Kush pas Vjosës?

Politika

Kush pas Vjosës?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 12 nëntor 2020 Në ora: 16:59
Vjosa Osmani

Vjosa Osmani është aktualisht në pozitën ushtruese detyre e Presidentit të vendit, pasi Hashim Thaҫi dha dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale. Sipas juristëve, kjo pozitë mund të mbahet deri në gjashtë muaj e më pas të bëhet një zgjidhje tjetër.

Interesim të madh për karrigen e presidentit ka shprehur kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili kërcënon me zgjedhje nëse ai nuk bëhet president.

Mirëpo i njëjti nuk ka marrë ende përkrahje zyrtare nga ndonjë parti politike, ku gjithashtu i duhen edhe votat e njërës nga partitë opozitare, PDK ose VV.

Të pyetur nga gazeta “Bota sot”, njohësit e çështjeve juridike sqarojnë se kujt i takon kjo pozitë dhe si duhet të zgjidhet Presidenti i ri pas Thaҫit.

Presidenti duhet të jetë meritor

Kështu profesori dhe juristi Riza Smaka thotë se Presidenti i Republikës së Kosovës duhet të zgjidhjet një person meritor jashtë marrëveshjeve biznesore politike.

Image
Riza Smaka

“President i RK-së do të duhej të zgjidhej personi meritor me integritet moral, politik e kombëtar jashtë marrëveshjeve biznesore politike të disa eksponenteve të subjekteve politike të amortizuar dhe të degraduar me jo pak dështime serioze”, vlerëson Smaka.

Sipas tij ҫdo marrëveshje politike për të parapaguar, paragarantuar dhe parasiguruar zgjedhjen e Presidentit do të ishte në kundërshtim me nenin e 70-të të Kushtetutës së Kosovës.

“Çfarëdo marrëveshje politike për të parapaguar, për të paragarantuar dhe për të parasiguruar zgjedhjen President të cilit do politikanë, do të ishte në kundërshtim të papajtuar me nenin 70 të Kushtetutës së RK -së ngase deputetëve në vend të votimit të lirshëm diskrecional do tu imponohej me kanoshe e joshje votimi automatik e robotik pro personit të caktuar. Cili do person i zgjedhur sipas ndonjë marrëveshje politike pashmangshëm do të rezultonte i imponuar dhe për aq inkompetent dhe inmeritor”, thekson Smaka.

Ramush Haradinaj s’e meriton të bëhet president

Image
Blerim Burjani

Ndërkaq, juristi tjetër Blerim Burjani thotë se nuk është ҫështja se kujt i takon ky post i Presidentit por a ka mundësi një kandidat ta mbajë këtë post. Kështu duke folur për Ramush Haradinajn, liderin e AAK-së, Burjani thotë se ai nuk e meriton këtë post për shkak të mungesës së madhe të aftësisë së tij.

“Nuk është ideja se kujt i takon por pse dhe a ka mudësi të ushtroj këtë post, realisht një njeri si Ramushi që shkep poste si bakshishe për darsma në parti e nuk meriton këtë post dhe mungesa e madhe e e aftësisë së tij për të udhëheq këtë post. Ky post sikurse edhe shumë poste publike për Ramushin janë cirk dhe lojë pra nuk ka seriozitet, merreni shembull postin e ministrit të punëve të jashtme, shteti për të është një lodër loje që të mashtrohet me të, për të mos bërë telashe, për këtë post kërkohet një figurë e kompletuar politike serioze, humane dhe me kapacitet të plotë për të mbrojt shtetin, liritë dhe të drejtat e njeriut dhe parimet kushtetuese”, thekson Burjani.

Burjani thotë për ‘Bota sot’ se në Kosovë është fituar përshtypja se të gjithë mund të bëhen Presidenta e ministra dhe kështu kemi të bëmjë me një anarki të madhe. Sipas tij tani duhet ose një president dinjitoz ose zgjedhje.

“Pra në Kosovë është fituar kaherë përshtypja se të gjithë mund të bëhen ministra, pse jo? Të gjithë mund të bëhen Presidenta, Kryetar partish, kemi të bëjmë me një anarki të madhe në mendime, veprime dhe udhëheqje të institucioneve, Kosova po i bën gati 21 vjet me njerëz që aktrojnë poste publike dhe përfitojnë materialisht, kjo kohë duhet të perfundoj posti i presidentit nuk duhet vlerësohet si post për kusuritje politike, por si post dinjitoz, i rëndësishëm për qytetarët e saj dhe për të pas aftësi për të lujt rolin e unitetit të qytetarëve, partive, grupeve të shumta të interesit. Tash ose president dinjtoz ose zgjedhje, s’ka shumë rrugë”, thotë ai.

Pozita e presidentit është politizuar

Image
Leon Duhanaj

Ndërkaq analisti politik, Leon Duhanaj thotë se fillimisht Presidenti i takon Kosovës, mirëpo kjo pozitë është politizuar tejmase dhe është përdorur për hesape politike.

“Nëse në mënyrë të drejtëpërdrejtë do t'i përgjigjesha pyetjes, atëherë do thoja se Presidenti i takon Kosovës. Por, fatkeqësisht me duhet thënë se në Kosovë pozita e Presidentit është politizuar tejmase dhe është përdorur jo rrallë për çërim hesapesh e inate politike. Ne opinionin publik, shpeshherë degjohet sllogani, President unifikues apo qeveri teknokrate. Megjithatë, në realitet, ne si shoqëri, nuk jemi të interesuar fare për keto tema”, vlerëson Duhanaj.

Ai thotë më tutje se ne jemi shoqëri politike dhe nuk mund të pritet që të gjëndet një njeri i cili nuk ka preferenca politike.

“Në ketë kontekst, sllogani për një figurë të tillë është thjeshtë hipokrizi. Pra, për ta zgjedhur një president, kërkohet një kompromis marrëveshje politike mes partive. Në anën tjegër, sot për sot, kemi një kryeministër të cilit me së miri kishte me ju përshtatur cilësimi teknokrat. Pra ky nuk ka pretendime me shumë se sa t'i shërbej vendit nga pozicioni që ka. Në këtë kontekst, do të doja që edhe figura e Presidentit të ardhshëm të jetë një qytetarë i Kosovës qoftë edhe figurë politike e ndonjë partie e cila ka kapacitetin profesional dhe integritetin intelektual për t'i shërbyer vendit”, thotë ai.

Sipas Duhanajt, në ketë kontekst, baza për ta arritur është marrëveshja politike.

“Në ketë kontekst, duke u bazuar në konstalacionet politike momentale, do të thoja që posti i Presidentit t'i takojë PDK-së, me Kusht që qeverisja të stabilizohet. Natyrisht që mund të ndodhin edhe zgjidhje tjera, por që duhet të kenë mbështetje e subjekteve kryesore në vend”, thotë analisti Leon Duhanaj për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat