Bajraj: Gjykata Speciale sjellë drejtësi për viktimat dhe dënon kriminelët!

Politika

Bajraj: Gjykata Speciale sjellë drejtësi për viktimat dhe dënon kriminelët!

Nga: A.M. Më: 11 nëntor 2020 Në ora: 19:59
Ilustrim

Fatmir Bajraj, analist politik, deklaron se qytetarët e Kosovës duhet t`i gëzohen Gjykatës Speciale, pasi do të sjellë drejtësi për viktimat.

“Kosova dhe shqiptarët, duhet t'i gëzohen një procesi gjyqësor kredibil, i cili sjellë drejtësi për viktimat dhe ndëshkon kriminelët të cilët tani e dy dekada janë të lirë dhe fatkeqësisht  bënin edhe Ligjin në Kosovë. Ngjizja e këtij tribunali është në raportin famoz të senatorit zviceran në KE, Dick Marty në dhjetor të vitit 2010, që përfshinte: "Krimet ç’ njerëzorë dhe trafikimin me organe" në Kosovë, gjatë periudhës 1998, 1999 dhe 2000 që u pasua me zotimin e Qeverisë së Kosovës nga një marrëdhënie (marrëveshje) kontraktuale me BE-në, për zbatimin e Shtetit Ligjor dhe e cila u kthye në Ligj në gusht të vitit 2015 me miratimin në Parlamentin e Kosovës, dhe iu dha drita jeshile formimit të  Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe formimit të Task-Forces nga ana e EULEX-it, dhe e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale me seli në Hagë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Bajraj: Pse u formua dhe a mund të evitohej formimi i saj?

Po ashtu, Bajraj ka shpjeguar rrjedhjen se si ka ardhur deri tek themelimi i Gjykatës Speciale, ku ka thekson se ishte obligim i një shteti serioz.

“Mosformimi i një Gjykate për krime lufte në Kosovë, nga ana Institucioneve vendore pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës që ishte një obligim i një shteti serioz & kredibil, dhe me ambicie integrimi në BE dhe në strukturat veri-atlantike,

- Dështimi i shoqërisë dhe i shtetit të Kosovës në ndërtimin e një sistemi kredibil gjyqësor dhe me këtë fakt, edhe pandëshkueshmeria e krimeve të kryera dhe mungesa e drejtësisë për viktimat,

  - Dështimi i zbardhjes së krimeve të supozuara të shprehura në raportin  e Dick Martit, përkundër se ky proces kishte kaluar mese tre herë pa sukses të prekshëm, për çfarë autorët e krimeve nuk ishin kap dhe dënuar si satisfaksion për viktimat në njërën anë, dhe si fakt i kryer, miratimi i Rezolutës në KE, sollën Kosovën, institucionet e saja dhe partneret tanë strategjik ; SHBA & BE, para një sfide e cila priste përgjigje ;

a) Formimi i një Gjykate vendore me seli jashtë vendi dhe me juridiksion të Republikës së Kosovës, e cila do shmangte mangësitë e proceseve të mëparshme, duke ruajtur dëshmitaret dhe siguruar një proces të drejtë gjyqësor për viktimat, ose

b) Formimi i një tribunali për krimet e pretenduara nga Rezoluta e KE-së, nga ana e KS të OKB-së, e ku Kosova do ishte vetëm objekt i procesit dhe jo subjekt si është me rastin e formimit të dakordësuar të Gjykates Speciale me seli në Hagë”, ka deklaruar Bajraj për “Bota sot”.

Bajraj: Gjykata Speciale s'mund të evitohej!

Për më tepër, ai është shprehur se në kohën kur është themeluar Gjykata Speciale është shfrytëzuar pushteti për t`i bindur deputetët për ta vetuar këtë të fundit.

“Kadri Veseli, u "premtonte" qytetarëve të Kosovës se dosjet për vrasjet e pa zbardhura gjatë dhe pas luftës çlirimtare, do t'i hap pas 70 viteve, sigurisht, pasi që të vdisnin dhe eliminoheshin të gjithë dëshmitarët, absurd i llojit sui-generis dhe tallje me viktimat !

Zaten, të akuzuarit e saj sot; Thaçi, Veseli, Krasniqi & CO, ish pushtetarë dhe në maja të piramidës së shtetit deri dje, lobuan atëbotë, duke shfrytëzuar gjithë pushtetin autoritar dhe mekanizmmat e shtetit, për t'i bind parlamentaret për formimin e kësaj Gjykate, me "arsyetimin" e pastrimit të luftës së UÇK-së dhe të popullit të Kosovës, që sipas tyre ishte target i raportit të Dick Martit të kthyer në rezolutë të KE-së. Thaçi dhe të vetë-shpallurit tjerë, udhëheqës dhe drejtues të luftës çlirimtare, në strukturën komanduese të një të vetëquajturi SHP i UÇK-së, me pas të sofistikuar në maja të pushtetit dhe në shtetkapje, u detyruan të bëjnë të pamundurën, që një tribunal i tillë, mos të shkoj në KS të OKB-së, por të formohet në juridiksionin e Kosovës dhe me partneritet strategjik, BE & SHBA, me gjasë edhe me shpresën e kalkulimit në konsumim të një procesi  duke e kompremetuar atë, siç ndodhi me proceset gjyqësore pararendëse në Kosovën e pasluftës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Bajraj ka thënë se kohëve të fundit është tentuar zhbërja e Gjykatës Speciale.

“Thaçi, Veseli, Krasniqi & CO, të vetëdijshëm për krimet e kryera dhe për mos zbardhjen e tyre, të mbështetur për muri pas rezolutës së KE-së, nga raporti i Dick Martit, përmes ish drejtorit të Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe ish Kryeministrit dhe s'fundmi, ish presidentit Thaçi, provuan  në mënyra të ndryshme të eskivojnë Drejtësinë dhe Gjykatën Speciale, fillimisht me përpjekjen për zhbërjen e saj në Kuvendin e Kosovës, dhe pas dështimit të asaj nisme, edhe me projektin e ndarjes së Kosovës për të relaksuar Serbinë dhe për të arrit një traktat "paqeje" i cili do presupozonte edhe faljen e krimeve nga të dyja palët! Dhe tani, pasi që shoqëria Kosovare, miqtë tanë perëndimor dhe kryesisht Gjermania dhe SHBA-të, ndaluan tregtimin e integritetit dhe sovranitetit shtetëror të Kosovës, duke penguar Thaçin, Vuçiqin e Mogherinin nga një ndërmarrje fatale për Kosovën dhe shqiptarët ; zhbërjen e shtetit dhe shtetësisë së Kosovës, Thaçi dhe Co, u arrestuan nga Gjykata Speciale dhe i nënshtrohen një procesi gjyqësor, i cili do jetë satisfaksion për viktimat dhe familjet tyre në ankth, tani e dy dekada”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Bajraj ka potencuar se Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale nuk janë kundër Kosovës.

“Gjykata Speciale dhe procesi gjyqësor kundër të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara të kësaj Gjykate të Kosovës me seli në Hagë, nuk janë kundër Kosovës, shtetësisë së saj, dhe aq më pak, kundër luftës së drejtë dhe të shenjtë të populli të Kosovës të rreshtuar në  UÇK-s dhe luftës së saj kundër pushtuesit barbar dhe regjimit kriminal & gjenocidal të Millosheviqit. Gjykata Speciale dhe proceset gjyqësore të saj, nuk ndjekë institucionet e Republikës së Kosovës dhe as historinë saj, e cila është  shkruar me gjakun e dëshmorëve dhe sakrificën e brezave, për çfarë edhe kishim dhe kemi mbështetjen e aleatëve tanë të natyrshëm, perëndimor në Europë dhe përtej atlantikut, SHBA-të. Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve për krimet e pretenduara nga raporti i Dick Martit dhe ZPS dhe verdikti i Gjykatës për të akuzuarit, ndihmon Kosovën dhe institucionet e saja, i hap rrugë procesit të integrimeve euro-perëndimorë dhe mbi të gjitha, sjellë drejtësi për viktimat të cilat padrejtësisht janë të privuara nga e drejta për zbardhjen e krimeve dhe ndëshkimin e autorëve”, ka përfunduar Bajraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat