Problemi “Srbska”!

Politika

Problemi “Srbska”!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 12 nëntor 2020 Në ora: 20:28
Qeveria e Kosovës

Zhvillimet e fundit në vend duke filluar nga arrestimet e Gjykatës Speciale, dorëheqja e presidentit, kanë bërë që Kosova të shqyrtojë mundësinë e shkuarjes drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme po vazhdojnë të jenë opsioni i duhur për opozitën duke e parë të rrugës që sa më shpejt të ndodhin dhe qeveria Hoti të rrëzohet.

Dyshimi se kjo qeveri mund të vazhdoj punën e saj ka qenë edhe kur u arrestua deputeti Etem Arifi për veprën penale mashtrim me subvencione. Gjykata ka urdhëruar të dënuarin Arifi që deri me datën 9 mars të këtij viti në ora 12:00 të paraqitej në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Thirrje për zgjedhjet e jashtëzakonshme ka nga opozita, duke filluar nga VV e cila edhe kishte iniciuar një peticion por që nuk ka ndonjë përparim nga ky peticion, e të pazëshëm nuk kanë qenë as partneri i koalicionit, AAK-ja.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ali Berisha së fundi ka potencuar se AAK është e gatshme për çdo variant në të mirë të funksionimit të institucioneve, përfshirë edhe zgjedhjet.

Përveç AAK-së e zëra që do të dal nga koalicioni ka qenë edhe për Listën Serbe pasiqë kjo e fundit ka kohë që nuk po merr pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës, kështu duke bërë të reagoj edhe zv.kryeminsitri Besnik Tahiri i cili u shpreh gjatë një konference për media se nuk e di nëse kanë ndonjë arsye për ta bërë këtë. Ai madje shtoi se mes Listës Serbe e partive tjera të koalicionit nuk ka pasur ndonjë komunikim zyrtar mbi këtë çështje.

Ndërsa në lidhje me këtë temë, njohësit e çështjeve politike për “Bota sot”, u shprehën që Lista Serbe është duke e vë në pikëpyetje qëndrimin më të gjatë të qeverisë Hoti duke mos marr pjesë në seancat në Kuvendin e Kosovës.

Mehmeti: Lista Serbe po kërkon asosacionin në këmbim të votës në Kuvend

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që Lista Serbe po shfrytëzojnë kohën kur qeveria ka pezulluar bisedimet me Serbinnë. Kështu duke shfrytëzuar votën e tyre për të filluar bisedimet për asosacionin, sidmos tashmë që edhe në Amerikë në krye ka ardhur Biden.

“Duke parë se bisedimet me Serbinë janë pëzullluar aktualisht, Lista Srpska po gjen kohë të kërcënoj qeverinë Hoti, që mos të humb kohë po të nënshkruaj asociacionin, nën ndërmjetësim të BE, pa pritur inagurimin e presidenti të ri amerikan Joe Biden. Ky është mesazh që të Mërkurën Lista Srpska i ka dërguar qeverisë Hoti, që të shpejtohet ky proces, pasi kanë frikë që me ardhjen e Biden asocaiconin nuk do të bëhet, andaj po mundohen të shfrytëzojnë votën në kuvend ndaj qeverisë Hoti, për t'i dërguar mesazh që të veprojnë sa më parë”, u shpreh Mehmeti.

Më tej, Mehmeti thotë që asnjë qeveri, nuk guxon kurrë të varet nga Lista Srpska, pasi nuk është stabile, dhe në momentin që nuk vepron sipas interesave të tyre bie.

“Ndonëse nuk u tha kështu, ky është mesazhi që ata dërguan ndaj z.Hoti, i cili nëse nuk reagon shpejt, brenda muaji, mund të bie nga pushteti. Asnjë qeveri, nuk guxon kurrë të varet nga Lista Srpska, pasi nuk është stabile, dhe në momentin që nuk vepron sipas interese të tyre bie , andaj z.Hoti duhet sa më parë të nis ose bisedimet me Vuçiqin, ose të shkojë në shtëpi”, tha Mehmeti për “Bota sot”.

Mehazi: Lista Serbe ka humbur interesimin ndaj qeverisë Hoti

Image
Sulejman Mehazi

Profesori, Sulejman Mehazi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që qeveria Hoti duhet të jap dorëheqje të parevokueshmë sepse ka mbetur e vetmuar. Sepse sipas profesorit aktakzua e Thaçit ka dobësuar përkrahjen e kësaj qeverie, edhe situata e pandemisë ka ndikuar, gjithashtu për shkak dialogut nënçmues kundrejt Serbisë me Ujmanin, Asosacionet e qytetëve serbe e minishengeneve me Serbinë.

“Tani më, qeverisë së Hotit si ka mbetur gjë përveç të japin dorëheqje të parevokueshmë, sepse kjo qeveri, jo që ka mbetur e vetmuar, por edhe e nënçmuar e pa partneritet politik që e ushqenin dhe i jepnin energji gjallëruese Hotit e qeverisë së Kosovës. Ata që e prunë në krye të qeverisë Avdullah Hotin, tani më janë të akuzuar nga Gjykata Speciale e Hagës, aktakuza ndaj Thaçin ka dobësuar përkrahjen e kësaj qeverie. Avdullah Hotit poashtu i mungon përkrahja edhe nga SHBA-ja e Trumpit dhe Grenellit, i mungon përkrahja e popullatës së Kosovës për shkak menaxhimit katastrofik të covid19, për shkak numrit të madh të infekuarve dhe të vdekurve nga kjo pandemi e rrezikshme. Ka humbur përkrahjen qeveria e Hotit për shkak vjedhjeve dy milionëshe nga buxheti i shtetit, për shkak dialogut nënçmues kundrejt Serbisë me Ujmanin, Asocionet e qyteteve serbe e minishengeneve me Serbinë”, thekson profesori.

Tutje, Mehazi thotë që Lista Serbe ka humbur interesimin ndaj qeveris Hoti duke mos marrë pjesë edhe në seancat e Kuvendit. Kosova duhet të ketë qeveri te re, me politikanë të ri, shprehët më tej, profesori.

“Tani më edhe lista serbe ka humbur interesimin ndaj Hotit. Të gjitha këto pa aftësi politike të Hotit, urgjentisht, kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare, rrëzimin e ndryshimin e qeverisë për të mirën e popullatës se Republikës së Kosovës. Kosova duhet të ketë qeveri te re, me politikanë të ri, ambiciozë e të ndërgjegjshëm, politikanë që do ta duan më shumë Kosoven sesa paratë, korrupcionin e lakmitë shteterore”, shtoi Mehazi, për “Bota sot”.

Duhanaj: Duhet unitet politik

Image
Leon Duhanaj

Njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, i kontaktuar nga “Bota sot”, u shpreh që Kosova ka filluar rënien e saj atëhere ku filluam me prodhimin e krizave të njëpasnjëshme, duke filluar nga situata me pandeminë e deri tek arrestimet e Speciales. Mirëpo që sipas Duhanaj nëse vendi shkon në zgjedhje atëhere do të prodhoj zgjidhje.

“Kosova e ka filluar rënien e saj, atëherë kur filluam me prodhimin e krizave të njëpasnjëshme. Atëherë kur në vend të bashkëpunimit, partitë e instaluan mosdurimin dhe vijat e kuqe. Kemi partinë VV-je e cila ka qenë pioner i përçarjes në skenen politike dhe, përpos kur doli vetë parti e parë, asnjëherë tjetër nuk u deklarua pozitivisht për rezultatet zgjedhore, por çdoherë duke e vënë në pikëpyetje legjitimitetin e shumicës përderisa pa e marrë parasysh përqindjen e fituar vazhdimisht thirret në emër të popullit. Sot, Kosova po kalon nëpër një situatë gati sa të jashtëzakonshme dhe çdo krizë politike do t'i shkonte për shtati Serbisë. Kemi problemin me Gj. Speciale e cila po e akuzon luftën kolektive të UÇK-së, kemi problemin e dialogut i cili sa me shumë të zgjasë në status quo, aq me i dëmshëm bëhet për Kosovën. Nëse vendi do të shkonte në zgjedhje dhe do të prodhonte zgjidhje, atëherë ndoshta kishte me qenë me mirë një proces zgjedhor se sa një qeverisje me harrna e krraba”, u shpreh Duhanaj.

Në fund, analisti nuk përjashton mundësinë që zgjedhjet mund edhe të na dërgojnë në krizë e që në këto raste e mira e kësaj do të ishte uniteti politik ose një marrëveshje mes partive politike.

“Por, çfarë nëse zgjedhjet, në vend të zgjidhjes na çojnë në krizë, ashtu siç po ndodhë tashmë që sa vite? Këndej, mendoj unë, për shqiptarët dhe Kosovën zgjidhja me e mira kishte me qenë uniteti politik, ose një marrëveshje paraprake mes partive politike për një platformë të përbashkët qoftë para, apo pas zgjedhjeve”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat