A po i mat Vuçiqi pulset e shqiptarëve me deklaratat e tij provokuese, flet profesori

Politika

A po i mat Vuçiqi pulset e shqiptarëve me deklaratat e tij provokuese, flet profesori

Nga: A.Morina Më: 12 nëntor 2020 Në ora: 22:48
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq gjatë ditës së sotme kërkoi që ndasitë me Kosovën të zgjidhen me dialog dhe kompromis, përndryshe dy fqinjët i pret një konflikt i mundshëm, si ai për autonominë e Nagorno-Karabakut që muajin e kaluar la mbi 1 mijë të vrarë mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Kjo deklaratë e Presidentit të Serbisë u cilësua si kërcënim ndaj shtetit të Kosovës, gjë që ngjalli shumë reagime në vend, ku edhe u kërkua edhe ndihma e BE-së dhe NATO-së.

Profesori, Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot”, deklaroi se Serbia duhet të jetë e kujdesshme se Kosova nuk është si ajo e kohës si Millosheviqit.

“Nëse do luftë Vuçiqi le të urdhërojë, po duhet ta  di së s'është koha e Millosheviqit kur Kosova ishte e pa mbrojtur e nën thundrën e çetënikëve dhe paramilitarëve serb që s'dinin gjë tjetër përveç vrasjeve të civilëve, fëmijëve, grave e burrave të moshuar, ka vdekur koha millosheviqiane”, u shpreh Mehazi.

Ai theksoi se Kosova është shtet i pavarur me policinë dhe ushtrinë e saj, të cilët do të luftojnë në çdo cep për vendin e tyre. Madje ai, paralajmëroi Serbinë se ushtarët e Kosovës edhe mund të dalin edhe në territorin serb, më saktësisht në Luginën e Preshevës, Bujanovc e Medvegjë.

“Tani Kosova është shtet i pavarur me policinë e me ushtrinë e saj, forcat e saja të armatosura jo vetëm që do ta mbrojnë çdo cep e skaj të territorit të Kosovës, po do dalë edhe përtej në territorin e Serbisë për të mbrojtur e marrë edhe pjesën shqiptare të Luginës së Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës”, nënvizoi Mehazi.

Profesori, për fund tha se fjalët e Vuçiqit janë vetëm provokime të zbrazura, teorike e pa energji lufte brenda Kosovës.

“Dhe vet Vuçiqi e di se forcat serbe janë shumë të dobëta brenda shtetit të pavarur të Kosoves, ndaj mendojmë se fjalët e Vuçiqit janë vetëm provokime, të zbrazura, teorike e  pa energji lufte brenda Kosovës, fjalë inatçore e urrejtëse sa për të matur pulset e shqiptareve, po edhe të vet serbëve. Nëse do luftë Vuçiqi, le të urdhërojë, aty janë shqiptarët e Kosovës, gaditu, me policinë e ushtrinë e saj”, përfundoi Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat