Kosova i kundërpërgjigjet Vuçiqit pas paralajmërimit për luftë

Politika

Kosova i kundërpërgjigjet Vuçiqit pas paralajmërimit për luftë

Nga: A.Zh Më: 12 nëntor 2020 Në ora: 22:22
Avdullah Hoti, Aleksandar Vuçiq

Një deklaratë e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ka nxitur reagime të ashpra në Kosovë. Vuçiq ka thënë se se konfliktet e ngrira mund të shpërthejnë në luftë, duke aluduar në një konflikt në mes të Kosovës dhe të Serbisë.

“Nuk duam që kjo të na ndodhë dhe të na befasojë. Prandaj, nuk angazhohemi për një konflikt të ngrirë, por duam një zgjidhje kompromisi dhe të këmbëngulim në procesin që zhvillohet nën përkujdesjen e BE-së”, ka thënë Vuçiq.

Atij për këtë deklaratë i ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës. Kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se deklarimet e Vuçiqit, nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar në rolin e saj konstruktiv në të mirë të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të gjithë rajonit”, ka shkruar Hoti në një reagim në Facebook.

Ai ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe nga NATO-ja të reagojë ndaj këtyre provokimeve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga Bashkimi Evropian dhe nga NATO-ja të reagojë ndaj këtyre provokimeve”, ka thënë më tej kryeministri i Kosovës.

Deklarata e Vuçiqit ka nxitur reagimin edhe të ministrit të Mbrojtjes së Kosovës Anton Quni, i cili ka thënë se nëse lufta është e pashmangshme, Kosova do ta fitojë atë.

“Fare nuk jemi të interesuar për luftë, duam të jetojmë në paqe, por nëse lufta është e pashmangshme, ne si çdo herë do të fitojmë. Mos e harroni ferrin e Koshares!”, ka shkruar ministri Anton Quni në një postim në Facebook.

Edhe Enver Hoxhaj, U.D kryetar i PDK-së, përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se i vetmi kërcënim për stabilitetin dhe paqen rajonale mbeten pasuesit e Milosheviqit në qeverinë serbe.

Ai ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare reagim të shpejtë, pasi siç ka thënë Hoxhaj, rajoni mund të lëvizë përpara vetëm kur Serbia të përballet me gjenocidin që ka kryer në të.

“I vetmi kërcënim për stabilitetin dhe paqen rajonale mbeten pasuesit e Millosheviqit në qeverinë serbe dhe aparatin e sigurisë. Komentet e sotme nga Aleksandar Vuçiq kërkojnë një reagim të shpejtë nga bashkësia ndërkombëtare. Rajoni mund të lëvizë përpara vetëm kur Serbia të përballet me gjenocidin që ka kryer në të”, ka shkruar Hoxhaj.

Në lidhje me këtë, ka reaguar edhe NATO-ja, e cila ka thënë se Misioni i udhëhequr nga NATO – KFOR mbetet plotësisht i përqëndruar në zbatimin e mandatit të tij të KB për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet e Kosovës, që rrjedhin nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

”Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesin dialogun e lehtësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës si zgjidhja e vetme e qëndrueshme politike për stabilitetin në Kosovë dhe rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor”./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat