Kundërshtohet ideja e Vjosa Osmanit: Kosova mos t’i ik dialogut, ja si t’i përgjigjet Serbisë

Politika

Kundërshtohet ideja e Vjosa Osmanit: Kosova mos t’i ik dialogut, ja si t’i përgjigjet Serbisë

Nga: P.R Më: 10 nëntor 2020 Në ora: 19:56
Vjosa Osmani

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka kërkuar që të ndërpritet dialogu me Serbinë pas zhvillimeve të fundit në vend.

“Unë mendoj që për shkak të zhvillimeve aktuale tani nuk është momenti që të vazhdohet dialogu menjëherë. Dhe duhet që institucionet e Kosovës të marrin pak kohë, të ulemi, të konsultohemi mes vetes, të krijojmë një qëndrim shumë më të unifikuar rreth dialogut, sepse është e domosdoshme që kushdo që negocion në emër të Kosovës, për fatin e Kosovës, të ketë një qëndrim shumë më të unifikuar të spektrit politik se sa vetëm të koalicionit që përfaqëson”, ka thënë Osmani.

Të njëjtën gjë si Osmani e ka kërkuar ditë më parë edhe partneri i Hotit në Qeveri, AAK-ja e Ramush Haradinajt.

Por të dy këto kërkesa i ka kundërshtuar ashpër kryeministrit i vend, Avdullah Hoti.

E lidhur më këtë për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Kosova po kalon një etapë tjetër të vështirësive të saj për formësimin e shtetësisë. Ishte menduar se Gjykata Speciale e saj në Hagë do të shërbente si mjet për forcimin e kësaj shtetësie, sepse vendosja e drejtësisë dhe ndëshkimi I krimeve është kusht për këtë proces. Por përmbajtja e aktakuzave e kopjuar fjalë për fjalë nga informacionet e falsifikuara të Beogradit, deri te ajo që thuhet sikur “shqiptarët myslimanë paskan eliminuar shqiptarë katolikë”, është përpjekje e gjykatës së Kosovës në Hagë për të shkatërruar shtetin e Kosovës. Kjo lloj akuze e shënuar në aktet që u paraqitën, synon të përligjë “të drejtën serbe mbi Kosovën”!”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, në këto kushte institucionet e Kosovës të bëjnë më shumë presion mbi Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare.

“Propozimi I presidentes në detyrë, zonjës Osmani në këtë kuptim meriton vëmendje. Çfarë duhet të bëhet me dialogun në këto kushte të reja? Çfarë mund të bëjë Kosova që në Hagë të gjykohet Serbia për krimet që ka bërë ajo në këtë vend? Si mundet që teoritë destruktive serbe për Kosovën të demantohen, të hidhen poshtë e të demaskohen si komplot politik kundër saj? Mua më vjen mire që avokatët e të akuzuarve kanë bërë disa hapa të tillë. Më vjen mire, kur njëri avokat kërkoi të respektohen simbolet e shtetit të Kosovës dhe parlamenti, presidentja në detyrë, qeveria duhet të insistojnë dhe të detyrojnë këtë gjykatë të respektojë luftën e shqiptarëve për liri e pavarësi dhe simbolet e shtetit, të cilit i detyrohen. Më erdhi mire kur u kërkua pse u hoq dorë nga hetimi i akuzës për shtëpinë e verdhë dhe tregtimin me organet e serbëve, sepse kjo shpifje pas hetimit në Shqipëri ra poshtë”, shprehet më tej profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, Bytyçi tregon arsyet pse bojkoti i dialogut mund të jetë një opsion.

“Pra, puna e gjykatës duhet të hyjë në suazat e shtetësisë së Kosovës. Ndryshe do të ketë problem besueshmërie në këtë vend. Dhe në fund të fundit, nëse një gjykatë nuk bëhet e besueshme, atëherë të tilla ne shqiptarët kemi me bollëk këtu në shtetet tona. Bojkoti i bisedimeve me Serbinë është një opsion, për shkak të interferimit të Serbisë edhe në drejtësinë që duhet të japë një gjykatë e ngritur me vendim të parlamentit të Kosovës. Por për mendimin tim ka nevojë për një qëndrim taktik më të zgjuar, më dobiprurës. Institucionet e Kosovës, tani që nuk është më Thaçi ai që I përçan, mund të bashkohen në një opsion: Të kërkojnë unanimisht që në tryezë që ditën e pare të vendoset njohja reciproke pa kushte. Këtë opsion Serbia nuk do ta pranojë, prandaj dhe bisedimet ndërpriten vetvetiu. Nëse e pranon, aq më mire”, thekson Bytyçi.

“Kjo duhet të ndodhë gjithashtu si efekt i ndërhyrjes serbe në gjykatë, si mjet kompensimi. Njohja duhet të jetë çmimi që duhet ta paguajë Serbia për akuzat monstruoze të montuara kundër Kosovës, kundër luftës, kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I duhet kërkuar prokurorisë special që publikisht të kërkojë ndjesë për fyerjet kolektive që i bën shtabit të UÇK-së dhe luftës, për përçarjen fetare që artikulon në katolikë dhe myslimanë, për tendencën që luftës t’i jepet ngjyra fetare. Dhe gjykimin e çështjes ta trajtojë individualisht. I duhet bërë e qartë prokurorisë dhe gjykatës se ata nuk kanë përballë njerëz që kanë kryer krime kundër njerëzimit”, deklaron për “Bota sot” profesor Bytyçi.

Ai ka thënë se nëse zbardhen vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë, padyshim që gjithkush do të gëzohej.

“Mundet që dikush të shpallet fajtor për vrasjet politike sidomos pas lufte. Dhe gjithkush do të gëzohej në Kosovë nëse zbulohet dhe ndëshkohet vrasësi ose vrasësit e Xhejmal Mustafës apo Enver Malokut. Por jo të përbaltet sado pak e të vritet pafajësia e shqiptarëve, me qëllim që të shfajësohen agresorët serbë”.

Profesor Bytyçi ka treguar edhe mënyrat se si Kosova mund t’i kundërpërgjigjet Serbisë.

“Ka nevojë që shteti i Kosovës të krijojë një grup studiuesish dhe autoritetesh shtetërore i cili të përgatisë dosjet e krimit serb në Kosovë dhe t’i bëhet e qartë gjykatës dhe opinionit ndërkombëtar se çfarë gjenocide ka ndodhur në Kosovë. Përfundimisht, mund të them se ka shumë mënyra që Kosova të reagojë kundër Serbisë, përveç opsionit të pezullimit të dialogut. Psh. Duhet marrë një qëndrim i prerë rreth iniciativës së minishengenit. Çfarë kam parasysh me këtë? Mund të vendoset që Kosova të mos jetë pjesë e minishengenit të Vuçiç dhe Ramës, por mund të vendoset edhe pro pjesëmarrjes. Nëse vendoset pro, atëherë duhet që Kosova të përfaqësohet si shtet. E para gjë që duhet të kërkojë është vendosja e regjimit kufitar me Serbinë, pra njohja e kufijve. Ndërsa simbolet e shtetit dhe të tjera simbolika nuk diskutohet që duhen respektuar si për çdo vend tjetër të rajonit. Por nuk mund të ketë lëvizje të lire ndërshtetërore në një kufi, që nuk njihet si kufi shtetëror, kur p.sh qytetarët e Shqipërisë nuk lejohen të hyjnë në Serbi nga pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, për shkak se Beogradi e njeh kufirin me Kosovën si kufi administrative”, thotë Bytyçi.

“Nëse Serbia respekton shtetësinë e kufijtë e Kosovës mundet që të pranohet minishengeni, meqenëse është nënshkruar një marrëveshje për këtë. Porn ë atë marrëveshje nuk thuhet që Kosova të marrë pjesë në këtë iniciativë nën ombrellën e Serbisë. Prandaj shteti I Kosovës është në të drejtën e vet të kërkojë të jetë e barabartë politikisht me shtetet e tjera të kësaj nisme. Ndryshe do të ndëshkojë veten dhe këtë situate ajo nuk duhet ta përsërisë më. Veprimtaria pro-serbe e Hashim Thaçit dhe lëshimet e tij ndaj Serbisë gjatë bisedimeve të kaluara duhet të bëhen mësim i mirë, që të mos përsëritet kjo histori. Në këtë kuptim mund të përhapet ideja se “Vetëm Thaçi ishte I aftë të bisedonte me Serbinë”. Por aftësitë e tij për të krijuar një shtet serb brenda shtetit të Kosovës ose për ta ndarë territorin e saj, duhet të varrosen njëherë e mirë”, përfundon profesor Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat