Ish gazetari i luftës: Jam me Hashim Thaçin ulur në bankën e të akuzuarit, nëse ai gjyq është për akuzat e Dick Martit

Politika

Ish gazetari i luftës: Jam me Hashim Thaçin ulur në bankën e të akuzuarit, nëse ai gjyq është për akuzat e Dick Martit

Nga: G.B Më: 9 nëntor 2020 Në ora: 21:46
Hashim Thaçi

Ish Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është paraqitur sot për herë të parë para Gjykatës Speciale në Hagë, pas konfirmimit të aktakuzës nga kjo gjykatë.

Me 5 nëntor ai dha dorëheqje nga posti i të parit të vendit, pas konfirmimit të aktakuzës dhe më pas udhëtoi drejt Hagës.

Lidhur me këtë, ish gazetari i luftës dhe analisti Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën "Bota sot" se aktakuza ndaj Thaçit është plot me palo akuza të rreme serb dhe se akuzat janë zbukurime, janë gënjeshtra të zbukuruara si rrëfime njerëzish pas lufte, rrëfime nga ata që nuk e bënë dot luftën, nuk u bënë dot të lavdishëm as heronj.

"Kur e dënuan poetin Frederik Reshpja në kohën e komunizmit, e pyeti gjykata, cila është fjala juaj, i pandehur. Ai tha: Aktakuza është plot me gabime ortografike… Do të thosha sot se aktakuza ndaj Thaçit është plot me palo akuza të rreme serbe. Akuzat që janë ngritur ndaj UÇK së luftës në pjesën më të madhe janë zbukurime, janë gënjeshtra të zbukuruara si rrëfime njerëzish pas lufte, rrëfime nga ata që nuk e bënë dot luftën, nuk u bënë dot të lavdishëm as heronj, rrëfime sharlatanësh që mashtrojnë edhe në media sikur kanë bërë namin dhe shkruajnë historinë. Ndërsa UÇK e pas luftës, nga kompleksi se nuk bëri luftë, mbase filluan ta kompensojnë luftën e trimërinë pas lufte dhe mund të kenë vepruar ndaj eksponentëve të ndryshëm shqiptarë sepse ata mendonin se dinin kush janë tradhtarë e kush heronj. Kjo duhet paguar me çmimin e të drejtës", është shprehur ai.

Shahu thotë se është me Hashim Thaçin ulur në bankën e të akuzuarit, nëse ai gjyq është për shkak të akuzave të Dick Martit, për trafik organesh e transplant organesh njerëzore nga UÇK.

Image
Rexhep Shahu

"Nëse Hashim Thaçi është në gjyq për akuzat e Dick Martit, për trafik organesh e transplant organesh njerëzore nga UÇK, unë jam me Hashim Thaçin i ulur aty në bankën e të akuzuarit dhe do të jem gjithmonë me të. Unë jam kundër politikanit Hashim Thaçi për drejtimin e jetës politike në Kosovë, por për këto akuza serbe ndaj tij, unë jam me shqiptarin Hashim Thaçi sot e mot. Ditën që e ka akuzuar Dick Marti unë jam shprehur publikisht në televizion kombëtar se për ato akuza ndaj Thaçit, unë i vë duart e mia në një palë pranga me duart e Hashim Thaçit", ka thënë ai.

Më tej, Shahu shton se për vrasjet e pasluftës të gjithë janë të interesuar që të zbulohen dhe për vrasje politike si ajo e Ahmet Krasniqit, kjo gjykatë nëse e ka tagër, duhet ta zbulojë vrasësin.

"Në luftë vritesh, nuk mbjell lule dhe ata kanë luftuar për dëbimin e Serbisë nga Kosova. Për vrasjet e pas luftës secili individ përgjigjet individualisht dhe çdo shqiptar është i interesuar të zbardhen të vërtetat e vrasjeve e pasluftës që kjo akuzë të mos përbaltë gjithë politikën e të krijojë kampe si në Shqipëri. Për vrasje politike si e ministrit Ahmet Krasniqi nëse është në tagër të kësaj gjykate ujin e zi duhet ta nxjerrë e të gjejë vrasësit. Për mburrjet idiote të lloj-lloj hajvani që gënjen e mashtron ditën për diell para gotës së rakisë pas lufte se kam vra shkie e përralla të tjera, gjykata duhet ti rrëzojë thashethemet besoj unë", ka theksuar Rexhep Shahu për "Bota sot".

Sipas tij, duhet pastruar akuza dhe duhet dënuar bërësi e duhet gjetur urdhëruesi për ata që kanë “luftuar” klubeve të Kukësit, Hasit e Tropojës, të Durrësit e Tiranës dhe mund të kenë bërë presione njerëzve.

"Historinë e luftës për Kosovën nuk e bën asnjë individ, asnjë komandant, asnjë ushtar i Shqipërisë, as i UÇK, as ish ushtarakët e Kukësit apo të Shqipërisë që nëpër media të Kosovës rrejnë qenqe dhe e çlirojnë përditë Kosovën pasi e ka çliruar Amerika, NATO e gjaku i derdhur i shqiptarëve të Kosovës, duke e shëmtuar veten e tyre dhe qëndresën reale shqiptare. Nuk lëpihet lavdia e huaj. Për luftëtarë mashtrues që kanë “luftuar” klubeve të Kukësit, Hasit e Tropojës, të Durrësit e Tiranës dhe mund të kenë bërë presione njerëzve, hyni në luftë dhe vetë rrinin ushtarë refugjatë, luftëtarë refugjatë, dhe mund të jenë sjellë si polici ushtarake e paautorizuar prej militantizmit, duhet pastruar akuza dhe duhet dënuar bërësi e duhet gjetur urdhëruesi", ka vlerësuar Shahu.

Për të, dorëheqja e Thaçit do të duhej të ishte më e hershme por mirë që nuk shkoi atje si president, duke shtuar se nuk është tragjedi shkuarja e liderëve të Kosovës në Gjykatën Speciale derisa e vlerëson deklaratën e Veselit para se të nisej për Hagë.

"Dorëheqja e Thaçit do të doja të ishte më e hershme, por u bë mirë që ai nuk shkoi në gjyq si president. Më pëlqeu qartësia e tij kur tha se ky është çmim i vogël që duhet të paguaj se mund të ishte vrarë në kohën e luftës. Vajtja e krerëve të lartë të shtetit Thaçit e Veselit etj në gjykatë speciale nuk e shoh tragjedi për Kosovën, Por e shoh padrejtësi të rëndë që nuk duhej ta kishim pranuar si komb që objektiv i gjykatës të jenë vetëm shqiptarët, objektiv i kësaj gjykatë duhej të ishin gjithë krimet e kryera në Kosovë nga fillimi i luftës deri në fund. Është krijuar një pështjellim të cilin e ka kthjelluar me dinjitet e qartësi për të gjithë më mirë se askush Kadri Veseli i cili duhet nderuar për deklaratën që bëri para se të dorëzohej në gjykatë", ka shtuar ai.

Tutje, Shahu shton se Gjykata është krijuar që politikanët e akuzuar ta pastrojnë veten dhe të tregojnë se nuk kanë frikë që të përballen në Gjykatë.

"Kjo gjykatë speciale është krijuar nga parlamenti i Kosovës si gjest dinjitar për të pastruar veten politikanët e akuzuar dhe për tu thënë shteteve mike të Kosovës se politikanët e Kosovës që vijnë nga lufta kanë kurajon dhe bindjen në drejtësinë e luftës së tyre dhe nuk hezitojnë të përballen në gjykatë të specializuar. Të gjithë sot që dalin kundër gjykatës dalin kundër vendimit që ka marrë kuvendi i Kosovës i inspiruar e nxitur nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Në këtë kuadër, politikanë të harruar të Shqipërisë tip Paskal Milo apo njerëz të shërbimit sekret që kanë ngatërruar Kosovën në ato kohë dhe kanë manipuluar me njerëz të rinj në atë kohë si Thaçi e Veseli, nuk bën t'i hedhin benzinë zjarrit dhe t'i kërkojnë llogari klasës politike pse nuk ngrihen sot kundër në protesta e trazira", ka theksuar ai.

Shahu shpreson që të pastrohet balta e hedhur ndaj UÇK, duke shtuar se askush nga Shqipëria nuk duhet të lëpihet në madhështinë e Kosovës.

"Shpresoj se Kosova do të fitojë më shumë dinjitet, më shumë kthjelltësi e do të pastrohet balta e hedhur ndaj UÇK. Askush nuk është pronar i UÇK as i luftës së shqiptarëve të Kosovës dhe askush nga Shqipëria nuk duhet të lëpihet në madhështinë e Kosovës", ka deklaruar Rexhep Shahu për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat