Arrestimet nga Specialja, avokati Gashi jep alarmin për Kosovën – tregon edhe sa do të zgjasë gjykimi!

Politika

Arrestimet nga Specialja, avokati Gashi jep alarmin për Kosovën – tregon edhe sa do të zgjasë gjykimi!

Nga: G.B Më: 11 nëntor 2020 Në ora: 18:09
Tomë Gashi

Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë paraqitur para Gjykatës Speciale për herë të parë, që nga e hëna deri sot.

Atyre u janë lexuar akuzat për të cilat rëndohen dhe që të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për çdo pikë të aktakuzës.

E kjo gjykatë e votuar në vitin 2015 ishte kundërshtuar vazhdimisht nga shumë persona, ndër ta edhe avokati Tomë Gashi, i cili ende mendon se ajo është e dëmshme për Kosovën.

Sipas tij, pas faljes së territorit të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, Gjykata Speciale është veprimi më i dëmshëm për Kosovën dhe kur ajo ta përfundojë punën, pak kush do ta mbajë mend se kur e ka filluar atë.

“Pas faljes së territoreve të Kosovës, të cilat u bënë në dy raste pas luftës dhe atë Maqedonisë ju falën 2500 hektarë, ndërsa Malit të Zi mbi 8250 Hektarë, pas këtyre veprimeve kaq të dëmshme për Kosovën, Gjykata Speciale është ajo që më së shumti do ta dëmtojë Kosovën për një periudhë të gjatë kohore, aq të gjatë sa që kur të përfundojë punën, Gjykata Speciale pak kush do ta mbajë mend se kur ka filluar punën kjo Gjykatë e votuar në gusht të vitit 2015 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës e të cilët deputetë atje mund të gjenden vetëm si të akuzuar, apo dëshmitarë, dhe në asnjë variant tjetër nuk mund as të hynë në institucionin që e kanë krijuar vet”, është shprehur ai.

Avokati ka thënë për gazetën “Bota sot” se kjo do ta dëmtojë bazamentin e shtetit të Kosovës, që do të jetë vështirë të riparohet, duke shtuar se është rasti i vetëm në botë që një shtet me 7 vite pavarësi, të formojë një gjykatë, që është e dëmshme për tërë kombin shqiptar, pasi të gjithë të akuzuarit deri tani janë ish pjesëtarë të UÇK-së.

“Tanimë të gjithë po vajtojnë për krijimin e një monstrumi juridik, që do ta dëmtojë edhe bazamentin e shtetit të Kosovës aq shumë sa që do të jetë tepër e vështirë që të riparohet dëmi i shkaktuar. Është rast të cilin bota e civilizuar deri më tani nuk e ka parë, që një shtet vetëm 7 vite pas pavarësisë së tij të formojë një Gjykatë të tillë që do ta kontestojë edhe vet sovranitetin e këtij shteti. Një pjesë e atyre që ishin më të zellshmit për krijimin e Gjykatës Speciale, tanimë janë vet në këtë gjykatë dhe sikur të akuzuar, dhe sikur edhe në ëndërr të ju shkonte mendja se mund të ndodhë një gjë e tillë për ta personalisht se do të akuzohen nga kjo gjykatë duke i njohur personalisht, e di se kurrë nuk do ta votonin. Gjykata Speciale është e dëmshme edhe për gjithë kombin shqiptar në përgjithësi sepse tanimë po shihen në seanca vetëm pjesëtarë të UÇK-së dhe jo ata që me të vërtetë kryen krime në Kosovë, e që janë ushtria policia dhe paramilitarët serb. Si është e mundur që është themeluar një gjykatë e tillë nga shqiptarët e Kosovës, kur thuajse shumica më e madhe e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të vitit 2015 kanë qenë edhe vet aktiv në luftë si pjesëtarë të UÇK-së, ndërsa në Kosovë nuk mund të gjendet asnjë shqiptar që në mënyrë direkte të mos jetë dëmtuar nga gjenocidi serb gjatë luftës”, ka vlerësuar ai.

Sa i përket paraqitjeve të të akuzuarve deri tani, Gashi thotë se kanë qenë të dinjitetshme dhe emocionale, derisa veçon atë Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Paraqitjet e z.Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, janë të dinjitetshme, janë deklarime edhe emocionale, posaçërisht deklarimi i z.Jakup Krasniqi dhe z.Rexhep Selimi, ishin shumë të qarta, shumë dinjitoze, dhe na bënë të gjithëve të ndjehemi mirë që i njohim personalisht si ushtarë të denjë të UÇK-së, por në të njëjtën kohë na bënë të ndjehemi tepër keq për arsye që gjinden atje ku janë”, është shprehur ai.

Tutje Gashi ka thënë se këto janë vetëm paraqitjet fillestare, pasi gjykimi do të zgjasë shumë.

“Tanimë janë vetëm paraqitjet fillestare dhe kjo aktakuzë e konfirmuar do të shkojë në gjykim dhe gjykimi do të zgjasë një periudhë kohore të gjatë, kështu që të gjithë do të kenë mundësi që të japin mbrojtjen më të mirë dhe nuk besoj që do të duhet shumë mund për t’ju sqaruar gjyqtarëve se kush ishte viktimë dhe kush agresori, ata këtë e dinë por edhe ata vet janë të habitur se si erdhi kjo punë që ata si gjyqtarë të gjenden në situatë që të gjykojnë vetëm ushtarë të një etnie në një luftë ku kishte së paku dy palë ndërluftuese e që në ndërkohë u shndërrua edhe në një luftë ndërkombëtare pas intervenimit të NATOS dhe bombardimin e caqeve Serbe”, ka theksuar avokati.

Ai shton se nuk është e drejtë që të kemi një gjykatë të tillë dhe është diskutabile nëse mund të ndryshohet roli i saj, me kërkesa që të ndryshohet ligji për të.

“Nuk është e drejtë që të kemi një Gjykatë të tillë dhe do të jetë çështje diskutabile se a do të mundemi tani e tutje ta ndryshojmë rolin e Gjykatës Speciale me kërkesa që të ndryshohet ligji për Gjykatën Speciale, dhe hetohen krimet serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë”, ka deklaruar Tomë Gashi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat