Riza Smaka tregon sa muaj mund të ushtrohet posti i Presidentit nga Vjosa Osmani

Politika

Riza Smaka tregon sa muaj mund të ushtrohet posti i Presidentit nga Vjosa Osmani

Nga: G.B Më: 9 nëntor 2020 Në ora: 17:48
Vjosa Osmani

Me konfirmimin e aktakuzës nga Gjykata Speciale ndaj ish presidentit Hashim Thaçi dhe dorëheqjen e tij nga ky post, në krye të vendit ka ardhur kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, si u.d e presidentit të Kosovës.

E në këtë post, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nuk e pranon ish bashkëpartiaken e tij, Vjosa Osmanin, duke shtuar se ky post i takon PDK-së dhe madje nuk e pranon as Ramush Haradinajn për president.

E ky i fundit e ka kërcënuar prej kohësh koalicionin qeverisës me prishje, nëse nuk ia japin postin e presidentit.

Lidhur me gjithë këtë, profesori Riza Smaka, ka thënë se kur presidenti nuk është i aftë për të ushtruar funksionin, ai vullnetarisht mund t’ia kalojë detyrat e postit të tij Kryetarit të Kuvendit të RK-së.

“Në rastin kur Presidenti i RK-së, nuk është i aftë përkohësisht për të ushtruar funksionin përkatësisht për t’i përmbushur përgjegjësitë e veta, ai vullnetarisht mund t’ia kalojë detyrat e postit të tij Kryetarit të Kuvendit të RK-së! Nëse kundër Presidentit aktual të RK-së do të ngritej aktakuzë penale e plotfuqishme, do të mund të ndodhte që ai të paraqiste dorëheqjen nga posti i Presidentit, që do të thotë se nuk do të ishte detyrimisht i obliguar për ta ofruar dorëheqjen e vet, përderisa çfarëdo aktakuze, juridikisht është hipotezë, që mund të konfirmohet me aktgjykim dënues përfundimtar por mund të ndodhë edhe e kundërta çfarë ishte rasti me z. Ramush Haradinajn. Deri në rastin më të keq të mundshëm të shpalljes përfundimtare fajtor dhe të caktimit të dënimit, kush do pra, A Fortiori, aq më parë Presidenti konform me parimin e inocencës, do të konsiderohej i pafajshëm”, është shprehur ai.

Image
Prof. Dr. Riza Smaka

Sipas Smakës, kalimi i kompetencave nga presidenti tek kryetari i Kuvendit bëhet me urdhër shkrimor.

“Zgjidhja e tillë kushtetuese shprehimisht i referohet gjendjes shëndetësore por, konform me Analogia Juris-in dhe Analogia Legis-in, do të mund të trajtohej edhe situata e ndalimit - arrestimit eventual të Presidentit për një periudhë të caktuar. Kalimi i kompetencave të Presidentit në atë të Kryetarit të Kuvendit bëhet me urdhër shkrimor i cili duhet të përmbajë periudhën dhe shkaqet e kalimit të përgjegjësive të tija. Urdhrin shkrimor Presidenti do të jepte fakultativisht nga se kalimin e përgjegjësive e bën vullnetarisht e jo imperativisht. Presidenti i RK-së do të rifillonte ushtrimin e funksionit të vetë pas skadimit të shkakut apo shkaqeve penguese për periudhën e caktuar. Nga momenti i tillë, Kryetarit të Kuvendit do t’i pushonte autorizimi i ushtrimit të funksionit të Presidentit”, ka theksuar ai.

Profesori shpjegon se çka ndodhë nëse nuk ndodhë kalimi vullnetar i përgjegjësive.

“Në rastin kur nuk ndodhë kalimi vullnetar i përgjegjësive, pas konsultimit me konsiliumin mjekësor, me shumicën e kualifikuar të votave të Kuvendit vendoset që Presidenti është përkohësisht i paaftë për t'i ushtruar funksionet e veta dhe Kryetari i Kuvendit të RK-së caktohet ushtrues detyre i Presidentit deri sa ai të jetë i aftë për ushtrimin e përgjegjësive të veta”, ka shtuar ai.

Smaka thotë se posti u.d i presidentit mund të ushtrohet në periudhë kohore më të gjatë se gjashtë muaj.

“Posti i ushtrimit të detyrës së Presidentit të RK-së nuk mund të ushtrohet për periudhë kohore më të gjatë se gjashtë muaj”, ka deklaruar Riza Smaka për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat