Çfarë do të sjellë protesta gjithëpopullore?

Politika

Çfarë do të sjellë protesta gjithëpopullore?

Nga: A.SH Më: 11 nëntor 2020 Në ora: 20:50
Foto

Një protestë gjithëpopullore do të mbahet kësaj të premte para ndërtesës së Qeverisë, në shenjë pakënaqësie me masat e fundit të ndërmarra kundër COVID-19, mos ofrimit të ndihmave financiare për qytetarët gjatë pandemisë, dhe do të kërkohet dorëheqja e ministri Armend Zemaj.

Paralajmërimi i kësaj proteste nga Zëri i Popullit është bërë përmes faqes Facebook, ku janë bërë të ditura edhe kërkesat me të cilat do t’iu drejtohen institucioneve të vendit në ditën kur pritet të hyjë në fuqi masat e reja anti COVID-19, të cilat janë bërë të ditura sot nga kryeministri Avdullah Hoti.

Analisti politik, Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se, pakënaqësitë në përgjithësi janë të mëdha qe 21 vite, sepse nuk kanë punuar mirë.

“Pakënaqësitë qytetare në këtë klasë politike në përgjithësi janë të mëdha që 21 vite, se nuk punuan hiq mirë. Tashmë mos aprovimi i Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike në leximin e dytë, shpërfaqi edhe një herë divergjencat dhe dobësitë e koalicionit qeverisës, jo vetëm për këtë temë, por edhe për temat e tjera, se kujt do të duhej t’i takon posti i presidentit të vendit, edhe pse ka mjaftë kohë të shqyrtohet kjo punë”, ka thënë Mulliqi.

Sipas tij, Kosova po vlon nga problemet e pazgjidhura, dhe për një protestë nuk është kohë e përshtatshme për shkak të situatës me pandeminë.

“Kosova po vlon nga problemet e pa zgjidhura të natyrave të ndryshme e veçmas po keqësohet gjendja ekonomike e sociale e shumicës së qytetarëve, shkaku i theksimit me COVID 19, e cila po vret shumë njerëz. Mos miratimi i këtij ligji, kur dihet se shumica po jetojnë dobët, është mos përgjegjësi totale e pozitës por edhe një pjese të opozitës, duke mos i bërë numrat në Kuvend, që një ligj i tillë të kalon në leximin e dytë, kur dihet se është në interes të qytetarëve. Mos votimi është përgjegjësi së pari e pozitës pse nuk po arrin ti bën numrat e nevojshëm. Ka forma të tjera të shprehjes së pakënaqësive, e nuk është kohë e përshtatshme për ndonjë protestë mendoj unë, kur dihet se veç janë shtuar masat restriktive deri në izolim për shkak të hapjes së pandemisë. Çdo tubim do të ishte tepër i rrezikshëm në një situatë të tillë për shëndetin edhe ashtu të rrezikuar të popullatës”, shprehet ai.

Ai shprehet se zgjidhja e gjithë këtyre problemeve, janë zgjedhjet të cilat do të legjitimonin qeverinë e re.

“Për të dalë nga krizat dhe rruga e mosfunksinimit të koalicionit qeverisës, si qeveri e pakicës, do te ishte mirë, së pari të bëhen përgatitjet, që në një kohë më të përshtatshme të organizohen zgjedhjet e reja, të cilat do të legjitimonin qeverinë e re. Vetëm zgjedhjet e reja mund ta zgjedhin lëmshin e krizave, edhe këtë që krijoj tash Specialja, e sidomos në kohën e pandemisë globale, që po merr përmasa shqetësuese për popullatën në botë. Sfida të mëdha po e presin vendin, është koha e reflektimit të spektrit politik, çdo vonesë do të jetë shumë e kushtueshme për shtetin e brishtë të Kosovës”, përfundon Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat