zgjedhjesh, ua dërgojnë fletëvotimet në shtëpi, me mundësi votimi në lokalet e caktuara për votim apo edhe me zarfe përmes postës, ndërsa PDK dhe LDK edhe 21 vite pas lufte, bllokojnë ligjin që lehtëson votimin e diasporës. Për aq më keq PDK dhe LDK edhe gjatë seancës së të martës në Kuvendin e Kosovës, bllokuan serish ligjin që parashihte lehtësimin e votimit për mërgimtarët, veprim me të cilin të dy këto parti, po dëshmojnë hapur,se e kanë vendosur nën embargo afatgjatë dhe totale të gjithë diasporën, duke përjashtuar kundërligjshëm shqiptarët jashtë vendit nga pjesëmarrja në votime që është një nga format më të rënda të diskriminimit dhe shkeljes së kundërligjshme të të drejtave dhe lirive njerëzore të shtetasve mërgimtar të Kosovës. Ndaj përderisa mërgimtarëve, jo vetëm që po u vështirësohet por edhe pamundësohet, tash e mbi njëzet vite e drejta e votës", si dhe e drejta e hyrjes së lirë e pa pengesa në vend të vet, për realizimin e të drejtës së votës dhe të drejtës për hyrje të lirë e pa pengesa dhe pa ngarkimin me taksat e bandës së Hashim Thaçit në atdhe, të cilës së fundmi, iu ka bashkuar edhe LDK, fatkeqësisht shqiptarëve të diasporës, nuk u ka ngelur rrugëdalje tjetër, përveçse përfundimisht, ti drejtohen Gjykatës për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Strasburg”, përfundoi Qarri.

Zeqiraj: Nga PDK e pritshme bllokimi i ligjit për diasporë

Analisti politik, Idriz Zeqiraj në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që mënyra e votimit të mërgatës është shumë e thjesht dhe pas asnjë komplikim mirëpo që ligji aktual për diasporë e vështirëson votimin ndërsa ligji i propozuar Komisionit në fjalë nga LVV e lehtëson votimin e Mërgatës.

Image
Idriz Zeqiraj

“Mënyra e organizimit të zgjedhjeve në Mërgatë, është e thjeshtë dhe pa komplikime të natyrës teknike apo politike. Në shtetet ku janë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Kosovës apo të Shqipërisë, mund të monitorohen pa problem. Madje, edhe atje ku mungojnë rezidencat diplomatike, organizimi i zgjedhjeve mund të realizohet nga mërgimtarët, përmes organizimeve të tyre jashtë-partiake, siç janë klubet, shoqatat e deri ke subjektet politike. Komisioni për Legjislacion, Mandate dhe Komunitete, në mbledhjen e së martës, më 3 nëntor 2020, ka diskutuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, për plotësimin e ndryshmit të Ligjit për zgjedhjet. Sepse Projekt Ligji aktual për Diasporën, përkatësisht, Mërgatën e vështirëson, më saktë, e pamundëson votimin e bashkatdhetarëve. Ndërsa ligji i propozuar Komisionit në fjalë, nga Lëvizja Vetëvendosje, e lehtëson votimin e Mërgatës”, u shpreh Zeqiraj.

Arsyet e përbashkëta të PDK-së dhe LDK-së për bllokimin e ligjit për diasporë

Zeqiraj më tej e sheh të çuditshme faktin që edhe LDK ka bllokuar këtë ligj duke ju bashkangjitur PDK-së, nga e cila është shumë e pritur.

“Përsa i përket bllokimit që PDK i bënë ligjit që lehtëson votimin për Mërgatën, e kuptojmë, sepse është zhytur në krime dhe hajni zyrtare, për dy dekada radhazi. Prandaj, mërgimtarët e refuzojnë qeverisjen e saj. Por, habitë fakti pse LDK, përkatësisht, klani Mustafa, bllokon ligjin për lehtësimin e votimit të bashkatdhetarëve në Mërgatë, duke lënduar elektoratin, besnikë dhe fisnikë, të LDK-së të Presidentit Rugova”, u shpreh analisti.

Zeqiraj përmend katër arsyet e përbashkëta të PDK-së dhe LDK-së, e para është frika që VV mund të kalojë në epërsi, e dyta LDK është e shantazhuar nga PDK-ja, dhe klani Mustafa u u organizua skajshëm, për rrënimin e dy Degëve kryesore të LDK-së në Mërgatë, përkatësisht, në Gjermani dhe Zvicër dhe votimi i bashkatdhetarëve në Mërgatë, sjell obligimin e përfaqësimin në strukturat e LDK-së në Kosovë.

“Ka disa arsye të veçanta, por, të parën e kanë të përbashkët PDK dhe LDK: 1) Frika e epërsisë faktike elektorale nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka tërhequr vëmendjen dhe simpatinë e mërgimtarëve. Kjo simpati rrjedhë nga premtimi i VV-së, për ta luftuar korrupsionin, hajninë zyrtare dhe ndëshkimin e zyrtarëve, abuzues të pushtetit, me qëllim të çkapjes të shtetit të brishtë, tashmë, edhe të prishtë të Kosovës. Prova e parë e VV ishte krijimi i Komisionit, me juristë të pavarur dhe me integritet, për -Vettingun në Drejtësi. Por, qeveria pasuese, Hoti, me ministër të Drejtësisë Selim Selimin të AAK-së, e zhbëri Komisionin në fjalë, duke e zëvendësuar me juristë militantë partiakë, të cilët janë vetë në listën hetuese të krimit korruptiv!! 2) Klani brenda Kryesisë të LDK-së është i shantazhuar nga PDK-ja, përkatësisht SHIK-u i saj. Andaj votimi kundër ligjit të lartcekur, dirigjohet nga PDK-ja. 3) Klani Mustafa u organizua skajshëm, për rrënimin e dy Degëve kryesore të LDK-së në Mërgatë, përkatësisht, në Gjermani dhe Zvicër. Në Zvicër ia arriti ta përçajë e ndajë Degën e atjeshme. Ndërsa në Gjermani klanorët e Mustafës dështuan, sepse veprimtarja numër një të Mërgatës, Donikë Gërvalla, me kryesinë e saj simpatike, rezistoi, duke denoncuar batakçillëqet e klanorëve uzurpatorë të LDK-së, të katapultuar në krye të partisë, pa u provuar fare me votën e fshehtë demokratike. Hakmarrja e klanit ndaj Degës së LDK-së në Gjermani, tashmë, është e njohur për opinionin, si tërheqja zvarrë e kryetares Donikë Gërvalla dhe mbyllja e derës për 9 (nëntë) delegatët e ligjshëm, në Kuvendin maskaradë Zgjedhor të 8-të të LDK-së! 4) Votimi i bashkatdhetarëve në Mërgatë, sjell obligimin e përfaqësimin në strukturat e LDK-së në Kosovë. Dhe, veprimtarët e Mërgatës duan ligjësimin e udhëheqjes, tashmë, të kërkuar nga liderja shpirtërore e LDK-së, Vjosë Osmani, duke u përballur me konkurrencën e ndershme dhe votimin e fshehtë demokratik. Shumica nga klanorët, nuk do t`i mbijetonin votimit normativ rugovian. Një e vërtetë e pademantueshme”, u shpreh Zeqiraj.

Në fund analisti shprehët që me këtë bllokim të ligjit LDK dhe PDK dëshmuan që janë shumë mosmirënjohës ndaj mërgimtarëve tanë dhe kontributrin e tyre, duke shtuar që etja për pushtet i ka shfrenuar për të arritur në këtë pikë që janë dy partitë.

“Me bllokimin e ligjit, i cili lehtëson votimin e bashkatdhetarëve në Mërgatë, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, PDK-LDK, (klani Mustafa), dëshmohen si bukëshkalë e mosmirënjohës ndaj mërgimtarëve tanë, për kontributin unik të tyre, të dhënë për Republikën e Kosovës. Frikë nga demokracia, drejtësia dhe etja e shfrenuar për pushtet të pakufizuar - ky është emëruesi i përbashkët i PDK-LDK, në aleancën e tyre të pistë konspirative”, përfundoi Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat